Mars 27, 2018 | Tuesday
Me datë 21 mars, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë pati kënaqësinë ta shfaqë filmin “Le Doulos” – me regji nga Jean-Pierre Melville, film ky i vitit 1963. Shfaqja e filmit erdhi si pjesë e bashkëpunimit në mes të EUICC dhe Ambasadës së Francës në Kosovë, në kuadër të “Javëve të Frankofonisë”.
Jean-Pierre Melville ishte filmbërës francez, i njohur për dramat e tij tragjike dhe minimaliste, në stilin e film-noir. Pos “Le Doulos” i cili erdhi në Prishtinë para një numri të konsiderueshëm të audiencës, Melville ka bërë regjinë edhe të “Le deuxieme souffle”, “Le Samourai” dhe disa filmave tjerë. EUICC bashkëpunon vazhdimisht me “Javët e Frankofonisë në Kosovë” duke ndihmuar kësisoj në promovimin e kulturës franceze në Kosovë, por edhe duke sjellë projektet filmike që kanë lënë gjurmë në kinematografinë franceze.
Këtë vit, tema kryesore e Frankofonisë në aspektin e filmit është trilleri. Pas filmit, me datë 21 mars ka pasuar një koktej rasti, për të ndihmuar më shumë në diskutimin rreth filmit.