Qershor 17, 2024 | Monday
Ky vit shënoi edicionin e 14-të të Chopin Piano Fest Prishtina. Me 16 koncerte gjithsej, në edicionin e këtij viti morën pjesë artistë nga Italia, Franca, Gjermania, Austria, Ukraina, Mali i Zi, Kroacia, Sllovakia, Tajlanda, Mbretëria e Bashkuar, Lituania, Rumania, Kanadaja, Shqipëria dhe Kosova, të cilët mbetën plot mbresa nga pritja e veprave të tyre nga publiku lokal dhe u kthyen në vendet e tyre duke marrë me vete përvoja dhe kujtime të paharrueshme artistike nga Kosova.
Kremtimi i vlerave evropiane me muzikë klasike është kthyer në traditë të Chopin Piano Fest. Në hapjen e tij tradicionale në Ditën e Evropës më 9 maj, ishte ftuar virtuozi ukrainas që jeton në Gjermani Artem Yasynskyy për një recital në piano. Nëpërmjet muzikës, e cila është gjuha universale e njerëzimit, Yasynskyy përcolli një mesazh paqeje, respekti dhe mirëkuptimi midis njerëzve dhe vendeve përmes performancës së tij, me synimin për të tërhequr gjithashtu më shumë mbështetje nga vendet dhe festivalet evropiane për artistët ukrainas.
Hapja e Chopin Piano Fest në Ditën e Evropës, në bashkëpunim të shkëlqyer me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, është një element i rëndësishëm i festivalit sipas Shega Shkodrës, specialiste e komunikimit e festivalit, e cila më tej e shtjellon simbolikën si një mundësi për të kremtuar dhe respektuar vlerat evropiane përmes muzikës klasike.
Mbështetja nga institucionet e tjera dhe delegacionet e ndryshme të BE-së në Kosovë e përforcon më tej besimin, forcën dhe vullnetin e ekipit të festivalit për t’u qëndruar besnikë synimeve të tyre për t’i promovuar këto vlera, por edhe për të kontribuar më tej në promovimin e Kosovës në nivel ndërkombëtar, që sipas Shkodrës është një mision i rëndësishëm i festivalit.