Qershor 28, 2019 | Friday
Me datë 20 qershor 2019, në Europe House në Prishtinë u mbajt ceremonia mbyllëse e Fushatës për Zhvillim Ekonomik #TëFlasimpërEkonominë.
Fushata e cila zgjati për shtatë javë ishte plot me intervista televizive, gara për ndërmarrësit e rinj, biseda inspiruese, vizita tek kompanitë e suksesshme kosovare, panele diskutimi dhe tryeza të rrumbullakëta, ku u diskutua për të ardhmen e ekonomisë së vendit dhe ndihmën e BE-së në Kosovë ndaj këtij sektori.
Dimitrios Machairidis nga Zyra e BE-së në Kosovë përmendi potencialin e të rinjve të Kosovës për të qenë të suksesshëm.
“Bashkimi Evropian në Kosovë ka bërë shumë për ekonominë e Kosovës, me anë të projekteve për të ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme dhe tërheqjen e investitorëve të huaj të cilët kanë ndihmuar në përparimin ekonomik të vendit në një masë të madhe” tregoi Machairidis.
Shqipe Breznica nga Help Kosovo, Shpend Lila nga ICK dhe Greta Kamberi nga Gjirafa poashtu folën në këtë mbyllje të Fushatës.
Në fund, idetë më të mira të biznesit nga gara “Show me your business mind” u prezantuan para të pranishmëve dhe kompanive të cilat shikuan mundësitë e bashkëpunimit dhe investimit në këto ide kreative.
Kjo ishte fushata e tretë e Bashkimit Evropian në Kosovë, pas fushatës për arsim cilësor dhe asaj për mjedis.