Janar 25, 2024 | Thursday

Ndikimi i Pakos për Mbështetje të Energjisë në Kosovë

Duke iu përgjigjur krizës energjetike që goditi Evropën dhe Ballkanin Perëndimor në periudhën 2022/2023, Komisioni Evropian ofroi Pakon për Mbështetje të Energjisë të lansuar në Samitin e Procesit të Berlinit më 3 nëntor 2022. Pakoja kishte për synim të adresonte nevojat e menjëhershme, afatshkurtra dhe afatmesme në Ballkanin Perëndimor. Për të mësuar më shumë për ndikimin e pakos në Kosovë, arritjet e saj më të mëdha dhe ndikimin e saj afatgjatë në rajon, biseduam me Johannes Stenbæk Madsen, Udhëheqës për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili na i tregon të gjitha këto detaje në intervistën e mëposhtme.

Cili ishte qëllimi parësor i Pakos për Mbështetje të Energjisë dhe cili ishte skanimi i situatës në rajon në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti, që nxori në pah nevojën për një intervenim të tillë nga BE-ja?

Në Samitin e Procesit të Berlinit të 3 nëntorit 2022, Komisioni Evropian parashtroi

 një Pako për Mbështetje të Energjisë prej 1 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor. Pakoja synon adresimin e nevojave imediate, afatshkurtra dhe afatmesme në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e krizës energjetike që goditi Evropën dhe Ballkanin Perëndimor gjatë periudhës 2022/23. 

Me këtë mbështetje përmbajtësore, Komisioni Evropian synon t’u ndihmojë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që të fillojnë të zvogëlojnë varësinë e tyre nga derivatet fosile ruse, të përshpejtojnë procesin e dekarbonizimit dhe të përmirësojnë sigurinë energjetike të rajonit.

Në aspektin e masave të menjëhershme, Komisioni Evropian ofroi 500 milionë euro në mbështetje buxhetore për Ballkanin Perëndimor, nga të cilat 75 milionë euro për Kosovën për të ndihmuar në zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimeve të energjisë për familjet e cenueshme, bizneset (ndërmarrjet e vogla dhe të mesme), si dhe për të mbështetur masat e politikave për ta përshpejtuar tranzicionin energjetik.

Pakoja për Mbështetje të Energjisë u dizajnua bazuar në planet specifike të veprimit të partnerëve të Ballkanit Perëndimor, duke përshkruar mënyrën se si qeveritë synonin ta trajtonin krizën energjetike përmes një miksi të reformave dhe masave të politikave, si dhe masave të ndihmës së drejtpërdrejtë për familjet e cenueshme dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. 

Në lidhje me masat afatshkurtra dhe afatmesme, Komisioni Evropian siguroi 500 milionë euro të tjera për rajonin në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) për ta çuar përpara tranzicionin energjetik dhe sigurinë energjetike të rajonit.

Cilat ishin fazat e disbursimit të Pakos për Mbështetje të Energjisë në Kosovë dhe cilat ishin grupet e targetuara të saj?

Sipas Marrëveshjes së Financimit të Pakos për Mbështetje të Energjisë, 90% e shumës totale (67.5 milionë euro) i është disbursuar Qeverisë në mars 2023, ndërsa pjesa e mbetur, 10%, do të disbursohet gjatë vitit 2024. 

Plani i Veprimit i Pakos për Mbështetje të Energjisë parasheh pesë masa kryesore që zbatohen nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Secila masë ka grupin e vet të targetuar me tregues të kuantifikuar të arritjeve. Në veçanti, masat synojnë: 

  • Ofrim të mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare për amvisëritë më të cenueshme dhe më të pafavorizuara sociale për periudhën e dimrit;
  • Nxitje të sjelljes kursyese të energjisë të konsumatorëve familjarë me subvencionim për të ulur faturën mujore të energjisë elektrike;
  • Ofrim të granteve për konsumatorë individualë familjarë duke përfshirë konsumatorët e cenueshëm për të rritur efiçiencën e energjisë të njësive rezidenciale dhe ndërtesave, si dhe për të investuar në pajisje shtëpiake me efiçiencë të energjisë dhe sisteme të energjisë së ripërtërishme;
  • Nxitje të kursimeve të energjisë për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme me grante për pajisje efiçiente për ngrohje dhe pajisje efiçiente të punës;

Cili ishte reagimi i përfituesve të fazave përkatëse të Pakos për Mbështetje të Energjisë?

Deri më tani, sipas Planit të Veprimit të Pakos për Mbështetje të Energjisë, Ministria e Financave ka ofruar subvencione për konsumatorët e cenueshëm për faturat e energjisë elektrike, ushqime dhe dru zjarri, si dhe subvencione për konsumatorët që kanë kursyer energji gjatë periudhës  dhjetor 2022 – mars 2023 krahasuar me të njëjtët muaj të një viti më parë. Kështu, gati 200 mijë amvisëri që kanë kursyer energji elektrike kanë përfituar subvencione në faturat e tyre për atë periudhë. 

