Shkurt 3, 2023 | Friday
Në përpjekjet e vazhdueshme për të arritur objektivat e energjisë efiçiente, saktësisht uljen e konsumit dhe koston e energjisë, si dhe uljen e ndotjes mjedisore, qeveria e Kosovës në bashkëfinacim me Bashkimin Evropian në Kosovë dhe Bankën Botërore, në vitin 2019 themelon Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Që nga atëherë, nga FKEE më shumë se 32.000 qytetarë të Kosovës kanë përfituar nga masat e energjisë efiçiente të instaluara në institucione publike përgjatë 22 komunave në Kosovë.
Për të kuptuar më shumë rreth aktiviteteve të fondit, kemi biseduar me Ahmet Ismailin, Drejtor menaxhues dhe anëtar bordi i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).
EH: A mund të na tregoni më shumë për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE)?
AI: FKEE si një entitet i pavarur, autonom dhe i qëndrueshëm është themeluar me Ligjin për Efiçiencën e Energjisë (Nr. 06/L-079), në vitin 2019, me qëllim të arritjes së objektivave të Kosovës në fushën e efiçiencës së energjisë (EE), duke promovuar, mbështetur dhe zbatuar masa të energjisë efiçiente. FKEE tërheq dhe menaxhon fonde me qëllim te investimit në projekte në mënyrë të qëndrueshme duke shërbyer si institucioni primar financues për masat e EE në Kosovë.
FKEE është themeluar me mbështetje të Bashkimit Evropian (BE), Bankës Botërore (BB) dhe Qeverisë së Kosovës (QRK), si një përpjekje e përbashkët për konsolidim të sektorit me efekt pozitiv të shumanshëm. Njëherit aktualisht këto institucione (BE, BB dhe QRK) janë edhe donatorët dhe financuesit kryesorë të FKEE. Përderisa donacioni i siguruar nga BE dhe financimi me kredi koncensionare nga BB, është realizuar me marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Kosovës, Financimi nga Qeveria e Kosovës, është realizuar përmes Ligjit vjetor për ndarjet buxhetore nga Ministria e Ekonomisë.
EH: Në vitin 2021, FKEE ka lansuar dy thirrje për komuna për projekt propozime për zbatimin e masave të efiçiencës energjetike. A mund të na tregoni më shumë?
AI: Në kuadrin e projekteve të saj, FKEE përmes një procesi të konkurrimit, ka përzgjedhur 90 projekte, prej të cilave fillimisht janë kontraktuar 70 sosh, prej të cilave më shumë se gjysma tashmë janë të përfunduara dhe pjesa tjetër pritet të përfundojnë deri në gjysmën e dytë të këtij viti.
Kriteret e përzgjedhjes janë bazuar në metodologjinë e përcaktuar në marrëveshjen ndërkombëtare, duke pasur si kriter kryesor për përfitim nga ky investim që objekti të jetë në pronësi të komunës dhe të jenë fizibile bazuar në auditim. Pjesë e këtij projekti janë gjithsej 22 Komuna të Republikës së Kosovës, ndërsa numri i përfituesve direkt nga këto investime është 32 mijë qytetarë nga të gjitha nacionalitetet që jetojnë ne Kosovë.
EH: Cilat masa të energjisë efiçiente janë instaluar dhe do të instalohen në projektet e përzgjedhura komunale?
AI: FKEE në projektet e përzgjedhura komunale synon të përmirësoj performancën energjetike të ndërtesave përmes investimeve të plota në mbështjellësin e jashtëm të ndërtesave publike (termoizolimi i mureve të jashtme, termoizolimi i kulmit si dhe instalimi i dritareve efiçiente), ndërrimi i sistemit të ngrohjes nga ato jo efecient në sistem të ngrohjes me biomasë (pelet) ose pompa termike, ndriçimi efiçient LED dhe panele solare si dhe masa të tjera varësisht nga rezultatet e auditimit të energjisë dhe marrëveshjeve me përfituesit.
EH: Deri tani sa institucione kanë përfituar nga masat e energjisë efiçiente të instaluara, dhe cilat janë rezultatet konkrete?
