Shkurt 25, 2022 | Friday

‘Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës’ duke inkurajuar pjesëmarrjen proaktive në avokimin mjedisor

Që nga lufta në Kosovë, ndotja e ajrit dhe degradimi i vazhdueshëm i mjedisit kanë qenë gjithmonë sfida të mëdha. Mungesa e investimeve për çështjet mjedisore dhe zbatimi i dobët i legjislacionit do të thotë se institucionet publike të Kosovës janë vetëm në fazat e hershme të zbatimit të çdo rregulloreje që mund ta kufizojë degradimin e mjedisit, ndotjen e ajrit ose përdorimin e burimeve jo të shëndetshme për prodhimin e energjisë.

Qëllimet përfundimtare të këtij projekti janë të kërkohet llogari nga institucionet përgjegjëse dhe të ushtrohet presion mbi to për të zbatuar politika për energji dhe mjedis të shëndetshëm – dhe për të përmbushur objektivat e dakorduar. Aktivitetet në kuadër të veprimit ‘Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës’ (EKEA) i financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë, janë dizajnuar për të forcuar kapacitetet dhe njohuritë e shoqërisë civile, gazetarëve dhe qytetarëve të Kosovës në përgjithësi për t’i kuptuar më mirë çështjet që kanë të bëjnë me efiçiencën e energjisë, shëndetin dhe mjedisin.

Organizatat më të njohura dhe më të zëshme të shoqërisë civile (OSHC) në Kosovë janë të vendosura në kryeqytet, Prishtinë, dhe ka dukshëm më pak OSHC aktive në komunat e tjera. Për t’i rritur kapacitetet e OSHC-ve anembanë Kosovës për të monitoruar dhe raportuar për keqbërjet mjedisore, EKEA organizoi shtatë sesione trajnimi njëditore në komunat kryesore të Kosovës, me 191 aktivistë të shoqërisë civile; si dhe dy punëtori për gazetarët nga komuniteti shqiptar dhe serb i Kosovës për të ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve lokalë për të raportuar profesionalisht për çështje të tilla si efiçienca e energjisë, burimet e ripërtërishme, shëndeti dhe mjedisi.

Sanja Gjokiq, një gazetare në Media Centar e cila mori pjesë në një nga punëtoritë, tha se trajnimi e bëri të kuptojë se kishte pakujdesi të konsiderueshme nga institucionet vendore ndaj mjedisit. “Megjithëse kam raportuar shpesh për situatën në lidhje me mjedisin lokal në komunën ku jetoj dhe punoj, mjedisit nuk i është kushtuar shumë vëmendje sepse rrethanat politike kanë qenë gjithmonë prioritet për politikanët. Pas trajnimit, e kuptova që pakujdesia e institucioneve lokale ndaj mjedisit është tepër e madhe, dhe arrita t’u jap një kontekst më të mirë fakteve me raportimin tim, si dhe kërkova përgjigje nga të gjithë ata që janë përgjegjës në çfarëdo mënyre, në mënyrë që ata të tregojnë vëmendje ndaj problemeve lokale mjedisore. Ndonëse politika ditore e ka pushtuar opinionin, më duket se çështjet e një mjedisi të shëndetshëm po kthehen dalëngadalë në rendin e ditës”, tha ajo.

Sanja Gjokiq, Gazetare Media Center

Si pjesë e veprimit, gjashtë gazetarëve iu ndanë çmime për artikujt/reportazhet më të mira dhe që të bëjnë të mendosh, të shfaqura në TV, në shtyp dhe online gjatë dy viteve të fundit.

Edhe “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” ishin një ndër aktivitetet më të rëndësishme. I mbajtur në qershor dhe korrik, ku aktivitet ndihmoi për të vënë në qendër të vëmendjes efiçiencën e energjisë duke organizuar konferenca lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe takime të dialogut me të rinjtë dhe veprime kolektive. Si pjesë e programit 10-ditor u botuan gjithashtu një punim pozicionimi dhe disa artikuj dhe njoftime të shërbimit publik.

Një nga panelistët e konferencës ishte aktivistja mjedisore dhe drejtoresha e OJQ-së Qytetarët Aktivë, Flutura Zymi. Si qytetare aktive, Zymi prej kohësh është e angazhuar në raportimin dhe avokimin për mbrojtjen e mjedisit.

