Maj 9, 2021 | Sunday
Për të shënuar Ditën e Evropës, Zyra e Bashkimit Evropian dhe Shtëpia e Evropës në Kosovë, kanë organizuar aktivitete të shumta kulturore, edukuese e zbavitëse.
Java e Evropës hapet me 9 maj, me aktivitetin e titulluar “Art në rrugë, mbi ambientin”, ku artistë të njohur ndërkombëtar e vendor do të ngjyrosin shkallët e lagjes “Arbëria/Dragon” me mesazh të veçantë për ruajtjen e ambientin.
Në aktivitetin e titulluar “Western Balkans Youth Talk” të rinjtë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të diskutojnë me Ambasadorët e vendeve të BE-së për mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet të rinjve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Veprat më të mëdha të muzikës klasike i sjellin kuarteti “Aureum Saxophon Quartett” me një koncert të veçantë për Ditën e Evropës, mundësuar nga Ambasada Austriake në Kosovë.
Koncerti “Për Ju, Me Ju” i organizuar për nder të Ditës së Evropës, sjell performancën e yjeve më të mëdhenj të skenës së muzikës moderne, më 9 maj, duke filluar nga ora 20:45.
Ambasadori i BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, mban një fjalim të shkurtër për nder të Ditës së Evropës.
Ndërkohë, për të mësuar më shumë për Bashkimin Evropian, më 10 maj, fëmijët e pyesin Ambasadorin Szunyog, me një sesion të shkurtër pyetjesh të sinqerta dhe simpatike.
Aktivitetet vazhdojnë me kuizin “Sa mirë e njihni BE-në” ku mund të luani për të testuar njohuritë tuaja për Bashkimin Evropian, dhe për të fituar shpërblime të ndryshme.
Më 12 maj, mund të vizitoni ekspozitën virtuale “Duar të vogla, vepra të madhe” të artistëve të vegjël dhe të talentuar të shkollës së artit “Da Vinci Course” dhe Shoqatës së Autizimit.
Ndërkohë, me 14 maj, do të bëhet shpallja e fituesve të garës së fotografisë “Mbështetja e BE-së për Kosovën”, nga juria profesioniste, ku fotografitë më origjinale dhe kreative do të shpallen fituese.
Për të shikuar agjendën e plotë të ngjarjeve të organizuara për nder të Ditës së Evropës, klikoni në këtë link.