Gusht 5, 2024 | Monday
Kosova shënon Javën Evropiane të Imunizimit 2024
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i është bashkuar institucioneve të tjera të rajonit evropian të Organizatës Botërore të Shëndetësisë duke shënuar Javën Evropiane të Imunizimit e cila sivjet është shënuar në datat 21-27 prill. Java Evropiane e Imunizimit shënohet për të promovuar ngritjen e vetëdijes për rëndësinë që ka imunizimi në parandalimin e sëmundjeve dhe mbrojtjen e jetës. Sivjet, kjo javë ishte e veçantë sepse njëkohësisht shënoi edhe 50 vjetorin e implementimit të Programit të Zgjeruar të Imunizimit (PZI), në kuadër të së cilës u lansua kampanja e cila festoi arritjet e jashtëzakonshme të PZI-së përgjatë pesë dekadave të fundit në mbrojtjen e shumë brezave nga sëmundjet e ndryshme serioze të cilat janë të parandalueshme me vaksinë. Kjo javë poashtu theksoi nevojën urgjente për të arritur mbulueshmëri të madhe dhe të barabartë me vaksinimin në secilin komunitet për të ndaluar përhapjen e këtyre sëmundjeve tani dhe në të ardhmen.
Në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP) në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) dhe me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian, organizuan aktivitete të shumta me qëllim të ndërgjegjësimit të popullatës në përgjithësi dhe të prindërve në veçanti për të drejtën e secilit fëmijë për t’u vaksinuar si dhe për arritjen e mbulueshmërisë mbi 95%, i cili është caku i përbashkët i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe i qytetarëve, që do të mundësojë mbrojtje të qëndrueshme në popullatë.
Duke njohur rolin e rëndësishëm të profesionistëve shëndetësorë e sidomos të mjekëve familjarë në ngritjen e vetëdijes dhe inkurajimit të qytetarëve për t’u vaksinuar, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me IKShP-në dhe OBSh-në, përgjatë javës organizuan takim me mjekët familjarë. Dr. Fetije Fetaj, Shefe e Programit të Vaksinimit në Kosovë, e hapi këtë takim duke theksuar rolin e mjekëve familjarë në promovimin e vaksinimit, ndërsa tutje Dr. Edita Goranci Haxhiu, Epidemiologe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, prezantoi suksesin e vaksinimit në mbarë botën si dhe përpjekjet për zhdukjen e Sëmundjeve që Parandalohen nga Vaksinat – SVP.
Këtë vit, vëmendje e veçantë i është dhënë rolit të të rinjëve në krijimin e një të ardhmeje më të shëndetshme përmes vaksinimit. Me këtë qëllim janë organizuar takime me studentët e fakultetit të mjekësisë së përgjithshme të Universitetit të Prishtinës si dhe studentëve të stomatologjisë në UBT.
Me qëllim të përkrahjes së Kujdesit Parësor, si pjesë e aktiviteteve të realizuara përgjatë Javës së Imunizimit, u organizuan edhe vizita në qendrat e vaksinimit në tërë Kosovën. Takimet me ekipet e vaksinimit u përqendruan në sfidat, arritjet dhe hapat e më tutjeshëm në PZI, duke i implementuar në mënyrë të mirëfilltë ndryshimet në kalendarin e vaksinimit. Në këtë vizitë morën pjesë përfaqësues nga IKShPK dhe OBSh, duke e vlerësuar lart angazhimin e jashtëzakonshëm dhe profesionalizmin e dëshmuar gjatë viteve. Gjatë aktiviteteve ushpërndanë edhe materiale edukative.
IKShPK dhe OBSh gjatë aktiviteteve të Javës së Imunizimit rekomanduan që këtë vit, prioritet t’i jepet të drejtës për t’u vaksinuar në mënyrë që të mos mbetet asnjë fëmijë i pa vaksinuar, duke iu mundësuar jetë të lumtur dhe të shëndetshme.