Nëntor 29, 2023 | Wednesday
Qendra e Kujdesit Ditor për fëmijët në situatë rruge në Nashec, komuna e Prizrenit, është hapur në muajin tetor. Qendra e Kujdesit Ditor në Nashec u jetësua falë një bashkëpunimi ndërmjet Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Unicef në Kosovë, Ambasadës së Japonisë në Kosovë dhe Terre des hommes – Kosovë. Qendra ofron shërbime për fëmijët e cenueshëm dhe familjet e tyre.
Fëmijët në situatë rruge janë ndër grupet më të margjinalizuara. Ata shpesh përjetojnë shkelje të rënda të të drejtave të tyre para dhe gjatë kohës së tyre në rrugë. Sipas Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0, shërbimet specifike për fëmijët në situatë rruge, siç janë kontaktimi, strehimoret ditore ose me fjetje, rehabilitimi dhe riintegrimi, këshillimi dhe mbështetja psikologjike, megjithëse janë esenciale, janë kryesisht të kufizuara ose mungojnë në Kosovë.
Qendra e Kujdesit Ditor në Nashec synon ta plotësojë këtë hendek duke ofruar shërbime të integruara për vajzat dhe djemtë dhe adoleshentët e cenueshëm që janë në situatë rruge, duke përfshirë ofrimin e ushqimit, shërbimeve higjienike dhe sanitare, veshjeve, shërbimeve psiko-sociale, aktiviteteve edukative, psikologjike, këshillim, mbështetje mjekësore, kohë të lirë dhe aktivitete socio-kulturore.
Qendra gjendet në fshatin Nashec, 8 km larg qendrës së qytetit të Prizrenit. Qendra është hapur gjatë viteve të 80-ta dhe është shfrytëzuar si kamp për aktivitete rekreative për fëmijë dhe të rinj nga mbarë Kosova.
Teksa ambientet akomoduese janë rinovuar me mbështetjen financiare të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, qendra është funksionalizuar falë mbështetjes financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Pas asaj në Prishtinë, kjo është qendra e dytë ditore në Kosovë që do të ofrojë shërbime të integruara për të gjithë fëmijët e cenueshëm me përqendrim të veçantë tek fëmijët në situatë rruge, të rinjtë dhe familjet e tyre, sipas nevojave të tyre.
Qendra në Nashec do të ofrojë shërbime të drejtpërdrejta për fëmijët që ose janë aktualisht në situatë rruge ose janë në risk të bien në rrethana të tilla. Teksa Qendra synon të përsërisë modelin e suksesshëm të Qendrës së Kujdesit Ditor në Prishtinë, ajo gjithashtu posedon aftësinë dhe infrastrukturën e përshtatshme për të shërbyer potencialisht si lokacion pilot për modelin e Shtëpive për Mbrojtjen e Fëmijës në Prizren.
Qendra do të lehtësojë edhe sesione për prindërimin pozitiv dhe do të organizojë aktivitete vetëdijesimi brenda komunitetit.