Maj 27, 2021 | Thursday
Grupet e margjinalizuara shpesh shihen si barrë. Duke qenë në një pozitë të pafavorshme në shoqëri, masa afirmative dhe mbështetje e veçantë përmes skemave të ndryshme të ndihmës sociale nevojiten për t’u ndihmuar atyre që ta arrijnë një pozitë të barabartë me të tjerët. Përderisa shumë nga ta ndjehen të diskriminuar në kuptim të veprimeve afirmative, këto mjete nuk janë problemi. Problemi kryesor është se masat për t’i fuqizuar grupet e margjinalizuara merren ndaras nga masat e tjera, dhe në shumicën e rasteve nuk janë madje as prioritet. Përballë çështjeve siç janë vështirësitë ekonomike, kërcënimet ndaj sigurisë dhe shëndetit publik dhe çështjeve gjeopolitike, qasja e përgjithshme ka qenë që grupet e margjinalizuara mund të presin.
Është e rëndësishme që të kuptohet se përderisa fuqizimi i grupeve të margjinalizuara zakonisht trajtohet ndaras nga çështjet e tjera, këto çështje nuk e përjashtojnë njëra tjetrën. Përkundrazi, dështimi për t’iu përgjigjur nevojave dhe për të siguruar që të gjithë zërat të dëgjohen dhe përfshihen në të gjitha fushat ka pasoja që ndikojnë pothuajse në gjithçka – në ekonomi, siguri, përparim të përgjithshëm dhe paqe.
Tradicionalisht, përfshirja e grupeve të margjinalizuara është parë nga tri këndvështrime: si mjet për t’i respektuar të drejtat e njeriut, si kërkesë ligjore dhe si platformë për ta përmirësuar imazhin e dikujt. Përderisa këndvështrimi i parë është argumenti kryesor që përdoret publikisht, dy të tjerët përbëjnë arsyet pse kemi së paku një larmi në shoqërinë tonë. Megjithatë, përveç që kjo është gjëja e duhur për t’u bërë, ka dobi të shumta nga përfshirja e grupeve të margjinalizuara që subjekteve të ndryshme duhet t’u japin shtysë të mëtejshme për t’i shtuar përpjekjet e tyre për të qenë më përfshirës.
Në Kosovë, ne e kemi pasur një përparim në përpjekjet tona për diversitet dhe përfshirje, por mund të bëhet shumë më shumë. Kryesorja është që të sigurojmë që përpjekjet për fuqizim të përqendrohen në ngritjen e njerëzve, duke u dhënë atyre zgjedhje dhe pavarësi. Mbështetja në formë të asistencës dhe ndihmës sociale nuk mjafton për t’i fuqizuar personat me aftësi të kufizuara, pakicat etnike dhe grupet e tjera të cenueshme. Këto mjete ofrojnë lehtësim të njëhershëm, por që nuk përbën zgjidhje të qëndrueshme. Ky lehtësim madje krijon varësi, e cila shndërrohet në një cikël vicioz.
Fuqizimi i grupeve të margjinalizuara, me fokus në gratë dhe të rinjtë, është në themel të Fondacionit Jahjaga. Ne angazhohemi që t’i rrisim kapacitetet dhe t’u ofrojmë mundësi grupeve të margjinalizuara që atyre ua mundësojnë që të bëhen të pavarur financiarisht, çfarë është veçanërisht e rëndësishme për të mbijetuarat e dhunës së bazuar në gjini, që shpesh i kthehen abuzimit për shkak të mungesës së alternativave. Përmes programeve të ndryshme, ne po ashtu punojmë që ta ndryshojmë narrativin për grupet e margjinalizuara, nga të dobët dhe të varur, në të fortë, të qëndrueshëm dhe të aftë për të kontribuar në komunitetet dhe shoqërinë e tyre. Ne po ashtu përqendrohemi vazhdimisht në dobitë e diversitetit dhe përfshirjes, si mjete për t’i angazhuar akterët e ndryshëm në përpjekjet e tilla. Përmes kësaj qasjeje shumëdimensionale synohet që individët nga grupet e margjinalizuara të ngriten dhe që atyre t’u mundësohet që ta bëjnë kalimin nga që qenit të varur nga kujdesi i të tjerëve në resurse që mund t’i sjellin ndryshimet e nevojshme.
Nuk mund të kemi progres të konsiderueshëm pa grupet e margjinalizuara. Ato na duhen për ta arritur zhvillimin që e dëshirojmë. Prandaj, përfshirja e tyre në të gjitha fushat nuk është barrë që duhet ta bartim, as “vepër e mirë e vetëmohimit”. Është formë e angazhimit të më shumë resurseve për t’u angazhuar për të ardhmen që e duam dhe, për këtë arsye, nuk mund t’i lëmë grupet e margjinalizuara duke pritur derisa të zgjidhen çështjet e tjera.
Brikena Avdyli, Drejtore Ekzekutive, Fondacioni Jahjaga