Prill 15, 2024 | Monday
Intervistë me Arben Kllokoqin, ekspert i tregut të energjisë dhe autor i serisë së librave për fëmijë “Mbrojtësit e planetit”
Arben Kllokoqi është ekspert i lartë i energjisë në Sekretariatin e Komitetit të Energjisë në Vjenë, institucion ndërkombëtar i themeluar në bazë të një traktati të nënshkruar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit e Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Moldavisë. Për Arbenin, ndërlidhja mes energjisë elektrike dhe çështjeve të ambientit është e pashkëputshme. Pavarësisht punës në nivel të lartë institucional, së fundmi, angazhimin e tij për një mjedis më të gjelbër, Kllokoqi e ka shtrirë në një seri librash për fëmijë, të botuar nga Shtëpia e Evropës në Kosovë e të titulluar “Mbrojtësit e planetit”. Seria e librave u promovua gjatë muajit shkurt në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë. Në intervistën e mëposhtme me autorin, mund të kuptoni më shumë në lidhje me edukimin e brezave të rinj, si çelës drejt zgjidhjes së problemit të ndryshimeve klimatike.
Europe House Kosovo: Me aq sa kemi arritë me pa, katër librat për fëmijë, te botuara e të promovuara së fundmi në Europe House Prishtina, janë rezultat i një angazhimi tuaj më të madh në çështjet e ambientit. A mund të fillojmë prej kësaj e pastaj gradualisht të flasim për përmbajtjen e librave?
Arben Kllokoqi: Nëse duhet t’i jap vetes një etiketë, unë jam ekspert për tregun e energjisë. Ky është edhe titulli që e kam në punë në Sekretariatin e Komitetit të Energjisë në Vjenë, i cili është një institucion ndërkombëtar i themeluar në bazë të një traktati të nënshkruar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit e Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Moldavisë.
Çka ka ndodh viteve të fundit është që sektori i ambientit edhe klimës është i lidhur shumë me sektorin e energjisë, sepse sektori i energjisë shihet si një ndër shkaktarët kryesorë të ndryshimeve klimatike. Duke qenë të lidhura, në baza ditore unë duhet të merrem edhe me klimën e energjinë apo me energjinë dhe me ambientin.
Përveç të tjerash, sektori i energjisë elektrike shihet në njërën anë si shkaktar po në anën tjetër edhe si çelës për me zgjidhë problemin e ndryshimeve klimatike. Nëse i elektrifikojmë proceset tona, industrinë e në përgjithësi aktivitetin ekonomik e këtë energji elektrike e prodhojmë me burime të ripërtritshme e jo me burime të cilat emitojnë karbon, pra gazra që kanë efekt serrë, atëherë, në një mënyrë, e zgjidhim problemin. Kjo është arsyeja pse jam gjithnjë e ma shumë i lidhur me aspektin e klimës po edhe të ambientit. Puna ime primare është në fakt energjia, por e lidhur me të është klima sepse çdo politikë që bëhet në sektorin e energjisë e ka një tick box që i përmbush ato aspektet klimatike, ambientale.
Europe House Kosovo: I gjithë angazhimi juaj është në nivel institucional të politikbërjes e hartimit të strategjive. Mirëpo, së fundmi jeni autor edhe i katër librave me tregime e ilustrime që lidhen me çështjet e ambientit, për fëmijë, që është diçka shumë e bukur por edhe befasuese. Si e shihni këtë nevojën e qasjes poshtë-lart, sepse ju jeni duke punuar në sanimin e problemit të ndryshimeve klimatike, mirëpo në të njëjtën kohë, edukimi i brezave të rinj nënkupton krijimin e një ambienti ku ky problem nuk përsëritet më…
Arben Kllokoqi: Sado që mundohemi me i eduku qeveritë e moshat më të mëdha, ose me ja u bë të qarta obligimet e tyre, prapë se prapë shpresën e shoh te gjeneratat e reja. E jo vetëm shpresën por edhe faktin që ato kanë me qenë më të prekun sesa ne nga këto ndryshime. Përveç asaj, tash dhe në detyrën time si prind ka ardhë ajo nevoja me bë diçka, thjesht me e lehtësu mënyrën qysh ja u shpjegoj.
