Maj 5, 2022 | Thursday

Edicioni i 12-të i Chopin Piano FEST Prishtina hapet në Ditën e Evropës me emra të mëdhenj të muzikës klasike

Njëri ndër festivalet më të rëndësishme të muzikës klasike në Kosovë, Chopin Piano FEST Prishtina, hapet këtë vit më 9 maj në Ditën e Evropës, me koncertin e pianistit të famshëm botëror Martin Garcia Garcia, dhe përfundon më 8 qershor, duke sjellur para publikut kosovarë më shumë se 15 koncerte, masterklase, punëtori, gara për instrumentistë dhe kompozitorë, dhe aktivitete të tjera kulturore. E veçantē tjetër e edicionit të sivjem të Chopin Piano FEST Prishtina, është edhe pjesëmarrja e festivalit në programin SYNERGY të mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes progamit Creative Europe. Për të kuptuar më shumë për edicionin e 12-të të festivalit, kemi biseduar me Prof. Lejla Haxhiu Pula, Presidente dhe Drejtore artistike e Chopin Piano FEST Prishtina.

Prof. Lejla Haxhiu Pula, Presidente dhe Drejtore artistike e Chopin Piano FEST Prishtina

EH: Mund të na tregoni një historik të shkurtër të festivalit Chopin Piano FEST Prishtina?

L.P: Festivali Chopin PianoFEST Prishtina është një ngjarje e rëndësishme kulturore në Kosovë, që organizohet nga viti 2010, dhe përfshin një numër të madh të ngjarjeve të muzikës klasike pergjatë një muaji, çdo pranverë. Festivali organizohet nga Asociacioni Kosovar Chopin (AKC), i cili është themeluar në vitin 2009 dhe është i anëtarësuar në Federatën Internacionale të Asociacioneve të Chopin- it (IFCS), me seli në Varshavë. Kjo Federatë është pjesë e Këshillit Internacional te Muzikës pranë UNESCO- s, me seli ne Paris.

Me shumë përkushtim, me entuziazëm të lartë e të pashuar, me synim kryesor që kryeqytetit tonë Prishtinës t’i ofrohen vlerat kulmore artistike në lëminë e muzikës klasike nga mbarë bota, pas një rrugëtimi të gjatë, këtë vit kemi arritur ne prag të edicionit të 12 të Festivalit!

Me angazhimin tonë maksimal për të bërë të pamundurën të mundur në rrethanat tona aktuale ne Kosovë, duke e pasur parasyshë mungesën e Sallave Koncertale në vendin tonë si dhe të fondeve të pamjaftueshme, ne megjithatë e kemi arritur qëllimin tonë për të krijuar një festival të nivelit më të lartë!

Jemi shumë të kënaqur që ky synim i yni është jetësuar dhe afirmuar plotësisht, duke qenë dëshmitarë të një njohjeje vendore dhe ndërkombëtare te vlerave dhe cilësisë së jashtëzakonshme të festivalit.

Kemi pasur nderin që në skenen e Chopin PianoFEST-it të performojnë deri tani qindra artistë të mirënjohur ndërkombëtarë nga vendet e ndryshme të Evropës, SHBA-ve, Amerikës Latine, Azisë dhe të tjera. Krahas këtyre artistëve me renome, në të njejtën skenë janë paraqitur dhe promovuar me shumë sukses edhe muzicientët vendas, si ata te afirmuar ashtu edhe të rinjtë e talentuar të moshave të ndryshme!

Gjithë ky program artistik sigurisht që kishte qenë i pamundur të realizohet pa mbështetjen e sponzorëve dhe miqve tonë: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Komuna e Prishtinës, Raiffeisen Bank, SDF, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë!

Është për tu veçuar dhe vlerësuar lartë gatishmëria e pa rezervë e Ambasadave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të tjera të akredituara në Kosovë, të cilat gjatë gjithë këtyre viteve e mbështesin me shumë kënaqesi ardhjen e muzicientëve të tyre të mirënjohur, të ftuar si artistë mysafirë të programeve tona të Chopin PianoFEST – it!

