Janar 22, 2025 | Wednesday
Misioni i TOKA-s është i thjeshtë por i thellë: të rinjtë dhe të rejat nga Kosova të fuqizohen për t’u bërë agjentë të ndryshimeve pozitive. Ky mision është i përqendruar rreth faktit të dëshmuar se rinia e Kosovës është plot potencial dhe energji për të krijuar një të nesërme më të mirë dhe është zemra e së ardhmes së vendit. Përmes mësimnxënies së bazuar në përvojë dhe vullnetarizmit afatgjatë, TOKA po thyen barrierat, po rrit shkathtësitë dhe po nxit ndjenjën e qytetarisë aktive tek të rinjtë dhe të rejat, me përqendrim të fuqishëm në ata e ato që vijnë nga komunitetet e pafavorizuara.
Puna e TOKA-s përqendrohet në ofrimin e mundësive për të rinjtë që të rriten — akademikisht, shoqërisht dhe profesionalisht. Nga një vajzë në Viti që zbulon potencialin e saj udhëheqës tek një vullnetar që e transformon komunitetin e vet përmes projekteve kreative, programet e TOKA-s ofrojnë një vazhdimësi zhvillimore që i përgatit të rinjtë dhe të rejat të lulëzojnë në shekullin e 21-të.
Prej themelimit,, në programet e TOKA-s kanë marrë pjesë 30,000 të rinj dhe të reja nga Kosova, të cilët/at fituan vlerësimin e organizatës, si për shembull me Çmimin për Ndryshimtarin/en e Vitit nga lëvizja #PërTëMirën në vitin 2019. Ky moment historik është një dëshmi e fuqisë transformuese të qasjes së integruar të TOKA-s ndaj zhvillimit të të rinjve.
Disa nga programet kyçe të TOKA-s përmes të cilave organizata po përmbush misionin e vet për ndryshim janë Klubet e Vullnetarizmit Aktiv (Mësimnxënia e Shërbimit); Përforcuesit dhe Përshpejtuesit; Trajnimi i Mësimdhënësve dhe Mësimnxënia Eksperienciale.
Në Klubet për Mësimnxënie të Shërbimit, vullnetarë të rinj dhe të rritur punojnë së bashku për të identifikuar sfidat dhe për të dizajnuar zgjidhje që përmirësojnë komunitetet e tyre. Nga pastrimi i shtretërve të lumenjve tek vetëdijësimi për shëndetin mendor. Më shumë se 300 projekte janë zbatuar që nga viti 2018, duke përfshirë drejtpërdrejt mbi 4000 të rinj e të reja. Pjesëmarrësit dhe pjesëmarrëset fitojnë shkathtësi të të menduarit kritik, të punës në grup dhe të avokimit ndërkohë që mësojnë vlerën e angazhimit qytetar.
Nëpërmjet kampeve, programeve të trajnimit dhe mentorimit, në kuadër të shtyllës për Përforcuesit dhe Përshpejtuesit, TOKA ndihmon të rinjtë dhe të rejat të zbulojnë talentet dhe pasionet e tyre. Me tema që shkojnë nga demokracia dhe vetëdijësimi mjedisor tek shkathtësitë digjitale si zhvillimi i ueb-it, më shumë se 2000 të rinj i kanë zgjeruar horizontet e tyre përmes këtyre iniciativave. Kampet verore të TOKA-s, të akredituara nga Korpusi Evropian i Solidaritetit, kanë pritur mbi 1,500 të rinj dhe të reja nga Kosova dhe më gjerë, duke krijuar hapësira për shkëmbim kulturor dhe mësimnxënie të thelluar.
Në partneritet me Fakultetin e Edukimit, në kuadër të programit të Trajnimit të Mësimdhënësve dhe Mësimnxënies Eksperienciale, TOKA i trajnon edukatorët e edukatoret të përdorin metoda eksperienciale që e bëjnë mësimnxënien tërheqëse dhe efektive. Imagjinoni një situatë ku nxënësit e nxënëset mësojnë për thyesat përmes basketbollit ose mësojnë zgjidhjen e problemeve përmes projekteve në botën reale. Këto metoda kanë arritur në më shumë se 90 shkolla, duke sjellë përfitime për rreth 5000 nxënës dhe duke dëshmuar efektshmërinë e edukimit inovativ.
