Mars 19, 2016 | Saturday
Kur perballemi me raste barbare të dhunës ndaj gruas, mbajtja e debatit në arsyet që quan drejt dhunës nuk na çon askund. Dhuna ndaj gruas, apo deri edhe vrasja e grave, nuk është thjeshtë rezultat i shkarjes së burrit të saj, pasojave ekonomike, apo sic rëndom aludohet – xhelozi. Të gjithë ne, si gra, si burra, si pjestarë familjeje, kemi hisën tonë në këtë zinxhir strukturor të dhunës.
Për familjet tradicionale dhe jo gjithaq tradicionale kosovare, zinxhiri strukturor i dhunës dhe i të përjashtuarit fillon që në identifikimin e gjinisë së fëmijës gjatë shtatzanisë. Nëse është djalë, prindërit (lexo: babai) fillojnë të mendojnë për hapësirën e shtëpisë, të ardhurat, pensionimin etj. Djali martohet. Në shtëpinë e prindërve sjell edhe gruan me të cilën lidhë jetën. Në po këtë shtëpi do të lindin edhe fëmijë të tjerë, pavarsisht nëse ka hapsirë fizike. Djali – më vonë burri – është pjesë e shtëpisë në kuptimin sociologjik, dhe është trashëgimtar i pasurisë dhe emrit në kuptimin juridik.
Në rastet kur mësohet se gjinia e bebes së sapo ngjizur është vajzë, këto kalkulime shtyhen për njëfar kohe. Shtyhen deri atëherë kur shpresimisht do të vij një djalë në jetë. Vajza është vajzë! Ajo që në fetus është banore e përkohshme e shtëpisë, bartëse e përkohshme e emrit të familjes dhe me fjalë të tjera ‘derë e huaj’. Duke mos u konceptuar si pjesë e ‘përhershme’ e emrit dhe trashëgimisë së familjes, edhe sot e kësaj dite prindërit kosovarë (lexo: babai) janë në kërkim të trashëgimtarit mashkull edhe pasi ti kenë renduar katër vajza. Si për taksirat!
Fetusi vajzë nuk është subjekt i trashëgimisë në pronë, paçka se kushtetuta e garanton një gjë të tillë. Marrja dhe tradita janë më të vlefshme se kushtetuta dhe të drejtat njerëzore në fund të fundit. Ajo vetëm transferohet nga prona e babait te prona e burrit, pa pasur ndonjë subjektivitet në pronësi, pushtet dhe mbi të gjitha, dinjitet. Në këtë formë duke qenë subjekt ‘plaçkë’, ajo as konceptualisht nuk mendon se i gëzon disa të drejta themelore: e drejta për tu mos diskriminuar, e drejta për të mos u rrahur, e drejta për të denoncuar burrin/babain dhe e drejta për të mos u fshehur prej marres.
Mallkimi më i madh në shoqërinë kosovare, e që thuhet vetëm për gjininë femrore është “mbetsh rrugëve”. Nëse nuk ke burrë, nuk ke shtëpi. Nëse ke burrë, ai është shtëpia jote e vetme. Po dole nga aty se të është zënë fryma, se të janë nxirë sytë nga dhuna fizike, se nuk duron dot më, mbetesh rrugëve. Ti je e pashtëpi! Ti nuk ke pronë. Ti nuk ke as të drejtën morale e kulturore për të kërkuar pronë.
Prandaj, kur egërsoheni tek shihni burra që dhunojnë apo vrasin gratë e tyre, mos fajësoni vetëm atë si bashkëshort që dhunon. Reflektoni se sa edhe babai, vëllai, daja, dhe nëna juaj ka hise në forcimin e këtij zinxhiri të dhunës. Të dhunës si traditë dhe normalitet.
*Autorja është politikologe dhe kolumniste rreth çështjeve gjinore