Europe House Kosovo: Po supozoj që ti je ballafaqu me hartim të politikave e të raporteve e sigurisht gjatë studimeve edhe me shkrim akademik. Si ishte ballafaqimi me këtë formë të shkrimit, të mendimit kreativ? Si ishte me tentu me ecë në këpucët e një fëmije?
Arben Kllokoqi: Si duket ndoshta e kom pasë një talent edhe e di në fakt që kom shkru mirë.
Kur janë rritë pak fëmijët, pata nisë me diskutu me ta për klimën. Ja u pata dhanë titullin recycling officers [oficerë të riciklimit] edhe ja u pata bo ato name tags [shënjues me emër] dhe një herë në mbrëmje shkojshim e i ndajshim mbeturinat, xhamin, metalin, plastikën dhe kompostin. Tu u mundu me ja u shpjegu pse tash kjo shfrytëzohet, tash është si shishe nesër e blejmë si gotë, mandej si vazo…E tu u mundu kështu, e gjeta një formë me ua shpjegu, që është më e thjeshtë për ta.
Europe House Kosovo: Si është korelacioni mes storjeve që i trajton secili libër edhe çka ke dashtë, pse ke mendu që është e rëndësishme që qato storje me u trajtu qashtu në katër libra për me u transmetu te fëmijët. A komunikojnë njëra me tjetrën apo munden veç e veç me u lexu?
Arben Kllokoqi: Munden veç e veç me u lexu në fakt, nuk kom dashtë shumë me bë lidhshmëri. Kom dashtë me qenë të veçanta, mos me qenë shumë të gjata që fëmijët mos me hupë vëmendje kur janë duke i lexu ose kur ja u lexon dikush.
E para është “Ndryshimet klimatike”. Këtu kam dashtë vet me e lanë këtë titull, për shkak se kam pasë përshtypjen që ky është term që fëmijët duhet me e mësu. Ata duhet me mësu që ekzistojnë ndryshimet klimatike edhe na duhet me i luftu ato. Nuk e di nëse e përmendin në shkolla apo jo si term, po m’u ka dukë që kur kom bisedu edhe me fëmijët tjerë, “ndryshimet klimatike” ju ka dukë diçka si një term i huj, m’u ka dukë që s’e kuptojnë hiç edhe kam dashtë me ju shpjegu diçka në praktikë qysh është storja e librit që gjyshi i tregon nipit që qëtu ka pasë lumë, e tash nuk ka. Domethanë për një periudhë të jetëgjatësisë kur gjyshi ka qenë fëmijë, ndoshta për 50-60-70 vjet, tash lumë nuk ka e nëse nuk ka lumë, aty përreth nuk ka pastaj as kafshë se nuk vijnë me pi ujë, e dijmë që kafshëve ju duhet me pi ujë. Nëse nuk ka kafshë edhe nuk ka ujë që mundet me ujitë, pastaj edhe toka, lulet, bimët rrallohen edhe s’ka më park edhe insekte edhe bletë s’ka, edhe fshati që s’mundet me i ujitë tokat duhet me u zhvendosë.
Domethanë një vend që ka pasë shumë begati, shumë jetë e gjallëri, tash paska mbetë pak a shumë si shkretëtirë ose diçka që thjesht nuk të ofron kushte optimale për jetë. Normalisht një libër nuk mund t’i shpjegojë të gjitha, por ideja është që fëmijët pastaj me pytë, me i pytë prindërit, me pytë në shkollë. Thjesht me ju ngjallë një lloj kurreshtjeje.