EH: Edicioni i 12-të i Chopin Piano FEST Prishtinë, hapet me 9 maj në Ditën e Evropës, dhe mbyllet më 8 qershor. Mund të na tregoni shkurtimisht risitë kryesore të edicionit të 12-të?

L.P: Për ne organizatorët e Chopin PianoFEST- it është kënaqësi e veçantë që sivjet, kemi rastin ta hapim festivalin në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ky bashkëpunim bëhet me rastin e Ditës së Evropës më 9 maj, me një nga fituesit e Garës së Chopin- it në Varshavë të vitit 2021, (garës pianistike më të njohur në botë), pianistin e mrekullueshëm spanjoll Martin Garcia Garcia!

Edicioni i 12- të e vazhdon kultivimin e profilit të festivalit të ndërtuar ndër vite, i cili e ka në fokusin kryesor Pianon si instrument solistik, kështu që edhe sivjet i kemi katër recitale pianistike solistike. Pas hapjes me pianistin spanjoll e mirëpresim pianistin e famshëm francez, mjeshtrin e Chopin- it, François Dumont. Pastaj kemi pianistin virtuoz Florian Uhlig, emër i njohur i skenës nga Gjermania dhe maestro Stefan Vladar – pianist i përmasave botërore nga Austria!

Në vazhdim të edicionit të sivjetëm kemi një zgjërim të mëtejshëm në aspektin programor në formë të bashkëpunimit te pianos me instrumentet tjera harkore dhe frymore në formacione si  vijon:

  • Duo me çello dhe violineë- Bernardo Brizani nga Sllovenia me përcjelljen e pianistit kosovar Misbah Kaçamaku,
  • Trio – Dy flauta me përcjelljen e pianos,  ku flautistja holandeze Jana Machallet dhe pianistja Pauline Post do të koncertojnë se bashku me flautistën kosovare Enkelejda Zajmi Gorani,
  • Quintetit pianistik nga Italia me maestron, pianistin e mrekullueshëm Epifanio Comis së bashku me Quartetin e njohur italian,

Kemi gjithashtu një risi me mbrëmje koncertale të Improvizimit Jazz, piano me gitarë elektrike,

ku do të muzikojnë së bashku pianisti me kreativitet te lartë Arben Ramadani dhe artisti ynë i mrekullueshëm kitaristi Armend Xhaferi!

Në vazhdim i mirëpresim edhe Duon e artistëve të shkelqyeshëm nga Hungaria pianistin Adam Balogh dhe violinistin Adam Banda.

Pjesë shumë e rëndësishme e festivalit tonë është EDUWEEK, ku do të kemi dy mbrëmje të studentëve në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës si dhe Maratonën pianistike të nxënësve laureatë nga të gjitha shkollat e muzikës në Kosovë. Sivjet per here të parë vijnë edhe nxënësit nga Liceu Artistik nga Tirana!

Në skenën e Chopin PianoFEST- it do të ngjiten edhe solistët e rinjë te talentuar kosovarë cilët janë duke ndërtuar karierë të suksesshme koncertale.

Këtë vit, mbylljen e Festivalit tonë do ta bëjmë me artistët më të shquar nga Çekia, të cilët do t’i interpretojnë të dy koncertet për Piano dhe Orkestër të Frederic Chopin- it, në aranzhmanin për Piano dhe Quartet harkor, me solistin e famshëm pianistin Martin Kasik!

EH:. Mund të na flisni më shumë rreth programit dhe artistëve pjesëmarrës?

L. P: Si gjithmonë, programi i festivalit do te jetë i larmishëm, ku përpos veprave te Chopin- it do të interpretohen edhe perlat e literaturës muzikore klasike. Në program do të jenë prezente edhe veprat e kompozitorëve shqiptarë, komponentë që e konsiderojme si element të rëndësishëm të programeve tona.

Në frymën e kultivimit dhe pasurimit të opusit dhe krijimtarisë sonë muzikore, sivjet vazhdojmë edhe me Garën Kompozicionale mbarëkombëtare për vepër pianistike emërtuar “Për nder të Chopin’it”, të themeluar në vitin 2012, ku konkurrojnë kompozitorët e rinjë.

