Mars 24, 2023 | Friday

Evropa në shënjestër të dezinformimit rus – Kati Schneeberger

Fabrikat ruse të trollëve që synojnë të ndikojnë në opinionin e evropianëve në favor të Rusisë ekzistojnë që përpara pushtimit të Ukrainës një vit më parë. Edhe gjatë pandemisë së koronavirusit, ata ishin shumë aktivë në rrjetet sociale për ta përçarë popullsinë në Evropë. Sipas kalkulimeve të Kremlinit, një Evropë e dobët që nuk qëndron e bashkuar nuk ka se çfarë të bëjë për kundërveprim ndaj sulmit kundër Ukrainës. Por ky ishte vetëm një prej disa gjykimeve të gabuara. Rezistenca e Ukrainës është shumë më e fortë seç pritej, ashtu si dhe kohezioni evropian dhe mbështetja evropiane për Ukrainën.

Për të thyer këtë mbështetje dhe unitet, propaganda dhe dezinformimi rus po veprojnë me të gjithë fuqinë e mundshme. Synimi përfundimtar është demonizimi i Ukrainës. Një qëllim tjetër është tërheqja e vëmendjes nga fushëbetejat në Ukrainë. Po bëhet një përpjekje e targetuar për ta destabilizuar situatën aty ku mund të ketë sukses më lehtë – në Ballkan. Përvojat e fundit të luftës nuk ishin shumë kohë më parë, ka ende mjaft plagë të hapura me të cilat është e mundur të nxitet konflikti sërish. Është shumë e lehtë të krijohen trazira këtu në mënyrë që të gjithë të përqendrohen në parandalimin e përsëritjes së këtyre konflikteve. Kjo do të thotë më pak vëmendje dhe më pak energji për luftën në Ukrainë.

BE-ja dhe SHBA-ja më në fund e kanë kuptuar se nevojiten përpjekje shumë më intensive dhe serioze për normalizimin, veçanërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, zgjidhjet e nxituara janë rrallë zgjidhje të qëndrueshme. Kështu, përkundër urgjencës, duhet pasur kujdes që marrëveshjet e parashikuara të kontribuojnë si në qetësimin e situatës ashtu edhe të jenë zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit në planin afatgjatë. Nuk kemi nevojë për shtyrje të konfliktit në të ardhmen, por për një zgjidhje. Nuk kemi nevojë për zgjidhje të rreme në planin afatshkurtër që të çojnë në probleme edhe më të mëdha më vonë. Si shembull, mjafton të shihet Bosnja.

Kur të zgjidhet nyja Gordiane, fokusi duhet të jetë gjithmonë në perspektivën e anëtarësimit në BE të të gjitha vendeve të mbetura në Ballkan. Vetëm kur të këtë ta arrijmë me sukses dhe të gjitha vendet e Ballkanit dhe të Evropës Lindore të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, do të jemi vërtet mjaftueshëm të fortë kundër ndikimit të propagandës dhe dezinformimit rus dhe të mbrojtur nga sulmet e Rusisë. Deri atëherë, këto vende janë caqe të lehta dhe ne në Evropë jemi larg vizionit tonë pas Luftës së Dytë Botërore për paqe të qëndrueshme në Evropë.

Sidoqoftë, kohezioni në Evropë është ende më i lartë seç pritej prej të gjithëve. Së fundmi, shtetet e BE-së e miratuan njëzëri një tjetër pako të sanksioneve. BE-ja nuk ka qëndruar duarkryq as në lidhje me temën e dezinformimit. Ekziston, për shembull, “BE kundër dezinformimit”. Përmes ueb faqes euvsdisinfo.eu mund të sigurohet informacion shumë i mirë. Aty ka kontroll të fakteve dhe shpjegohet se si funksionon propaganda dhe dezinformimi rus. Fatkeqësisht, kjo nismë është ende shumë pak e njohur.

Në disa vende, si në Austri, propaganda ruse – dikur sovjetike – ka funksionuar për dekada dhe është rrënjosur thellë në disa pjesë të popullsisë. Politika dhe mediat janë gjithashtu të prekura fuqishëm prej saj. Këtu duhet shumë punë më intensive, sepse politikanët dhe gazetarët në veçanti kanë një ndikim shumë domethënës në popullatë. Ata ndikojnë në opinionin publik dhe për këtë arsye kanë përgjegjësi veçanërisht të madhe. Në kohë si këto, kur lufta apo paqja janë realisht në lojë në kuptimin e vërtetë të fjalës, politika duhet të komunikojë me përgjegjësi dhe jo të rendë pas votave përmes populizmit. Kjo barrë ndahet mes pak partive, pasi që janë veçanërisht partitë në skajet ekstreme që ose financohen prej vitesh nga Rusia ose ndjekin një ideologji pro-ruse ose anti-amerikane dhe kështu përhapin me dëshirë propagandën ruse.

Kur bëhet fjalë për luftimin e lajmeve të rreme nëpërmjet rrjeteve sociale ose “mediave alternative” për teori së konspiracionit në ueb, rol të madh luan edhe cilësia e mediave të konsoliduara. Nëse bie besimi në mediat klasike, shumë njerëz fillojnë të informohen vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale dhe zhvillohet një dinamikë e rrezikshme.

Megjithatë, edhe një vit pas pushtimit të Ukrainës, ende ka mungesë të gjerë e njohurive, veçanërisht mes atyre që pritet të japin informacion të bazuar në fakte dhe objektiv në një situatë të tillë. Këtu përfshihen gazetarët dhe mësimdhënësit. Ndër këta të fundit, mungesa e njohurive është veçanërisht fatale. Krahas qartësimit afatshkurtër, ka nevojë edhe për më shumë transferim të njohurive dhe shkathtësive në shkolla.  Përveç edukimit të përgjithshëm me themele të forta, nevojitet aftësia për ta dalluar propagandën dhe dezinformimin dhe për t’i kuptuar mekanizmat e tyre, si dhe njohuri për mediat për t’i trajtuar të gjitha këto në mënyrën e duhur. Nëse vetë mësimdhënësit nuk janë të trajnuar mjaftueshëm për këtë, si do të munden t’ua përcjellin këtë nxënësve?

Dezinformimi rus mund të përhapet po kaq lehtë edhe në Evropën Perëndimore, sepse mes popullsisë ka hendekë të mëdhenj në njohuritë për Evropën Lindore dhe konflikti ushtarak që ka ekzistuar tashmë që nga viti 2014 nuk është vlerësuar mjaftueshëm si rrezik për të gjithë Evropën. Edhe kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, njohuritë e shumë qytetarëve të BE-së lidhen vetëm me rajonet klasike të pushimeve. Konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sot (në ndryshim nga viti 1999) shihet disi më pak si “konflikt mes fuqive të mëdha”, ndryshe nga lufta e agresionit rus kundër Ukrainës.  Megjithatë, “versioni rus” për ngjarjet e vitit 1999 në Kosovë është ende një nga narrativat që “justifikojnë” luftën kundër Ukrainës dhe aneksimin e territoreve të saj.

Dezinformimi nuk mund të trajtohet vetëm përmes njohurive për mediat, por ato janë bazë solide për një shoqëri reziliente demokratike.