Prill 30, 2015 | Thursday
(photo credits Layla Barake). Branimir Pofuk është gazetar i njohur, kritik i muzikës dhe kolumnist nga Kroacia. Para disa ditësh ai ishte në Prishtinë për të marrë pjesë në Festivalin DAM (Festivali Ndërkombëtar i Muzikantëve të Rinj), një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë. Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së ishte nikoqire e punëtorisë së tij për kritikë muzikore me gazetarë vendorë.
EUICC: Ju lutem, a mund të na tregoni se si jeni përfshirë fillimisht në gazetari dhe si kritik i muzikës?
Pofuk: Kur isha student i muzikologjisë në Zagreb, dikur në të 80at, një ditë redaktori i muzikës në Radio 101 erdhi në Akademinë e Muzikës dhe pyeti se kush dëshironte të punonte si kritik i muzikës. Unë fillova këtë punë dhe më pëlqeu. Në mesin e kolegëve më të vjetër kisha drejtues të shkëlqyeshëm dhe kjo ishte e gjitha. Zëri im u dëgjua dhe më vonë më ofruan të punoj për gazeta dhe revista të ndryshme. Prandaj, që nga fillimi kritika muzikore dhe gazetaria ishin për mua si dy krahë të të njëjtit zog, dy gjëra që plotësojnë njëra tjetrën dhe që nuk mund të ndahen.
EUICC: Pse është e rëndësishme kritika muzikore për audiencën?
Pofuk: Për ata që ndjekin një koncert, është e rëndësishme që të jenë në gjendje të krahasojnë përvojat e tyre, që është pika më e rëndësishme, me mendimet e të tjerëve; nëse është e mundur me mendimet e dikujt që ata do të mund t’i besonin dhe që duhet t’i besojnë. Mirëpo, për mua gjithmonë ka qenë më e rëndësishme t’u drejtohem atyre njerëzve që nuk kanë qenë në koncert, për t’ua përshkruar koncertin dhe për të ndarë me ta ndjenjat, – natyrisht nëse ka pasur të tilla – për t’u treguar se çfarë kanë humbur dhe për t’i inkurajuar që herën e ardhshme të jenë të pranishëm në sallën e koncertit vetë. Shumë njerëz duhet të inkurajohen përmes edukimit dhe mediave që të vizitojnë koncertet e muzikës klasike sepse nganjëherë ata mendojnë se nuk e kanë vendin aty, se ajo është vetëm për “elitën” ose se nuk janë mjaft të edukuar për ta kuptuar atë. E gjithë kjo është e gabuar.
EUICC: Çfarë ju ka befasuar më së shumti gjatë punës suaj me artistë?
Pofuk: Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem i befasuar shumë kur takoj artistë të mëdhenj e të famshëm dhe pastaj shoh në ta dikë të thjeshtë, modest, të sjellshëm dhe të dashur. Jo të gjithë ata, por shumica prej tyre janë kështu. Po ashtu, në bazë të përvojës sime, artistët janë në gjendje të flasin për gjërat më të ndërlikuara me fjalët më të thjeshta. Ata kanë intuitë dhe njohuri më të thellë për botën, jetën, vdekjen, universin, kohën, qetësinë, përjetësinë…sepse ata mësojnë për to përmes muzikës. Edhe zhanret e tjera të artit gjithashtu, mirëpo muzika dhe sekreti i saj dhe gjuha e saj universale zënë një vend të veçantë.
EUICC: Çfarë konsideroni gjënë më sfiduese rreth kritikës muzikore?
Pofuk: Gjetja e baraspeshës së duhur në mes të raportimit objektiv dhe përshtypjeve subjektive. Nuk është vetëm një muzikë, por ka shumë “muzika”, meqë shumë zemra dhe mendje e dëgjojnë atë. Zërat muzikorë veprojnë në ajër sipas ligjeve të fizikës së pastër, mirëpo te secili prej nesh tingëllojnë në një mënyrë të ndryshme, sepse secili prej nesh është gjithashtu një instrument i veçantë.
EUICC: Së fundmi keni qenë në Kosovë në kuadër të Festivalit DAM duke punuar me gazetarë që mbulojnë ngjarjet kulturore. Nga pikëpamja juaj, sa dinë ata për kritikën muzikore?
Pofuk: Pothuajse asgjë, dhe është e rëndësishme që ata ta dinë këtë. Mirëpo, derisa ata janë duke punuar në departamente të kulturës në media të ndryshme dhe përderisa raportojnë për ngjarje kulturore dhe artistike, ata duhet të zhvillohen duke punuar dhe mësuar vetë. Jam impresionuar se sa të dedikuar dhe të përkushtuar janë ata për profesionin e tyre dhe po ashtu për rregullat themelore profesionale të gazetarisë. Nëse keni mungesë të njohurisë dhe përvojës në fushën e caktuar, mënyra më e mirë është që të mbështetesh në rregullat themelore të profesionit. Dhe ata po e bëjnë këtë. Në këtë mënyrë ata mbrohen nga gabimet gjatë informimit të audiencës së tyre.
EUICC: Cili do të ishte mesazhi juaj për dikë që mendon të bëhet kritik i muzikës?
Pofuk: Si kritik i muzikës sot, kur kultura dhe veçanërisht muzika klasike janë lloje në rrezik, këtë rol e shoh si punë misionare. Komplimenti më i madh që kam marrë ndonjëherë nga një muzikant ishte: Ju jeni një prej kritikëve të rrallë të muzikës, i cili në të vërtetë e do muzikën. Isha i nderuar nga një deklaratë e tillë.