Shtator 3, 2021 | Friday

Gratë e Kosovës duhet të kërkojnë ulësen e tyre në tryezën e negociatave – Milica Radovanoviq

Po shtohen gjithnjë e më shumë dëshmitë se kur gratë marrin pjesë në proceset e paqes, palët ka më shumë gjasa të arrijnë marrëveshje të qëndrueshme të paqes që janë më jetëgjata dhe zbatohen më mirë.[1]

Përgjatë dy dekadave të fundit, Kosova është ulur tri herë në tryezën e negociatave. Negociatat e paqes në Rambuje (1999) dhe bisedimet e Vjenës (2007) nuk ishin të suksesshme. Kur flitet për ata që po zhvillohen aktualisht – negociatat e Brukselit që filluan në vitin 2011, as që nuk po u shihet fundi i mundshëm.

Çka i ka karakterizuar të tre proceset, është se gratë nuk janë përfaqësuar në mënyrë domethënëse në tryezë. Sidoqoftë, rezultatet e atyre negociatave kishin/kanë ndikim të njëjtë apo edhe më domethënës në jetën e tyre.

Numri i ulëseve në tryezën e negociatave është i kufizuar. Futja e grave kërkon që dikush tjetër të largohet. Pyetja logjike është pse disa burra në tryezë do t’ua linin vendet e tyre grave?

“Për t’u përfshirë, duhet që kostoja e përjashtimit të jetë mjaft e lartë – atyre duhet t’u kushtojë më shumë që të mos t’ju përfshijnë sesa t’ju lënë jashtë” / Karin Hernmarck, ambasadore e Suedisë në Kosovë (në konferencën e NSI-së për përfshirjen e grave në tryezën e negociatave në Prishtinë)

Nëse gratë në Kosovë duan të kenë një ulëse në tryezën e negociatave, duket se ato tani kanë momentumin e përsosur për ta kërkuar këtë.

Në 10 vjetorin e fillimit të procesit të negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, bazuar në një anketë të kryer nga NSI-ja, rreth 50% e të anketuarve nuk besojnë se negociatat do të rezultojnë në marrëveshje përfundimtare në pesë vitet e ardhshme.  Rreth 30% e tyre nuk mendojnë se do të arrihet ndonjëherë një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Nga ana tjetër, 90 për qind e të anketuarve besojnë se gratë duhet të përfshihen në tryezën e negociatave.

Me presidenten e dytë grua, 44 deputete (nga 120), pesë gra ministre në Qeveri (nga 15), programin e qeverisë për barazi gjinore që ka paraparë lobimin për përfshirjen e grave në negociatat me Serbinë, është e arsyeshme të presësh prej tyre që ta ngrenë këtë çështje.

Nuk duhet ta harrojmë se presidentja Vjosa Osmani ishte kandidatja më e votuar për deputete në historinë e Kosovës në zgjedhjet e fundit. Shumica e kandidateve femra (33) i fituan ulëset në zgjedhjet e mëparshme parlamentare të Kosovës pa kuota gjinore. E gjithë kjo tregon mbështetjen e madhe që kanë përfaqësueset gra në mesin e qytetarëve të Kosovës.

Tani ka ardhur koha që gratë në institucione të fillojnë ta përdorin zërin e tyre për të ndjekur një agjendë më feministe dhe të kërkojnë përfaqësim të barabartë në çdo tryezë vendimmarrëse, jo vetëm në atë negociuese. Tani u takon atyre që t’u tregojnë kolegëve të tyre meshkuj kostot e këtij përjashtimi dhe pse është vendimtare që ato të jenë në tryezë.

Përfshirja e grave në tryezën e negociatave në Kosovë është projekt i PPBE-së, i zbatuar nga NSI-ja. Gjatë muajve të mëparshëm, NSI-ja ka kryer 6 tryeza të rrumbullakëta në rajone të ndryshme të Kosovës dhe një anketë për këtë temë. NSI-ja organizoi edhe konferencën në Prishtinë me ambasadoren e Suedisë Karin Hernmarck, Zëvendës Përfaqësuesen e Posaçme të Sekretarit të Përgjithshëm Barrie Lynne Freeman, dhe gra të botës akademike.

Milica Radovanoviq – Hulumtuese në Iniciativa e Re Sociale

[1] https://www.cfr.org/womens-participation-in-peace-processes/why-it-matters