Korrik 31, 2021 | Saturday
Në intervistën e muajit, kemi biseduar me Driada Matoshin – Udhëheqëse e ngjarjeve të Festivalit të Filmit Evropian në Kosovë 2021, e cila na ka treguar më hollësisht lidhur me mbarëvajtjen e edicionit të tretë të festivalit në Kosovë.
Festivali i Filmit Evropian është njëri ndër festivalet më prestigjioze të filmit në Evropë. A mund të na tregoni më shumë për të?
Festivali i Filmit Evropian (EUFF) financohet nga Bashkimi Evropian, dhe implementohet nga CineEuropa, Institut Français edhe Goethe-Institut. Festivali organizohet nga delegacionet e Bashkimit Evropian në shumë vende të botës, në mënyre të decentralizuar. EUFF ka një traditë prej 30 vitesh, ndërsa për Kosovën ky është viti i tretë që i bashkohet kësaj ngjarjeje të rëndësishme për kinematografinë evropiane dhe botërore, falë përkrahjes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Sa filma janë shfaqur gjithsej dhe si është bërë përzgjedhja e tyre?
Në kategorinë e filmave ndërkombëtarë kemi shfaqur 5 filma. Ndërsa në garën për filmin më të mirë të shkurtër artistik dhe dokumentar, kanë garuar 10 filma nga 21 aplikime gjithsej. Filmat janë shfaqur online dhe në ekran të madh në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë të Veriut, dhe në kinemanë e hapur të parkut kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë. Ndërsa, gjatë ceremonisë së natës finale e cila është mbajtur në Kino ARMATA në Prishtinë, janë shfaqur tre filma pjesëmarrës në garën e filmit të shkurtër, si dhe janë ndarë shpërblimet kryesore të festivalit.
Cila ka qenë veçantia më e madhe e këtij edicioni?
Përpos shfaqjes së filmave shumë të njohur të kinematografisë evropiane, e veçanta e edicionit të tretë të EUFF në Kosovë, pa dyshim që ka qenë organizimi i garës së filmave të shkurtër në nivel vendi. Kjo ka qenë hera e parë që një garë e tillë është organizuar në kuadër të Festivalit të Filmit Evropian në Kosovë, me qëllim të mbështetjes së filmbërësve kosovar. Gara është mirëpritur nga filmbërësit lokal, të cilët kanë aplikuar me shumë vepra interesante.
Sa është e rëndësishme për filmbërësit kosovar pjesëmarrja në një garë dhe në një festival të tillë?
Për filmbërësit çdo paraqitje apo shfaqje e punës së tyre në një festival të tillë, është tejet e rëndësishme. Përpos që i ka mundësuar publikut kosovar të njoftohet me krijimet e tyre, veprat e tyre janë vlerësuar dhe diskutuar nga një juri profesionale. Këto kanë qenë vetëm disa nga pikat kyçe që e kanë bërë tejet të vlefshme pjesëmarrjen e tyre në këtë festival. Gjithashtu, për të inkurajuar krijuesit e rinj filmik, EUFF 2021 në Kosovë ka shpërblyer 3 më të mirët me çmime në vlerë monetare.
Cilët janë fituesit e garës së filmit të shkurtër, dhe si është bërë përzgjedhja e tyre?
Përzgjedhja e filmave fitues është bërë nga juria profesionale e përbërë nga emra eminent të filmit dhe kulturës kosovare, të shpërblyer edhe me çmime ndërkombëtare. Juria e EUFF 2021 në Kosovë është përbërë nga: Lendita Zeqiri – Regjisore, Shpat Deda – Producent dhe Armend Ismajli – Aktor.
Ndërkohë, sa i përket fituesve të garës së filmit të shkurtër, nga gjithsej 21 aplikime, 10 filma të filmbërësve kosovarë pas vlerësimit të jurisë janë futur direkt në garë për tri shpërblimet kryesore të festivalit, të cilat kanë qenë: Filmi më i mirë i shkurtër dokumentar; Filmi më i mirë i shkurtër dhe Aktori apo aktorja më i/e mirë.
“Daniel” nga Loreta Bërbatovci, është shpërblyer për filmin më të mirë të shkurtër. Ndërsa “Unë kurrë nuk kam udhëtuar me Aeroplan” nga Redon Kika, është shpërblyer për filmin më të mirë të shkurtër dokumentar, dhe Eli Gashi për aktrimin në filmin “Një manual për ndarjen” është shpërblyer me çmimin për aktoren më të mirë.
Çka mund të presim në edicionin e radhës të festivalit?
Mezi po e presim edicionin e radhës të EUFF në Kosovë. Një version akoma më i mirë, më gjithëpërfshirës, me më shumë artistë e me më shume çmime, dhe edhe me më shume vepra të bukura nga filmbërës vendorë e ndërkombëtarë. Thjeshtë një festë të madhe të kinematografisë evropiane dhe botërore në Kosovë.