AI: Totali i kontraktuar i investimeve (të realizuara dhe në proces) është 10 milionë euro, me kursime të pritura në energji prej 18 GWh në vit ose rreth 64% të konsumit total, ku kursimi varion nga 25%-70% varësisht nga projekti. Kështu FKEE kontribuon direkt në arritjen e caqeve të strategjisë për energji, cilësisë së ambienteve të brendshme duke i sjellë efekte pozitive mjedisit si dhe shoqërisë në përgjithësi.
EH: Cilat janë aktivitetet e ardhshme të FKEE-së?
AI: FKEE ka përfunduar procedurat e prokurimit dhe brenda muajit shkurt të këtij viti pritet të filloj implementimi i kontratave për masat e efiçiencës së energjisë edhe për 20 projekte te reja në 6 komuna përfituese për pakon 3 (pako e vitit 2023), edhe kjo e financuar nga BE, BB dhe QRK, si bashkë-financim. Procedurat tenderuese janë kryer me sukses, sikur edhe marrëveshjet për shërbimet e energjisë me komunat përfituese. Me këtë, numri i përgjithshëm i projekteve te realizuara ose në proces të realizimit shkon në 90, të cilat pritet të përfundohen deri në fund te këtij viti.
Ajo që e dallon këtë vit, që do të jetë njëherit më sfiduesi, është se FKEE për herë të parë do të fillojë zbatimin në projekte në sektorin rezidencial, si pjesë e masave të përgjigjes emergjente (pakos emergjente) të siguruara nga Komisioni Evropian (IPA) me ndihmën prej 75 milionë euro për Kosovën, prej të cilave për FKEE sipas Planit të Veprimit do të transferohen 20 milionë euro. Ky njëherit është edhe investimi më i madh në këtë sektor, me qëllim të ndërhyrjes në sektorin rezidencial me fokus në grupet dhe konsumatorët e cenueshëm dhe në varfëri energjetike, duke ndërhyrë në objekte publike të banimit kolektiv (banesa sociale, apo ngjashëm) si dhe shtëpi individuale në gjithë Kosovën. Thirrjet dhe proceset e nevojshme do të realizohen në muajt në vijim, me një gjithëpërfshirje në konsultime me qëllim të gjetjes së kombinimit më të mirë te kritereve dhe kushteve që ofron rezultate optimale dhe efiçiente, dhe me transparencën e nevojshme dhe të synuar me këmbëngulësi.
EH: Për fund?
AI: Është me rëndësi të përmendim se FKEE ka përfituar edhe nga asistenca teknike dhe përvojat ndërkombëtare të ekspertëve dhe konsulentëve të BB, e cila edhe në emër te BE ndihmon dhe monitoron zbatimin e projekteve tona.
Padyshim, BE ka luajtur një rol qendror në themelimin, financimin dhe funksionalitetin e plotë të FKEE, përmes mbështetjes së vazhdueshme, për çka ne emër të organeve drejtuese dhe stafit, ju shpreh falënderimet më të sinqerta.
Veçanërisht, pako e fundit për përgjigje ndaj krizës energjetike, e siguruar si grant nga Qeveria përmes IPA, për të filluar masa në sektorin rezidencial, shënon momentin më kulmor të bashkëpunimit por edhe efektiv në këtë sektor, në kohën më të duhur.
Kjo mbështetje dhe ky vit pa dyshim do të regjistrohet si një moment i rëndësishëm për FKEE, drejt kalimit në sektorin rezidencial, duke mundësuar zbatim të plotë të mandatit ligjor, ndërtuar kapacitetet e nevojshme dhe skemat e financimit të qëndrueshëm, proces ky në vijim e sipër, i cili po ashtu mbështetet nga WBIF me ekspertize teknike, modeli i së cilës pritet të përfundojë sivjet, dhe zbatimi i masave me skemën qarkulluese në sektorin rezidencial për vitin 2024.
Për këtë dhe projektet në sektorin e energjisë partneriteti dhe bashkëpunimi i ngushtë me BE do të vazhdojë te thellohet, përfshirë edhe fushatat e përbashkëta edukuese dhe stimuluese drejt energjisë së pastër dhe efiçiente.