Tetor 17, 2019 | Thursday

‘Gruaja’ nga Mimoza Studenica, ekspozitë e filigranit në letër

Europe House – Shtëpia e Evropës në Prishtinë ka mirëpritur në tetor një ekspozitë tjetër, duke vazhduar kësisoj promovimin e artit dhe kulturës së Kosovës.

Ekspozita ‘Gruaja’ nga Mimoza Studenica, artiste që premton shumë, u hap me 15 tetor në prezencën e një numri të madh të artdashësve që pëlqejnë artin modern dhe punën e artistes.

Studenica është e njohur për teknikën e saj të veçantë të filigranit në letër që është shumë e rrallë në artin vizuel.

“Inspirohem çdo ditë nga gratë, për të cilat mendoj se janë pjesë integrale e shoqërisë, prandaj edhe gjithmonë i kam si motiv në punën time dhe në këtë ekspozitë që mban titullin e inspiruar prej tyre” tha në hapje të ekspozitës Studenica.

Punët e ekspozitës janë në shitje ndërsa do të duhet ta vizitoni Europe House në Prishtinë për të kuptuar më shumë për ekspozitën, artisten dhe çmimet e punëve të saj artistike.