Tetor 19, 2021 | Tuesday
Ndotja dhe ndryshimet klimatike janë një nga kërcënimet kryesore me të cilat po ballafaqohet planeti Tokë sot. Zgjidhjet po kërkohen dhe ofrohen në një sërë fushash, duke përfshirë modën, dizajnin e qëndrueshëm, ekonominë qarkore dhe të tjera.
Një nga ndërmarrjet që po kontribuon në mënyrë aktive në zvogëlimin e mbeturinave në Kosovë është DYVO. Për të promovuar punën e tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin për metodat alternative dhe novatore të trajtimit të ndryshimeve klimatike, Shtëpia e Evropës në Mitrovicën e Veriut hapi dyert për ekspozitën “Ridizajnim dhe Riciklim në industrinë e modës”. Ekspozita shfaq artikujt e modës të krijuar nga ndërmarrja shoqërore DYVO.
DYVO, një ndërmarrje shoqërore që vepron në Prishtinë, mbeturinat në formë të plastikës akrilike i merr dhe i rikrijon në artikuj modernë, trendë dhe të qëndrueshëm mode. Përveç artikujve të modës që krijojnë, ata gjithashtu përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin përmes aktiviteteve të ndryshme siç janë punëtoritë dhe aktivitetet e ngjashme.
Produktet e DYVO të ekspozuara në ekspozitën “Ridizajnimi dhe Riciklimi në industrinë e modës” mund të vizitohen çdo ditë pune, në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicën e Veriut, nga ora 9:00 – 18:00. Ekspozita organizohet nga Shtëpia e Evropës në Kosovë dhe mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.