Gjithashtu edhe sivjet (për herë të pestë) do të ndahet çmimi special për një pianist/e të ri/e të talentuar. Këtë çmim e ndan një mbështetës dhe adhurues i muzikës klasike nga Gjermania Dr. Herbert Groegor, e është inicuar nga pianistja jonë e mirënjohur Ardita Statovci. Fituesi i çmimit performon në një Koncert Recital pianistik dhe shkon në qëndrim njëjavor në Gjermani. Fituesi zgjedhet nga juria profesionale, përmes një gare pianistike.

Masterklaset dhe ligjeratat e artistëve mysafirë që organizohen gjatë festivalit e pasurojnë pakrahasueshëm përvojën e instrumentistëve tonë të rinjë, ju hapin horizontet dhe perspektivat artistike në situatë ku ata ende janë shumë të kufizuar për të dalë lirë e pa viza jashtë shtetit tonë, prandaj e kanë një rëndësi të jashtëzakonshme.

EH: Këtë vit Chopin Piano FEST Prishtina do të jetë organizatë partnere e programit SYNERGY të mbështetur nga Komisioni Evropian përmes programit Creative Europe. Cilat do të jenë aktivitetet kryesore të festivalit në kuadër të këtij programi?

L. P.: Projekti #Sinergji: Ndërtimi i kapaciteteve të industrisë së muzikës klasike në Ballkanin Perëndimor, mbështetur nga programi Creative Europe i Komisionit Evropian, në tre vitet e ardhshme do të mbledhë festivalet më të rëndësishme të muzikës artistike me qëllim të mprehjes së aftësive dhe rritjes së kapacitetit të industrisë së muzikës klasike në këtë pjesë të Evropës. Ditët e Muzikës Malazeze të KotorArt Don Branko si drejtues i projektit, së bashku me Festivalet e Qendrës së Beogradit (BELEF dhe BEMUS), Festivalin Veror të Dubrovnikut, Festivalin e Lubjanës, Vox Baroque nga Shqipëria dhe Kosovo Chopin Association nga Kosova do të krijojnë mundësi të reja për kompozitorët dhe muzikantët për të lansuar punën e tyre përtej kufinjve.

Këtë muaj, gjatë datave 9 – 11 Maj, Chopin PianoFEST- i do të ketë nikoqiri i rradhës i punëtorisë i cili mbahet në kuadër të Projektit Synergy. Deri më tash janë organizuar 3 punëtori në Ljubjanë, Kotor dhe Tiranë secila me tema të ndryshme. Këtë herë tema e Punëtorisë do të jetë “Edukimi Artistik dhe Muzika Klasike”, ku do te diskutohet për përvojat dhe ndikimin e Festivaleve me anë të programit dhe aktivitetit të tyre në edukimin artistik dhe zgjerimin e opcioneve dhe mundësive të reja në këte lëmi.

EH: Për fund?

L. P.: Misioni më i rëndësishëm i një festivali muzikor sikur ky i yni është shpalosja dhe prezentimi i vlerave artistike të mirëfillta, afrimi dhe bashkimi me nivelin e artit ne botë, zgjerimi i horizonteve apo dimensioneve të reja të arritjeve artistike, vetëdijësimi për mjeshtërinë e pafundësine e perfeksionimit profesional artistik dhe gjithsesi, pasurimi i jetës koncertale dhe spektrit kulturor në vendin tonë.

Ndërtimi dhe fisnikërimi i një shoqërie cilësore dhe të kompletuar është vështirë të paramendohet pa këtë komponentë të superstrukturës. Ky aspekt është gjithnjë synim i yni kryesor për të cilin këmbëngulim në vazhdimësi para organizimit të festivaleve. Mirëpo është e kuptueshme se pa ndërtimin e bazës dhe objekteve që e krijojnë mundësinë e interpretimit koncertal, Sallën Koncertale, Sallën e Filharmonisë, Shtëpinë e Operës dhe Baletit… nuk do të mund të avansohemi me hapa të duhur. Kështuqë, mendoj se vetëdijësimi për domosdoshmërine e ndërtimit të tyre është qenësor per të ardhmën e jetës sonë koncertale.

Në këtë mision duhet të jemi të gjithë se bashku!