Shtator 7, 2022 | Wednesday
E gjitha filloi në mënyrë të rastësishme, si përpjekje për ikje nga zhurma dhe tollovia e qytetit, dhe në kërkim të qetësisë e bukurisë së fshatit. Kështu fillon rrëfimin për mënyrën se si lindi “Etno Fest-i” profesori i dramaturgjisë dhe themeluesi i festivalit z. Fadil Hysaj.
“Më duhej të ikja nga Prishtina, në një vend të qetë ku mund të vazhdoja punën me shkrime. U vendosa në fshatin Kukaj, dhe kërkova disa gurë nga pronari i tokës që të mveshja një shtëpi, ndërkohë ai më rekomandoi të rrënoja ahurin dhe ata gurë t’i përdori për shtëpi. Nga këtu lindi edhe ideja për festivalin, pasi që një vit më vonë ahurin e rrënuar e transformuam në Etno Teatrin e parë, ku kemi luajtur shfaqje për trashëgiminë gojore, materiale, shpirtërore dhe të tjera, të cilat i kemi konsideruar në rrezik të zhduken” – tregon profesori Hysaj.
Tendenca që në emër të modernitetit të shkatërrohet gjithçka që është e vjetër ka qenë shqetësuese për profesor Hysajn dhe një motiv shtesë që të themelojë “Etno Fest-in”.
“Qëllimi i festivalit mbetet krijimi i një lidhje ndërmjet tradicionales dhe modernes dhe ngritjes së vetëdijes tek populli për vlerat e mëdha që posedojnë kulturat e lashta tradicionale, qofshin ato shpirtërore, materiale apo të tjera. Për këtë arsye nga eksponatet materiale që kemi gjetur kemi krijuar Etno Festin, një hapësirë unike artistike në Ballkan, e cila ofron pesë skena të hapura, hapësirë për gastronomi dhe galeri të shumta, në të cilat mund të performojnë deri në 30 artistë” – thotë Hysaj.
Gjatë gjurmimeve dhe punimeve në organizimin e festivalit, prof. Hysaj rrëfen se nga artifaktet dhe eksponatet e gjetura kanë gjetur ngjajshmëri të mëdha ndërmjet kulturave të të gjitha nacionaliteteve në Kosovë, dhe shton se qëllimi nuk ka qenë asnjëherë që të identifikojnë prejardhjen e tyre nacionale.
“Të kaluarën e shohim si vlerë evropiane, si trashëgimi të përbashkët të të gjithë popujve në Ballkan dhe jo të politikës. Trashëgimia kulturore na dëshmon se kemi ngjashmëri shumë të madhe me të gjitha nacionalitetet ballkanike dhe është thuajse e pamundur të dallohet se çka është shqiptare, serbe, turke apo boshnjake. Ka shumë simbole të trashëgimisë shpirtërore dhe materiale që mund të krijojnë afërsi ndërmjet popujve në Kosovë e Ballkan, dhe atë ndasi që e ka krijuar politika kjo kulturë mund ta fshijë” – thotë Hysaj.
Aktivitetet e edicionit të 12-të i “Etno Fest-it” i cili ka nisur me datën 3 shtator në fshatin Kukaj, janë të kuruara me temën e dashurisë, dhe përmes aktiviteteve artistike e kulturore synojnë të dërgojnë mesazh për të qenë sa më solidarë, të bashkuar, dhe të jetojmë në harmoni me njëri tjetrin. Si pjesë e përkrahjes së vazhdueshme për aktivitetet kulturore në Kosovë, Bashkimi Evropian dhe Shtëpia e Evropës në Kosovoë po mbështesin edicionin e 12-të të Etno Fest-it.