“Aktivitetet e BIRN-it dhe partnerëve të EKEA-s për mbrojtjen e mjedisit në të cilat kam marrë pjesë trajtuan çështje me të cilat përballemi si aktivistë,” tha ajo. “Institucionet qeveritare ende nuk po i japin prioritet kujdesit dhe mbrojtjes së mjedisit, apo shëndetit tonë. Avokimi dhe edukimi janë shumë të nevojshme. Bashkëpunimi ndërmjet OJQ-ve në Ballkanin Perëndimor është çelësi për mbrojtjen e përbashkët të mjedisit”.

Flutura Zymi – Aktiviste mjedisi

Vjollca Loci, një e re nga Peja e cila ka marrë pjesë në dialogun rinor, tha se aktivitete të tilla janë të vonuara për rininë e Kosovës.

“Duke filluar edhe me gjërat më elementare, si sasia e ujit që përdorim për të larë dhëmbët, na inkurajon të kemi më shumë vetëdijesim për mbrojtjen e burimeve natyrore për brezat e ardhshëm,” tha ajo. “Na ndihmon gjithashtu të kuptojmë se mund të ndikojmë në uljen e ndryshimeve klimatike”.

Teksa fati i Kosovës luhet në arenën diplomatike, pjesa më e madhe e hapësirës mediatike të vendit priret t’u jepet zhvillimeve dhe aktiviteteve politike. Megjithatë, njerëzit në Kosovë shpesh nuk arrijnë të kuptojnë se si zhvillimet në sektorin e energjisë dhe mjedisit luajnë rol të rëndësishëm në jetën tonë dhe se si ato ndërthuren me zhvillimet kryesore makroekonomike.

Për të ndihmuar në korrigjimin e kësaj, partneriteti i EKEA-s ka publikuar më shumë se 200 artikuj, lajme dhe hulumtime, duke përfshirë debate dhe hulumtime televizive.

Përkundër raportimit të vazhdueshëm me ndikim që rregullisht ka çuar në ndikime të mëdha, Vesna Banoviq Vukasinoviq, gazetare nga partneri i projektit TV Mreža, deklaroi se ka ende sfida për raportimin mjedisor.

“Politikanët kanë prirje që të mos t’u japin prioritet çështjeve mjedisore”, tha ajo. “Problemi më i zakonshëm për mua si gazetare është se ata nuk duan t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, duke i konsideruar të parëndësishme sepse janë ‘të zënë’ me politikën ditore, dhe shpesh caktojnë zyrtarë të rangut më të ulët që nuk i dinë përgjigjet për pyetjet ose që na japin përgjigje të paqarta. Ndonjëherë, ata nuk u përgjigjen fare thirrjeve apo emaileve tona, dhe nëse përgjigjen, e bëjnë me vonesë të konsiderueshme, qoftë edhe një ose dy muaj. Është shumë e vështirë të gjesh një bashkëbisedues adekuat dhe kompetent”.

Vesna Banoviq Vukasinoviq – Gazetare TV Most

Për të kontribuar për rritjen e vetëdijesimit të të rinjve për çështjet mjedisore, partnerët e EKEA-s organizuan sesione edukative në shkollat anembanë Kosovës mbi rëndësinë e mjedisit të pastër dhe të shëndetshëm, efiçiencën e energjisë, dhe ndikimet e tyre në shëndet.

Adelina Kastrati, zyrtare e projektit në një nga partnerët e projektit, ERA Group, tha se pjesëmarrësit në sesione kishin theksuar se ishte hera e parë që përfitonin nga aktivitete të tilla. “Pjesëmarrësit u inkurajuan të marrin pjesë edhe në të ardhmen, duke deklaruar se këto aktivitete janë shumë të nevojshme”, tha ajo, duke shtuar se së fundi kanë marrë kërkesa për të realizuar aktivitete të ngjashme në shkolla të tjera.

Adelina Kastrati – Zyrtare e projektit “Era Group”

Duke reflektuar për projektin në tërësi, menaxherja e projektit Diellza Salihu tha se menaxhimi i një projekti të kësaj natyre me aktivitete të vazhdueshme ditore ka qenë një sfidë, por se “definitivisht ia vlente” kur merren parasysh ndikimet e tij tek qytetarët, gazetarët, të rinjtë e Kosovës, dhe pjesëmarrësit e tjerë.

Diellza Salihu – Menaxhere e projektit

“Menaxhimi i veprimit ka qenë padyshim më i lehtë si rezultat i një marrëdhënieje shumë të shëndetshme me BE-në që bazohet në respektin reciprok dhe njohjen e përpjekjeve,” tha ajo. “BIRN Kosova dhe partnerët e vet e vlerësojnë ndihmën, sugjerimet dhe mbështetjen e përgjithshme që ofron BE-ja”.