Prill 27, 2021 | Tuesday

Gara e fotografisë – Mbështetja e BE-së për Kosovën

Si pjesë e aktiviteteve të Javës së Evropës 2021, Shtëpia e Evropës në Kosovë po organizon garën e fotografisë “Mbështetja e BE-së për Kosovën”.

Me këtë garë synohet që të rinjve dhe entuziastëve të fotografisë t’u jepet mundësia për ta treguar kreativitetin e tyre në theksimin e mbështetjes së BE-së për Kosovën.

BE-ja është donatori më i madh në Kosovë, që i përkrahë institucionet dhe qytetarët e Kosovës me projekte në shumë fusha të ndryshme si: ekonomia, shëndetësia, sundimi i ligjit, arsimi, sporti, energjia, punësimi, bujqësia dhe digjitalizimi.

I ftojmë të gjithë entuziastët e fotografisë që të na bashkohen në festimin e Javës së Evropës duke marrë pjesë në garën tonë të fotografisë. Dërgoni fotografitë tuaja që tregojnë Mbështetjen e BE-së për Kosovën në mënyrë krijuese dhe origjinale dhe fitoni çmime të mëdha.

Për të marrë pjesë në këtë garë, mund t’i dërgoni fotografitë në info@europehouse-kosovo.com, deri më 7 maj 2021. Fituesit do të shpallen më 14 maj 2021.

Një juri profesionale e përbërë nga një fotograf dhe përfaqësues të Zyrës së BE do t’i përzgjedhë fituesit e garës. Juria do të zgjedhë fotografi që janë kreative, origjinale dhe më së miri e përshkruajnë Mbështetjen e BE-së për Kosovën.

Kriteret

Për t’u marrë në konsideratë për këtë garë të hapur për publikun, fotografitë e dorëzuara duhet t’i plotësojnë këto kushte:

  1. Fotografitë e dërguara duhet ta shfaqin mbështetjen e BE-së për Kosovën në njërën nga fushat: ekonomi, shëndetësi, sundim i ligjit, arsim, sport, energji, punësim, bujqësi, digjitalizim ose ndonjë fushë tjetër të përkrahur nga BE;
  2. Fotografitë e dërguara duhet të jenë punime origjinale dhe të mos merren nga ndonjë palë e tretë;
  3. Dërgesa duhet të bëhet duke dërguar fotografitë me një përshkrim të shkurtër përmes postës elektronike në info@europehouse-kosovo.com;
  4. Çdo dërgesë duhet të ketë nga 1 deri në 3 fotografi;
  5. Fotografitë do të gjykohen në bazë të origjinalitetit dhe kreativitetit të tyre që përshkruajnë më së miri mbështetjen e BE-së për Kosovën;
  6. Fotografitë e dërguara duhet të jenë të cilësisë së lartë;
  7. Fotografitë duhet të tregojnë qartë logon EU4K ose një shenjë që tregon se projekti është financuar ose përkrahur nga BE.

Çmimet

  1. Vendi i parë – 200 €
  2. Vendi i dytë – 100 €
  3. Vendi i tretë – 50 €

Zyra e BE-së e ka të drejtën që t’i përdorë fotografitë e përzgjedhura në promovimin e projekteve, në publikime dhe materiale të tjera promovuese të shtypura dhe online.