Korrik 30, 2018 | Monday
( Dy tregime suksesi nga përfituesit e Erasmus+ )
Kosova është partner i programit Erasmus+ që nga viti 2015-të me anë të Zyres së Erasmus+ në Prishtinë dhe departamentit të veçantë në Mitrovicë të Veriut.
“Përvoja me Erasmus është përvojë që ta ndryshon jetën. Në rastin tim, një përvojë e tillë më ndihmoi të përgatitem për karrierën time ndërkombëtare. Duke udhëtuar nëpër disa shtete, duke njohur kultura e zakone të reja e njëjtë edhe duke mësuar gjuhë të reja më ndihmoi të ndryshoja mendime specifike dhe të ri-edukoja veten në një formë. Tash, Lisbona e Portugalisë është shndërruar në shtëpinë time të dytë. Me anë të Erasmus, ndihem më i plotësuar dhe më i movituar. Kam bërë shokë që do të jenë aty për mua gjithmonë. Kur kthehesh në vendin tënd, më nuk je ai i vjetri, disa mendime ndryshojnë, kjo do të thotë të jesh pjesë e programit Erasmus: ti përparon në çdo nivel” tregon me plot pasion Gentian Retkoceri. Ai morri pjesë në programin Erasmus si një prej studentëve në programin e shkëmbimit. Ai e la Prishtinën për gjashtë muaj, për të shkuar drejt Portugalisë në “Nova ims – Universidade nova de Lisboa”, për studime bachelor në fushën e Menaxhimit të Sistemeve Informative. Sikur ai, plot studentë nga Kosova kanë përfituar nga programet e ndryshme të Erasmus. Gentiani megjithatë është një prej shembujve se si edhe karakteri njerëzor ndryshon dhe forcohet me anë të një sistemi të mirë edukimi dhe mësimi.
“Kur u ktheva në Kosovë, nisa të kërkoj mundësi pune. Më pas u pranova në një kompani telekomunikimi si Analist i Intelegjencës së Biznesit, dhe këtu ata i pranuan edhe diplomat e mia gjatë programit Erasmus. Sot jam pjesë e një prej kompanive më të mëdha të kësaj fushe në Kosovë dhe jam krenar që kam mundësi të punoj. Kompania më ka dhënë hapësirën ku mund ta shprehë kreativitetin tim, idetë e mia inovative. Kur fillon punën e kupton sa shumë Erasmus ka ndikuar në jetën tënde, pasi i hapë shumë dyer për ju, dhe të ndihmon të jesh në kontakt me njerëz të ndryshëm nga mbarë Evropa” tregon Gentiani.
Ai ndihet më skeptik ndaj arsimit në Kosovë.
“Kosova duhet të bëjë më shumë në fushën e arsimit, sidomos në mënyrën e mësimit dhe në planprogramin mësimor, të cilat ende mbesin sisteme të vjetra. Nga 1-10, do ti jap një notë 5 arsimit momental në Kosovë. Si një përmirësim, do të doja të ndërrohej mënyra e mësimit, ndërsa arsimtarët e profesorët duhet të na japing më shumë hapësirë për të dhënë mendimet tona, duhet të punojnë më shumë në përgatitjen e kuadrove të reja për një karrierë të denjë, dhe duhet të na informojnë mbi më të rejat por në forma kreative dhe atraktive për studentin”.
Kosova është partner i programit Erasmus+ që nga viti 2015-të me anë të Zyres së Erasmus+ në Prishtinë dhe departamentit të veçantë në Mitrovicë të Veriut. Kosova mund të përfitojë nga katër programe në kuadër të Erasmus: bursa për Erasmus Mundus në nivelin master, aktivitetet e Jean Monnet për të promovuar ekselencën në mësim, hulumtimet në fushën e studimeve EU në mbarë botën dhe Lëvizja dhe shkëmbimet e stafit akademik dhe studentëve.
Dunja Veljkovic është një tjetër tregim suksesi në kuadër të Erasmus. Studente e vitit të tretë në Fakultetin e Arteve në Mitrovicën e Veriut, ajo ka përfunduar një semestër dimëror (shtator 2017-shkurt 2018) në Erasmus+ në Akademinë e Arteve te Bukura dhe Dizajnit në Bratisllavë të Sllovakisë. Ajo është kthyer në Kosovë dhe ka qenë e lumtur ta ndajë eksperiencën e saj me datë 23 maj të këtij viti, në kuadër të Erasmus+ Info Days në Mitrovicën e Veriut.
“Kujtimet më të mira nga përvoja ime në Erasmus+ lidhen me njerëzit të cilët i kam takuar, gjërat e reja që i mësova në fushën e profesionit tim dhe padyshim udhëtimet që i kam realizuar gjatë kohës sa e vijova Erasmus. Edhe vetë zhvillimi im personal dhe profesional u ndikuan nga jetesa në një shtet tjetër në Evropë. Isha shumë e pasigurtë kur e lashë Kosovën, duke menduar se nuk isha e gatshme për një hap të tillë. E kuptova më pas se duke mos u mbështetur në askë, mund t`ia dilja edhe vetë” tregon Dunja.
Dunja e zgjodhi Sllovakinë për të vijuar shkëmbimin e Erasmus+ për shkak se ky shtet njihet për zhvillimin e tij në krijim të grafikës.
“Puna në Sllovaki bazohet në koncept, diçka që në Kosovë nuk implementohet. Në Akademinë e Arteve të Bukura dhe Dizajnit në Bratisllavë fokusi është në atë që duhet të përfundohet, me një koncept kreativ. Këtu qëndrojnë edhe ndryshimet më të mëdha në krahasim me sistemin e edukimit në Kosovë, ku gjithçka fokusohet në punën që duhet ta dorëzosh” tregon Dunja.
Kolegët e saj në Sllovaki, miqësitë e saj të reja e panë të jashtëzakonshëm faktin se ajo po mbështetet nga Bashkimi Evropian për një përvojë të tillë, duke e bërë atë pjesë të familjes së Erasmus+. “Mbaj momente shumë të mira nga koha ime në Bratisllavë. Në fillim të gjithë ishim jo shumë të relaksuar, por u mësuam. Fakti që nuk dinim asgjë për njëri-tjetrin e bëri shoqërinë edhe më të mirë. Çdo natë po bisedonim për kulturat e njëri tjetrit, për traditat, zakonet, duke krahasuar e duke ardhur në përfundime. Në fund të programit shumë prej shokëve e shoqeve atje kanë bërë plane ta vizitojnë Ballkanin”.