Në shtator të vitit 2023 filloi programi për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm përmes subvencioneve për faturat e tyre të energjisë elektrike. Më shumë se 40,000 familje (ose rreth 200,000 persona) kanë aplikuar, ndërsa thirrja për subvencione për dru zjarri për konsumatorë të cenueshëm u lansua në dhjetor të vitit 2023 dhe ende nuk është raportuar numri i aplikantëve.

Ministria e Ekonomisë ka lansuar dhe menaxhuar dy thirrje për subvencione për amvisëritë: për sistemet e ngrohjes solare të ujit (20 aplikantë) dhe për elektroshtëpiake efiçiente (makina larëse, enëlarëse, frigoriferë) rreth 5,000 aplikantë. Për më tepër, rreth 15,000 aplikantë aplikuan për pajisje efiçiente të ngrohjes si pompa termike, kaldaja me biomasë dhe stufa. Thirrja për impiante solare FV do të lansohet në muajt në vijim.

Më 22 nëntor 2023, Ministria e Ekonomisë ka lansuar edhe thirrjen për pajisje ngrohëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Synimi i masës është të mbështesë rreth 1000 biznese për masat për efiçiencë të energjisë.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka miratuar më shumë se 2100 aplikime për masa për termoizolim të shtëpive të ndara; gjithashtu, masa për efiçiencë të energjisë në 28 ndërtesa të banesave sociale me 785 familje, janë pothuajse gati për zbatim në vitin 2024.  

Cili është ndikimi i prekshëm i Pakos për Mbështetje të Energjisë në Kosovë? 

Në planin afatshkurtër, konsumatorët e cenueshëm mund t’i përballojnë faturat e larta të energjisë gjatë dimrit, ndërsa amvisëritë dhe bizneset do të kenë fatura më të ulëta për të paguar për shkak të kursimit të energjisë. Për më tepër, u arrit ndikim i madh duke rritur vetëdijesimin për teknologjitë e reja të ngrohjes, dhe rolin e sistemeve solare FV për furnizimin me energji të shtëpive dhe bizneseve. Duhet theksuar edhe ndikimi në ekonomi nëpërmjet mundësive të biznesit për sektorin privat dhe përmirësimit të zinxhirëve të furnizimit për pajisje të ndryshme.

Si e parashikoni ndikimin afatgjatë të Pakos për Mbështetje të Energjisë në Kosovë?

Në terma afatgjatë, ndikimi do të jetë për zhvillimin e politikave në përputhje me kërkesat e Komunitetit të Energjisë, siç është përafrimi i Planit dhe legjislacionit Kombëtar për Energji dhe Klimë me Pakon e BE-së për Energji të Pastër për të Gjithë, në mënyrë që korniza ligjore dhe rregullatore e krijuar të tërheqë investime në sektor dhe të përforcohet procesi i dekarbonizimit të ekonomisë. 

Sa përfitues ka pasur në fazat e pakos së zbatuar deri më tani? 

Më shumë se 250,000 amvisëri kanë përfituar deri më tani nga masat e ndryshme të parashikuara në Planin e Veprimit të Pakos për Mbështetje të Energjisë.

Cilat ishin prioritetet e thirrjes për sa i përket mbështetjes? A ishte prioritet mbështetja e përfituesve për të blerë pajisje specifike me efiçiencë të energjisë, apo më mirë mbështetja për ta adoptuar efiçiencën e energjisë në politikat e subjekteve përfituese?

Ofrohet mbështetje për blerjen e pajisjeve me qëllim që të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e konsumit të energjisë dhe faturave të energjisë. 

Sa është kohëzgjatja e pakos dhe sa grupe të tjera do të targetojë? A pritet një zgjatje e periudhës së zbatimit?

Zbatimi i masave të parapara në Planin e Veprimit të Pakos për Mbështetje të Energjisë është planifikuar të përfundojë në fund të vitit 2024 ose në fillim të vitit 2025. Deri më tani nuk është planifikuar asnjë zgjatje e mëtejshme. 

Duke parë që pakoja po zbatohet në mbarë rajonin, si do të ndikojnë rezultatet e pakos në secilin vend në rajon në përgjithësi? 

Pakoja për Mbështetje të Energjisë do të ndikojë në uljen e varësisë nga derivatet fosile, duke përmirësuar kështu sigurinë e furnizimit me energji dhe duke ndihmuar në uljen e emetimeve të gazrave serrë si rezultat i investimeve për efiçiencë të energjisë. Në aspektin afatgjatë, rajoni do të ketë politika të zhvilluara për një tranzicion të drejtë energjetik drejt ekonomive neutrale ndaj karbonit.

*Në këtë link mund të gjeni materiale promocionale të prodhuara në kuadër të Fushatës #ForGoodEnergy (Për energji të mirë).