Janar 31, 2014 | Friday
Shëndeti i qytetarëve është dhe do të jetë një prioritet thelbësor i BE-së. Politika shëndetësore e BE-së plotëson politikat kombëtare për të siguruar që secili që jeton në BE ka qasje në kujdes shëndetësor cilësor. Disa nga objektivat themelore të politikës shëndetësore të BE-së kanë të bëjnë me parandalimin e sëmundjeve, promovimin e mënyrës më të shëndetshme të jetesës, promovimin e mirëqenies, mbrojtjen e qytetarëve nga kërcënimet shëndetësore ndër-kufitare, përmirësimin e qasjes në kujdesin shëndetësor, promovimin e informatave dhe edukimit për shëndet, përmirësimin e sigurisë së pacientit, mbështetjen e sistemeve shëndetësore dinamike dhe teknologjive të reja si dhe sigurimin e cilësisë së lartë, sigurisë dhe efikasitetit të produkteve mjekësore dhe pajisjeve për përdorim mjekësor etj.
Roli qenësor i shëndetit dhe kujdesit shëndetësor është paraparë edhe si pjesë e kornizës së politikave Evropa 2020. Kjo kornizë mundëson ndërlidhjen midis politikave evropiane për shëndetësi dhe reformave të sistemit shëndetësor në kontekstin evropian. Investimi në shëndetësi ndihmon BE-në që të përballet me sfidat e identifikuara në Strategjinë e saj për Shëndetësi pas valës së parë të krizës ekonomike: një popullsi e vjetër, një rritje e numrit të sëmundjeve kronike, një kërkesë më e madhe për kujdes shëndetësor dhe kosto më e lartë e progresit teknologjik.
Shtrirja e veprimit të BE-së në politikat shëndetësore është e definuar qartë në Nenin 168 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian. Ky Traktat po ashtu e bën të qartë se BE-ja do të respektojë plotësisht përgjegjësinë e secilit shtet anëtar për të përcaktuar politikat e tyre në shëndetësi, për të organizuar dhe ofruar shërbime dhe kujdes mjekësor, duke përfshirë çdo burim që u caktohet atyre.
Ekzistojnë tregues që dëshmojnë se nivelet mesatare të shëndetësisë janë përmirësuar nëpër BE për shumë vjet. Mirëpo, kjo fsheh pabarazitë e mëdha. Personat më të varfër dhe ata të pafavorizuar vdesin më herët dhe vuajnë më shumë nga aftësitë e kufizuara dhe sëmundjet. Prandaj, BE-ja ka zhvilluar më tej investimet e saj për shëndetësi duke i ka drejtuar ato veçanërisht në seksionet vijuese:
Përfundimisht, programi shëndetësor i BE-së dhe programi i kornizës hulumtuese mbështet një numër projektesh për zvogëlimin dhe parandalimin e shëndoshjes së tepërt. Vlerësohet se diku rreth 200 milionë të rritur në BE janë mbi peshë ose me shëndoshje të tepërt— më shumë se gjysma e popullsisë madhore. Një në katër fëmijë është po ashtu me mbi peshë ose tejet i shëndoshë. Shëndoshja e tepërt shpie në probleme serioze fizike dhe mendore, përfshirë këtu sëmundjen e zemrës, diabetin, kancerin dhe çrrregullimin psikologjik. Përpjekjet e tjera përfshijnë prezantimin e rregullave të gjera të BE-së për etiketimin e ushqimit, që nënkupton se konsumatorët në të gjitha vendet e BE-së mund të mbështeten në etiketa të ushqimit, të cilat ofrojnë informacione të sakta për vlerat shëndetësore dhe ushqyese.
Rritja e qasjes në informata është një pjesë vitale e përpjekjeve të BE-së për të promovuar shëndetin e mirë dhe për të ndaluar pabarazinë në shëndetësi. Uebfaqja e “Shëndetit publik” e Komisionit Evropian thekson punën e Komisionit Evropian në fushën e shëndetit publik dhe ofron materiale informative, dokumente ligjore, video, informata për ngjarje, statistika dhe lajme për shëndetin në Evropë.