Mars 25, 2014 | Tuesday

BE promovon të menduarit shkencor në shoqëri

“Ne jetojmë në një shoqëri jashtëzakonisht të varur në shkencë dhe teknologji, në të cilën vështirë që mund të gjesh dikë që di diçka për shkencë dhe teknologji,” theksoi astro-fizikanti dhe shkencëtari i famshëm Carl Sagan. Ky citat pasqyron në mënyrë ironike realitetin modern, ndërsa njerëzit përdorin produktet shkencore dhe teknologjike, edhe pse shumë pak dijnë për të arriturat shkencore dhe ndikimin e tyre në jetën  tonë të përditshme. Nxënësit dhe të rriturit ende kanë mungesë njohurie të mirë për shkencën dhe teknologjinë jashtë kornizës standarde të informacioneve të fituara përmes planprogrameve dhe mjeteve tjera të informimit.

Studimet e fundit të bëra në shtete evropiane tregojnë se arsimi shkencor në shkolla nuk ofron stimulime për shkencëtarët e rinj. Një prej sfidave me të cilat ballafaqohet BE sot është të mendohet sërish për arsimin shkencor dhe të rikonsiderohet mënyra se si të përshtatet bota moderne ashtu që të plotësojë nevojat e të gjithë studentëve, veçanërisht të atyre që kanë prirje për studime shkencore.

Komisioni Evropian ka bërë së fundi një sondazh me qytetarët e BE-së, ku 77 përqind e tyre janë pajtuar se shoqëria përfiton shumë nga shkenca dhe teknologjia. Megjithatë, shumica e të anketuarve nëpër BE kanë thënë që ata kanë mungesë informatash për zhvillimet në këtë fushë. Rezultatet e sondazhit kanë treguar se evropianët e mbështesin rolin e shkencës dhe teknologjisë në shoqëri, derisa presin llogaridhënie dhe kujdes nga shkencëtarët dhe politikanët në këto fusha.

Komisionerja për Hulumtim, Inovacion dhe Shkencë, Máire Geoghegan-Quinn ka theksuar së fundi urgjencën e madhe për hapjen e një dialogu për shkencën me qytetarë. Në përpjekjet e tij, Komisioni Evropian ka thënë se është duke lansuar një fokus grup pan-evropian me qytetarët dhe palët e interesit në kuadër të Shkencës në Programin për Shoqëri.

Në programin e ri Horizonti 2020, BE ka ambicie edhe më të mëdha për periudhën 2014-2020. Horizonti 2020 është programi më i madh i BE-së për Hulumtim dhe Inovacion deri më sot me afërsisht 80 bilion euro fonde në dispozicion për 7 vjet – përveç investimit privat i cili do të tërheqet nga këto para. Ai premton  edhe më shumë zbulime të reja dhe vende të para në botë duke marrë ide të mëdha që nga laboratori e deri te tregu.

Programi i Kornizës së Shtatë të BE-së për Hulumtim (FP7) është poashtu duke e bërë Evropën një destinacion për hulumtuesit e klasës botërore. Këshilli Evropian për Hulumtim do të investojë mbi 1.7 miliardë euro në hulumtuesit më të mire si dhe 963 milionë euro për të mbështetur lëvizjen përmes granteve “Marie Curie Actions” (http://ec.europa.eu/research/fp7/index_en.cfm).