Nëntor 1, 2018 | Thursday

Diskutim në panel: Menaxhimi i mbeturinave dhe mundësitë për riciklim në Kosovë

Me datë 30 tetor, gjatë diskutimit në panelin mbi menaxhimin e mbeturinave dhe mundësitë për riciklim në Kosovë, i cili u mbajt në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Kosovë, Libor Chlad – Zëvendës Shef i Sektorit  të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë potencoi prapë se mjedisi dhe mbrojtja e tij mbeten një sektor prioritar për punën e BE-së në Kosovë dhe se të gjitha përpjekjet po bëhen që të rritet ndërgjegjësimi për të arritur një mjedis më të pastër.

44718609905_65290c0589_b

“Mjedisi për neve është një prioritet transversal, dhe ne e shqyrtojmë atë në secilën fushë tjetër në të cilën punojmë në Kosovë. Kemi investuar shumë dhe po vazhdojmë të investojmë. Këtu po përmend sidomos një lokacion të veçantë për vendosjen e përkohshme të mbetjeve të rrezikshme, një projekt shumë me rëndësi për ne” tregoi Chlad gjatë këtij paneli diskutimi.

Arineta Mula, alpiniste dhe një prej kampioneve të Fushatës për Mjedis, Luan Hasanaj nga Let’s do it Kosova! dhe Edita Pozhegu nga Open Data Kosovo u bashkuan në këtë diskutim në panel, duke treguar se si duhet mobilizuar të gjitha institucionet të bashkëpunojnë në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi rreth mbeturinave dhe se si të kalohet nga fjalët në veprime.

44907711044_e6eeb0c77e_b

Arineta Mula uroi të gjitha institucionet që po punojnë në këtë aspekt ndërsa përmendi përceptimin aktual të qytetarit kosovar i cili e ka ende të vështirë të hudhë mbeturinat e lëna nga dikush tjetër, në vendin e duhur.

“Unë çdo mëngjes shëtitem në Gërmi dhe në shumë pjesë shoh mbeturina dhe qese plastike. Ne i mbledhim me grupin të gjitha këto mbeturina dhe i hudhim në kosh të mbeturinave, por ditën tjetër prapë ka të tjera. Problemi mendoj se qëndron në mentalitet. Ne duhet ta ekspozojmë ndotjen e mjedisit dhe të punojmë më shumë që këto mbeturina të vendosen aty ku e kanë vendin” tregoi Mula, në prej kampioneve të Fushatës për Mjedis e cila momentalisht po zhvillohet në Kosovë, e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga EUICC.

44907713514_fc3ecfc6d0_b

Luan Hasanaj nga Let’s do it Kosova! përmendi Task-forcën ku janë bashkuar dhjetë ministri në Kosovë dhe të cilat po provojnë të mbrojnë ambientin në Kosovë, në bashkëpunim edhe me 35 task-forca të tjera lokale. Sipas tij, aksionet e pastrimit nuk janë zgjedhja përfundimtare, por megjithatë ndihmojnë në faktin që qytetarët të mund të kuptojnë se kanë përgjegjësi mbi pronën e tyre dhe mbi pronën publike, dhe institucionet duhet të punojnë më shumë që ta instalojnë tek qytetari një mentalitet dhe një kulturë të tillë.

43814594020_c301de16f1_b

Gjatë panelit u promovua edhe platform “Trego Gjelbër”, pjesë e projektit ‘Youth-Designed Digital Solutions to Promote Democratic Engagement and Support Evidence Based Policy-Making’ financuar nga Bashkimi Evropian. Edita Pozhegu nga Open Data Kosovo prezantoi platformën e cila do të përmbajë informacione mbi mbeturinat në Kosovë, në mënyrë që mediat, qytetarët, organizatat dhe palët tjera të mund të kenë një pikë reference për të gjetur informacione në këtë fushë.

Diskutimi ishte pjesë e aktiviteteve të Fushatës për Mjedis organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së.