Tetor 15, 2024 | Tuesday

Angazhimi për ambient të mirë në Kosovë

Përgjatë viteve, BE-ja ka kontribuar dukshëm në sektorin e energjisë në Kosovë, me qëllim të promovimit të përdorimit të qëndrueshëm të energjisë dhe burimeve të ripërtërishme të energjisë. Fushata #PërAmbienttëMirë është vazhdim i këtyre përpjekjeve, duke punuar në shumë nivele, duke përfshirë mbështetjen e drejtpërdrejtë për familjet dhe punën me fëmijët dhe të rinjtë, për të promovuar një zhvendosje kulturore dhe të sjelljes drejt mbrojtjes së mjedisit.

Në përputhje me këtë, janë organizuar disa aktivitete, duke bërë bashkë shkrimtarë, fëmijë, organizata të shoqërisë civile dhe komunitete anembanë Kosovës për të ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndërgjegjshme për mjedisin dhe energjinë.

Më 16 gusht, në kuadër të edicionit të katërmbëdhjetë të Green Festival Mitrovica të mbështetur nga BE-ja, i cili përdor kulturën dhe artin si mjet për edukimin dhe frymëzimin e individëve dhe komuniteteve për të ndërmarrë veprime për ndryshimet klimatike dhe për të punuar drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme, ne organizuam një lexim të serisë së librave Mbrojtësit e Planetit të botuar në fillim të këtij viti dhe dhuruam rreth 50 vëllime të serisë. 

Ndërsa në shtator, duke shënuar fillimin e vitit shkollor për fëmijët dhe festimin e Ditës Botërore të Pastrimit (20 shtator), kemi bërë punë të pareshtur për të siguruar që energjia e mirë të mbërrijë në mbarë Kosovën.

Përgjatë shtatorit zbatuam serinë e punëtorive “Kampionët e Kompostimit” të organizuar në bashkëpunim me partnerët lokalë në Prishtinë dhe Mitrovicën e Veriut, me të cilët ndajmë të njëjtat vlera kur bëhet fjalë për qëndrueshmërinë dhe mjedisin. Punëtoria “Kampionët e Kompostimit” në Prishtinë u organizua në bashkëpunim me Fondacioni Jeshil dhe u zhvillua në Qendrën e Kompostimit në Prishtinë. Punëtoria u ofroi 30 të rinjve të moshës 12-16 vjeç një përvojë praktike për të mësuar si kompostohen mbeturinat organike, përmes prezantimeve dhe aktiviteteve të bëra vetë. Pjesëmarrësit përfituan të kuptuar më të gjerë të ndarjes së mbeturinave dhe menaxhimit të mbeturinave organike nëpërmjet kompostimit. Veç kësaj, fushata vazhdoi duke ndihmuar në ngritjen dhe rritjen e njohurive të komunitetit rreth menaxhimit të mbeturinave organike dhe çështjeve mjedisore. 

“Kampionët e Kompostimit” u zhvendosën në Mitrovicën e Veriut, ku u bashkuam me PKC Akvarijus, duke bërë bashkë më shumë se 20 fëmijë të moshës 8-12 vjeç nga Mitrovica e Veriut për të mësuar rreth kompostimit, riciklimit dhe jetesës së qëndrueshme përmes aktiviteteve interaktive dhe praktike. Pjesëmarrësit u lidhën me natyrën teksa zbuluan si ndihmon kompostimi në reduktimin e mbeturinave, si e mbështet biodiversitetin dhe promovon një mënyrë jetese pa mbeturina. Punëtoria kishte për qëllim të jepte mësime dhe t’i frymëzonte fëmijët të përvetësonin zakone miqësore me mjedisin dhe të bëheshin mbështetës mjedisorë duke i pajisur ata me njohuri praktike për kompostimin dhe reduktimin e mbeturinave, si dhe duke i fuqizuar që të fillojnë udhëtimin e tyre të kompostimit dhe të kontribuojnë për një të ardhme më të gjelbër. 

Më 20 shtator iu bashkuam Let’s Do it Kosovo, për të festuar Ditën Botërore të Pastrimit, ku së bashku me përfaqësues nga shtetet e tjera anëtare, ambasadori i BE-së në Kosovë, z. Aivo Orav, mori pjesë në pastrimin e disa prej rrugëve kryesore të Prishtinës. 

Zyra e BE-së në Kosovë mbetet e përkushtuar për të punuar nga afër me partnerët në Kosovë për të ndërtuar një të ardhme më të gjelbër për Kosovën. Shihemi në aktivitetet e ardhshme në kuadër të aktiviteteve të fushatës sonë Për Mjedis të Mirë dhe bashkohuni me ne në këtë mision të vlefshëm.