Maj 27, 2014 | Tuesday

Maji i Evropës – Nga: Avni Mazreku

Muaji maj përfaqëson një ndër muajt më të rëndësishëm dhe simbolik për familjen e madhe evropiane. Kontekstet historike dhe gjeopolitike dhe rrethanat në të cilat u gjendën shpesh fuqitë e mëdha evropiane gjithherë  kanë hartuar shkase dhe interesa për paqe dhe bashkim.  Rrjedhimisht, ky union i cili çdo herë e më shumë është evoluar dhe është bërë më kuptimplotë e gjithpërfshirës ka shfaqur një profil krejtësisht të ndryshëm të Evropës duke e lartësuar atë në momentin kur individë e përfaqësues të kombeve vendosën të peshonin më shumë në anën e interesave dhe mirëqenies së përbashkët duke vënë themelet e një Evrope të fortë e krenare.

Përderisa promovimi i vlerave të mirëfillta mund të ndodh vetëm në kuadër të marrëdhënieve të shëndosha e të fuqishme, është i pakontestueshëm fakti që një Evropë e bashkuar  do të thotë edhe një botë më e sigurtë, një paqe e qëndrueshme, një ekonomi shumë herë më e fuqishme dhe një qëndresë më e fortë ndaj çdo aspekti negativ e kërcënues për fenomenet e përmendura më lartë.  9 Maji shënon një datë historike dhe manifeston përvjetorin e “Deklaratës së Schuman-it” i cili potencon që “Evropa nuk do të krijohet e gjitha për njëherë, apo sipas një plani të vetëm, ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete të cilat krijojnë një solidaritet de facto.”  Dhe është mëse e vërtetë. Është bërë tashmë një retorikë e rëndomtë që Bashkimi Evropian përfaqëson një aktor global tejet unik për nga përbërja, struktura dhe mënyra e veprimit, i cili ka në dispozicion instrumente dhe burime të ndryshme të funksionimit. Si e tillë, Evropa është bërë më e fortë pas çdo sfide.

Kjo ditë e gjen Kosovën ende duke luftuar për të përmbushur misionin e anëtarësimit  të saj në  Bashkimin Evropian. Në fakt, fjalë të tilla si “Integrimi”, “Anëtarsimi” apo “Bashkimi Evropian”, janë pjesë e pandashme e fjalorit të përditshëm të qytetarëve të Kosovës. Çdo individ aspiron të rritet e zhvillohet personalisht e profesionalisht, por si qytetar i Bashkimit Evropian, me kushtet që BE ofron.  Prandaj edhe përpjekjet tona janë të vazhdueshme që të krijohen kushtet që ne si popull të fitojmë betejën kundër izolimit. Më vonë, do të ofrohet mundësia që edhe ne të kontribuojmë me talentët dhe aftësitë tona për Bashkimin Evropian.

Besoj dhe shpresoj që Dita e Evropës, 9 Maji i viteve të ardhshme do të na gjejë si pjesë e pandashme e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të mos jetë vetëm 9 Maji dita kur ne festojmë Evropën, por çdo ditë të jetë ditë evropiane ku ne jetojmë dhe zhvillohemi si qytetarë me dinjitet dhe të drejta të barabarta si të çdo qytetari të Bashkimit  Evropian.