Europe House Kosovo: Mandej është “Bletët”…
Arben Kllokoqi: Te “Bletët” ka qënë thjesht veç hudhja e mbeturinave që neve na duket shumë e thjeshtë veç me gjujtë nji diçka, një kapak ose një diçka aty në natyrë, thojmë nuk bëhet kurgjo. E çka ndodh nëse e gjujmë një kapak, në këtë rastin e librit ka qenë kapaku, po edhe shishja… Kapakun e ka përbi ketri se ju ka dukë si ngjyrë arre, edhe e ka përbi ketri, që mandej ka vdekë. Kam dashtë me shprehë që pak rëndësi ka nëse burri që e ka hudhë atë shishen e ka pasë për qëllim me e mbytë ketrin apo jo, ai prej pakujdesisë në një farë mënyre është shndërru në vrasës. Mandej aty edhe ilustrimet luajnë rol të rëndësishëm, sepse e kanë tregu atë pjesën që nuk mundesh me e tregu me tekst. Përmes ilustrimeve aty tregohet që edhe ky burri në fjalë është në siklet për veprimin e tij. Mandej bleta futet në shishe, bletët tjera nuk mbërrijnë ta nxjerrin nga shishja dhe organizojnë protestë. Në këtë libër kam dashtë me tregu që njerëzit nuk janë të vetmet qenie që jetojnë në tokë, por që tokën e ndajmë edhe me kafshët e insektet, të cilat kanë të drejta poaq sa ne.
Në libër fëmijët e marrin anën e kafshëve dhe i bashkohen protestës dhe në fund e shpëtojnë bletën. Pak a shumë ajo ka qenë ideja që edhe ata me u bashku edhe në fund me ju tregu që kjo është një lloj bashkëjetese.
Europe House Kosovo: Si ishte takimi me fëmijët në Europe House në Prishtinë?
Arben Kllokoqi: Shumë i mirë! Eksperiencë e jashtëzakonshme për mu! Madje ndoshta e papritun, sepse e pashë sa me seriozitet i merrnin pyetjet që i bënin.
Europe House Kosovo: A kishe përshtypjen që po e kuptojnë, po e përbrendësojnë rëndësinë e çështjes?
Arben Kllokoqi: Aty u mundova me ua shpjegu edhe në praktikë përmes një eksperimenti. I mora dy kavanozë në të cilët futa pak dhe, njërin prej tyre e mbulova me një qese najlloni e tjetrin e lashë të hapur. Po atë qesen e vendosa ma vonë edhe u bona sikur po i djegi disa fije shkrepse aty brenda edhe thashë, “Këto janë dy toka. Njëra prej tyre është ajo ku ne ndezim karburante e të tjerë, makina, industritë që prodhojnë rrymë edhe ky tymi që po del, e krijon një farë shtrese si najllon,” edhe e mbulova njërën me najllon. Paraprakisht e futa nga një termometër në secilin prej kavanozëve. Këtë e bëmë në fillim të takimit, pastaj në fund ju thashë, “E shohim se çfarë temperature kanë me pasë secila prej këtyre dy tokave. Momentalisht e kanë temperaturën e njëjtë sepse janë të hapuna të dyjat”. Ju thashë, “imagjinojeni që është një diell që i nxen tan kohën këto bota”. Mandej vazhduam me leximin, pyetjet dhe në fund i hapëm dy kavanozët dhe i pyeta fëmijët, “Në cilën botë kishit dashtë me jetu, në këtë me najllon, apo në këtë tjetrën?” Ata natyrisht të gjithë thanë, “Në këtë tjetrën!” Edhe në fund ju thashë që ky najlloni është pikërisht qajo që krijohet në atmosferë prej gazrave edhe në fund i morëm termometrat me i shiku edhe ai i kavanozit me najllon e tregojke temperaturën ma të lartë.
Europe House Kosovo: Të falemnderit shumë Arben!