Nëntor 14, 2013 | Thursday

Sfidat mjedisore – koha për veprim! – Luan Shllaku

Janë të shumta sfidat mjedisore në Kosovë. Ka më shumë se një adresë ku mund t’i drejtosh shqetësimet për cilësinë e mjedisit ku jetojmë. Dhe po, jemi të shqetësuar për shkak se nuk e kemi ndertuar një administratë efikase për të avansuar cilësine e ajrit që thithim, ujit që pijmë dhe tokës që na ushqen.

Aq më tepër, nuk jemi duke parë se qeveritë apo cilido institucion tjetër relevant e ka shpallur mjedisin prioritet të veprimit të ardhshëm, dhe nuk vërehet të ketë shqetësim për parametrat mjedisor që janë në përkeqësim të vazhdueshëm. Janë alarmante të dhënat që na sjellin studimet e institucioneve prestigjoze nderkombetare, te cilat thone se çmimi i mjedisit të përkeqësuar është 300 milion euro në vjet. Qytetarët janë duke e paguar këtë çmim jo vetëm me taksat e tyre, por edhe me shëndet të përkeqësuar, bujqësia me rendimente të ulëta, ekonomia dhe asetet e shumta shoqërore me shkatërrim gradual.

Si t’ia bëjmë? Do të ishte mirë që sa më parë që është e mundur të hartojmë një Plan Kombëtar për Mbrojtjen e Mjedisit, dhe këtë plan ta vendosim lartë në listën e prioriteteve zhvillimore të vendit. Këtij plani t’i bashkangjiten të gjitha shtresat shoqërore: komunat, bizneset, shoqëria civile, Akademitë dhe Universitetet, mediat, sindikatat e të tjerë. Secili le ta hartojë një plan vetanak veprimi. Le t’i shpallim 4-5 vitet e ardhshme vite të ndërtimit të një mjedisi të shëndoshë. Le të jetë ky një plan, një target dhe dhe një preokupim kombëtar, dhe le të tentojmë që secilin qytetar ta bëjmë të ndjehet se ky është edhe plan i tij. Dhe ky plan kombëtar duhet të jetë dokument i përbashkët i të gjitha ministrive sidomos atyre që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e mjedisit. Mjedisi në Kosovë nuk mbrohet vetëm nga ministria përkatëse, por nga të gjitha ministritë, të cilat duhet në planet e tyre zhvillimore ta kenë komponentën mjedisore të shprehur fortë.

Nëse administrata e fillon mbarë këtë (fushate) kampanjë dhe di ta promovojë, jam i bindur se të gjithë do të bëhen pjesë e saj. A nuk treguam deri tash se, sa herë që kemi pasë situata kritike, kemi ditur të mobilizohemi dhe ta përmbysim situatën për të mirë. A nuk e kemi sot një situatë kritike me mjedisin? Duhet vetëm pak ta shtyejmë ortekun, e pastaj gjithçka bëhet ashtu si duhet. Më mirë që ne ta shtyejmë atë andej kah duam, se ai të përplaset mbi ne!