Qershor 28, 2015 | Sunday

Bashkimi Evropian nis përpjekjet diplomatike për ndryshimet klimatike para bisedimeve në Paris

Ndryshimet klimatike janë një prej sfidave më të mëdha të shekullit XXI, duke paraqitur rreziqe të mëdha për planetin tonë, për prosperitetin si dhe për sigurinë ndërkombëtare. Pasojat përfshijnë ngritjen e niveleve të deteve, periudhat e gjata dhe të shpeshta të vapës së madhe, më shumë ditë me rreziqe të zjarreve ekstreme, mungesë më të madhe të ujit, krizë për ushqime, katastrofa natyrore dhe zhvendosje të njerëzve. Ndikimet e ndryshimeve klimatike veç po ndjehen nëpër botë, duke prekur jetët e njerëzve, mjedisin dhe ekonominë tonë. Pa një veprim të vazhdueshëm për klimën, këto ndikime do të kenë pasoja të mëdha në mënyrën tonë të jetesës dhe të gjeneratave të ardhshme.

Dita Evropiane e Diplomacisë Klimatike është shënuar më 17 qershor 2015, me ngjarje që janë shënuar në të njëjtën kohë nëpër gjithë Bashkimin Evropian, me qëllim të rritjes së vetëdijësimit për çështjet e ndryshimeve klimatike dhe për të inkurajuar debatin, nga pikëpamja e sigurimit të një marrëveshjeje ndërkombëtare të drejtë, ambicioze dhe të detyrueshme ligjërisht sipas Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCC) në Konferencën e Palëve në Paris 2015 (COP21). Vetë Bashkimi Evropian është zotuar se do të zvogëlojë emetimet e gazrave të tij serë për së paku 40% deri në vitin 2030, në krahasim me vitin 1990 dhe ai qëndron prapa këtyre përgjegjësive duke ofruar edhe mbështetje për vendet partnere nëpër botë.

“Ndryshimet klimatike nuk i përkasin të ardhmes së largët. Ato janë kudo rreth nesh. Na prekin drejtpërdrejt”, tha Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendës Presidentja, Federica Mogherini, në mesazhin e saj me këtë rast. “BE-ja e ndjen këtë urgjencë tani. Ne po e adresojmë këtë urgjencë në mbarë botën duke u ndihmuar komuniteteve më të cenueshme për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike”, shtoi Mogherini.

Në vitin 2015, Franca do të jetë nikoqire dhe do të kryesojë sesionin e 21-të të Konferencës së Palëve për Konventën Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP21/CMP11), të njohur ndryshe si “Parisi 2015” nga 30 nëntori deri më 11 dhjetor. COP21 do të jetë një konferencë qenësore, meqë ajo synon të arrijë një marrëveshje të re ndërkombëtare për klimën, e cila do të jetë e zbatueshme në të gjitha vendet, me qëllim të mbajtjes së ngrohjes globale nën 2°C. Prandaj, Franca do të luajë rolin ndërkombëtar udhëheqës në sigurimin e pajtimit të pikëpamjeve dhe lehtësimin e kërkimit të konsensusit nga ana e Kombeve të Bashkuara, si dhe në Bashkimin Evropian, i cili ka një rol të madh në negociatat për klimën.

Laurent Fabius, Ministër i Punëve të Jashtme dhe i Zhvillimit Ndërkombëtar në Qeverinë e Francës, në mesazhin e tij hyrës për Konferencën COP 21 në Paris, tha se qëllimi i Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike ishte i thjeshtë: arritja e një marrëveshjeje globale për të siguruar që planeti ynë mbetet një mjedis i shëndoshë për ne që të jetojmë. “Ne e dimë se po kërcënohemi nga përçarja e tmerrshme e klimës, me një ndikim që do të na prekë të gjithëve nëse nuk veprojmë menjëherë. Prandaj, ne kemi përgjegjësi historike, meqë ne jemi gjenerata e parë që jemi bërë të vetëdijshëm për problemin dhe madje gjenerata e fundit që mund ta trajtojë atë”, tha Fabius.