Dhjetor 21, 2014 | Sunday
Janë bërë 60 vjet që prej shpalljes së Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila qartazi konstaton se “të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta, përderisa secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë dallimi të çfarëdo lloji, siç është … gjinia”.
Pos Kombeve të Bashkuara dhe mbrojtësve tjerë të të drejtave të njeriut, BE-ja ka artikuluar qartazi një vullnet politik për të trajtuar çështjen e të drejtave të grave si një prioritet me anë të një veprimi afatgjatë në këtë fushë, krahas miratimit të direktivave për dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Përgjatë viteve të ekzistencës së saj, BE-ja ka demonstruar një përkushtim të fuqishëm për të integruar të gjitha perspektivat gjinore në tërë legjislacionin, politikat publike, programet dhe projektet. Ajo ua ka dërguar një porosi të qartë të gjitha qeverive që të ndihmojnë bashkërendimin e akterëve të ndryshëm, përfshirë edhe shoqërinë civile, për të siguruar zbatim efektiv të ligjeve dhe politikave, të cilat adresojnë dhunën ndaj grave dhe vajzave.
25 nëntori shënoi Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila nisi 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës gjinore (25 nëntor – 10 dhjetor). Këtë vit, Kombet e Bashkuara u udhëhoqën nga fushata UNiTE, e cila u mbajt me temën “Bëjeni lagjen tuaj portokalli –Jepini fund dhunës ndaj grave dhe vajzave tani”. Fushata është përqëndruar veçanërisht në veprime lokale për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave, përderisa ka përdorë ngjyrën portokalli si gjuhë bashkuese të të gjitha përpjekjeve mbrojtëse nën sloganin bashkues “Bëjeni botën portokalli në 16 Ditë”.
Fushata e BE-së kryesisht është përçuar nëpërmjet mediave sociale përderisa ajo është sinkronizuar mirë me fushatën e OKB-së. Fushata në mediat sociale nxiti debat për çështjet si: dhuna ndaj grave dhe vajzave, arsimimi dhe trajnimi i grave, gratë dhe varfëria, gratë dhe konflikti i armatosur, gratë dhe shëndeti, gratë dhe ekonomia, gratë në pushtet dhe vendimmarrja, mekanizmat për avancimin e grave, gratë dhe mediat, gratë dhe mjedisi, si dhe fëmija vajzë.
Studime të ndryshime kanë dëshmuar se grupet e varfëra dhe të margjinalizuara të grave dhe vajzave u nënshtrohen rreziqeve më të mëdha të dhunës. Arsimi luan një rol të rëndësishëm në kundërshtimin e hapur të stereotipeve të dëmshme gjinore, të cilat para së gjithash promovojnë apo nuk përfillin dhunën ndaj grave dhe vajzave, si dhe nxisin diskriminimin ndaj tyre. Na duhen sisteme arsimimi të cilat i thyejnë këto stereotipe, e jo që i imponojnë ata.