Korrik 30, 2021 | Friday

“Daniel”, “Unë kurrë nuk kam udhëtuar me Aeroplan” dhe aktorja Eli Gashi triumfojnë në FFE 2021 në Kosovë

Pas nëntë netësh program me shfaqje të filmave ndërkombëtarë dhe vendorë, në Kino Armata në Prishtinë në prezencë të adhuruesve të filmit, dhe Zëvendësshefit të Seksionit për Politikë të BE-së në Kosovë, Juan Biurrunit, është mbyllur edicioni i tretë i Festivalit të Filmit Evropian në Kosovë, me ceremoninë e ndarjes së  shpërblimeve për më të mirët.

Nga 21 Korriku, publiku në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe Gjakovë ka shijuar vepra të njohura ndërkombëtare si pjese e agjendës së filmave ndërkombëtarë. Për më shumë, për herë të parë këtë vit u shfaqën edhe vepra nga filmbërësit vendorë, pjesëmarrës në garën e filmit të shkurtër, e organizuar në kuadër të festivalit.

Shfaqja e filmave në Gjakovë

Në natën finale të festivalit, në praninë e shumë artistëve dhe publikut artdashës, në Kino ARMATA u shfaqën edhe tre filma të shkurtër garues.  “Në mes rreshtave” i Lum Borovcit, “Gojë ka, gojë ska” i Valmira Rashitit, si dhe “Nosotros” i Albulena Kurtit.

Festivali u mbyll me ndarjen e shpërblimeve për tri çmimet kryesore: çmimi për aktoren më të mirë iu nda Eli Gashit, për rolin në filmin “Një manual për ndarje”; çmimi për dokumentarin më të mirë iu nda filmit “Unë kurrë nuk kam udhëtuar me aeroplan” nga Redon Kika; si dhe çmimi për filmin më të mirë iu nda filmit “Daniel” nga Loreta Berbatovci.

Festivali i Filmit Evropian në Kosovë mbështetet nga Zyra e BE-së në Kosovë, ndërsa organizohet nga Shtëpia e Evropës në Prishtinë.