Nxitja e rrjeteve rajonale dhe ndërkombëtare nëpërmjet bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me organizatat, individët, institucionet dhe palët e tjera të interesit, është një pjesë e rëndësishme e punës së organizatës. TOKA e lidh rininë e Kosovës me mundësitë anembanë Evropës përmes rrjeteve si Lëvizja Ditës së Veprimit të Solidaritetit në Evropë (SAME) dhe Rrjeti për Mësimnxënie të Shërbimit i Evropës Qendrore dhe Juglindore. Këto bashkëpunime kanë lehtësuar shkëmbimet ndërkombëtare, duke u lejuar të rinjve dhe të rejave nga Kosova të fitojnë perspektiva të ndryshme dhe të kontribuojnë në diskutimet globale për fuqizimin e të rinjve.
Një arritje monumentale në historinë e organizatës u shënua në vitin 2024, kur TOKA mobilizoi 275 vullnetarë, duke mbledhur 4,332 euro për projektet e udhëhequra nga të rinjtë. E mbështetur nga udhëheqës si presidentja Vjosa Osmani, kjo nismë ilustron se si vullnetarizmi mund të nxisë ndryshime sociale. Me 442 mundësi punësimi të krijuara për pjesëmarrësit dhe pjesëmarrëset dhe angazhimin e gjerë të komunitetit, Dita e Veprimit të Solidaritetit është dëshmi e entuziazmit në rritje për qytetari aktive tek të rinjtë dhe të rejat e Kosovës.
Për më tepër, në maj 2024, TOKA lansoi dhe zbatoi një nismë të re: Çmimet e Vullnetarizmit të Vitit. Kjo nismë synon të vlerësojë, promovojë dhe zgjerojë pjesëmarrjen në vullnetarizëm dhe u mbështet nga 50 palë të interesit nga komunitetet lokale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Presidenten dhe Kryeministrin e Kosovës, ambasadat, komunat dhe shumë organizata ndërkombëtare dhe lokale. U pranuan 100 nominime dhe më 5 dhjetor 2024, duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, u zhvillua ceremonia e ndarjes së Çmimeve të Vullnetarizmit të Vitit, duke nderuar 15 ndryshimtarë e ndryshimtare që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në shoqëri.
Teksa statistikat kapin shtrirjen e organizatës, ndikimi i vërtetë i punës së TOKA-s pasqyrohet në tregimet personale të rritjes dhe transformimit. Prindërit dhe mësimdhënësit e mësimdhënëset raportojnë përmirësime të sjelljes, angazhim më të madh akademik dhe qëndrueshmëri të shtuar ndërmjet pjesëmarrësve e pjesëmarrëseve. Të rinjtë dhe të rejat nga zonat rurale, të cilët/at shpesh përballen me mundësi të kufizuara, gjejnë një platformë për të lulëzuar dhe për të kontribuar në komunitetet e tyre.
Në TOKA besojnë në fuqinë e rinisë për ta rishkruar historinë e Kosovës. Së bashku me partnerët, edukatorët dhe vullnetarët, TOKA është e përkushtuar të sigurojë që çdo person të ketë mjetet, shkathtësitë dhe mundësitë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme. Duke u mbështetur në këtë trashëgimi të fortë, vizioni i organizatës për të ardhmen është të zgjerojë mësimnxënien eksperienciale dhe vullnetarizmin edukativ në më shumë shkolla; të forcohen partneritetet me qeveritë për të avokuar për politika me rininë në qendër dhe të fuqizohet gjenerata e ardhshme e udhëheqësve për t’i trajtuar sfidat dhe për të nxitur ndryshime të qëndrueshme.