Shtator 13, 2021 | Monday
Shtëpia e Evropës në Prishtinë ka hapur dyert për ekspozitën e radhës, të titulluar “Përvoja vizuale bashkëkohore”, të piktorit dhe stilistit grafik Nevruz Musa.
Nga 13 shtatori e deri me 13 tetor 2021, artdashësit do të kenë mundësinë të njoftohen nga afër me krijimtarinë artistike të piktorit Musa, duke vizituar Shtëpinë e Evropës në Prishtinë apo online duke klikuar në këtë link.
I lindur në Gjakovë në vitin 1942, Nevruzi ka pikturuar që në fëmijërinë e tij të hershme. Të 19 pikturat e ekspozuara, pasqyrojnë talentin dhe krijimtarinë e tij përmes stilit abstrakt dhe shumëngjyrësh, si dhe pikturave që shfaqin peizazhe dhe qytete të ndryshme të Kosovës dhe rajonit.
Veprat artistike të piktorit Musa, përpos që mund t’i vizitoni online, mund t’i vizitoni edhe fizikisht duke vizituar Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, çdo ditë pune nga ora 9:00 – 18:00, duke ju përmbajtur masave parandaluese të Covid-19.