Shkurt 24, 2025 | Monday
Projekti Promovimi i Qasjes Universale në Ujë të Pastër është nismë e financuar nga BE-ja dhe e implementuar nga Rilindja e Gjelbër. Ky projekt që u përmbyll në fund të vitit 2024, punoi për përmirësimin e menaxhimit të resurseve ujore dhe garantimin e qasjes së barabartë në ujë të pastër, veçanërisht për komunitetet e margjinalizuara. Mirëpo, misioni i projektit shtrihej përtej avokimit, duke punuar në mënyrë aktive për të monitoruar implementimin e Strategjisë Kombëtare të Ujërave dhe fuqizimin e komuniteteve lokale për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të ndërgjegjësuar politikëbërësit dhe publikun rreth urgjencës së ruajtjes së resurseve ujore.
Duke u bazuar në parimin Mos Lini Asnjë Pas (Leaving No One Behind), prioritetet e organizatës janë përfshirja, barazia dhe të drejtat e njeriut. E themeluar në vitin 2012, Rilindja e Gjelbër vepron në mënyrë të përkushtuar për të promovuar politika të qëndrueshme mjedisore – duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke inkurajuar pjesëmarrjen përfshirëse të komunitetit – me qëllim që të gjithë individët, pavarësisht nga mosha, gjinia, prejardhja ekonomike apo gjeografike, të përfitojnë nga nismat mjedisore.
Me vizionin për një Kosovë të Gjelbër dhe të Pastër, Rilindja e Gjelbër operon përmes tri shtyllave kryesore të punës: edukimi dhe ndërgjegjësimi mjedisor, avokimi për politika më të forta mjedisore dhe zbatimin e tyre, dhe promovimi i praktikave të ekonomisë qarkore dhe sipërmarrjes sociale. Deri më tani, organizata ka bërë një punë të madhe për të trajtuar çështjet e rëndësishme mjedisore si uji, ajri, toka, energjia, menaxhimi i mbetjeve dhe biodiversiteti.
Partneriteti me Bashkimin Evropian ka qenë vendimtar në suksesin e projektit Promovimi i Qasjes Universale në Ujë të Pastër. Mbështetja e BE-së nuk ishte vetëm në formë të mbështetjes financiare, por gjithashtu ndihmoi me kapacitetet institucionale dhe komunitare për të përmirësuar rregullimin e sektorit të ujërave në Kosovë. Falë këtij bashkëpunimi të ngushtë, Strategjia Kombëtare e Ujërave u monitorua dhe u përmirësua nga afër, duke lejuar një analizë të thellë të sfidave ekzistuese dhe mangësive në politika.
Nga ana tjetër, përfshirja e komunitetit ka qenë në qendër të punës së Rilindjes së Gjelbër në kuadër të projektit. Janë krijuar njëzet Këshilla të Komuniteteve Lokale për Çështje të Ujërave nëpër Kosovë, duke fuqizuar qytetarët të marrin pjesë në mënyrë aktive në diskutimet për menaxhimin e ujërave dhe të raportojnë çështjet e ndotjes. Përpjekjet për ndërgjegjësimin publik kanë përfshirë publikimin e disa kumtesave të politikave mbi tema të rëndësishme të lidhura me ujërat, si kornizat ligjore, siguria e ujërave dhe sfidat e furnizimit me ujë në zonat rurale. Kontributet shkencore kanë luajtur gjithashtu rol kyç, me raporte që vlerësojnë cilësinë e ujërave sipërfaqësore në katër pellgje lumore në Kosovë.
Nismat për ndërtimin e kapaciteteve kanë qenë pjesë e rëndësishme e projektit, me qëllim të fuqizimit të përpjekjeve në nivel bazë për menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave. Gjashtëdhjetë udhëheqës lokalë janë trajnuar mbi të drejtat, avokimin dhe pjesëmarrjen e komunitetit në çështjet e ujërave. Pjesëmarrja publike është inkurajuar përmes dëgjimeve dhe takimeve konsultative, duke siguruar që zërat lokalë të dëgjohen në proceset vendimmarrëse lidhur me resurset ujore. Monitorimi i cilësisë së ujërave sipërfaqësore ka ndihmuar në identifikimin e zonave problematike, duke inkurajuar përgjigjet institucionale për të adresuar ndotjen dhe keqmenaxhimin e resurseve ujore. Kornizat legjislative dhe të politikave që u thjeshtuan përmes kumtesave të politikave të vëna në dispozicion publik ndihmuan në ngushtimin e hendekut mes institucioneve dhe komuniteteve, duke bërë që informacioni kritik për ujërat të jetë më i kuptueshëm dhe më i qasshëm për publikun.
Megjithatë, një nga rezultatet më të rëndësishme të projektit është i paprekshëm, por shumë i rëndësishëm për një ndryshim afatgjatë të sjelljes në raport me mjedisin. Falë aktiviteteve të projektit, është kultivuar një kulturë e re e përgjegjësisë mjedisore. Duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e ujit të pastër dhe menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve ujore, projekti ka fuqizuar qytetarët të kërkojnë transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje më të mirë në sektorin e ujërave.
Puna e Rilindjes së Gjelbër dhe aktivitetet e saj të mbështetura nga BE-ja janë dëshmi për fuqinë e nismave në nivel bazë për të çuar në ndryshime me ndikim kur ato mbështeten dhe përkrahen siç duhet. Ndonëse rruga drejt qasjes universale në ujë të pastër në Kosovë mbetet e gjatë dhe plot sfida, falë nismave si Qasja Universale në Ujë të Pastër, çdo ditë po i afrohemi gjithnjë e më shumë këtij objektivi.