Qershor 28, 2015 | Sunday

Blogu i mysafirëve: Mendo globalisht … Vepro lokalisht nga Labinot Salihu

Edhe pse ndryshimet klimatike në botë kuptohen si çështje globale dhe se në ato ndryshime qytetari pak ka ndikim, në realitet roli i secilit qytetar është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Ndryshimet klimatike ndodhin si pasojë i efektit serë i cili krijohet si rezultat i energjisë që ne përdorim nga vozitja e veturave ose shfrytëzimi i energjisë elektrike. Tjetër faktor që ndikon në shkaktimin e këtij efekti janë edhe proceset tjera të cilat në praktikë na e lehtësojnë jetën por që në fakt në terma afatgjatë shkaktojnë dëme të mëdha. Ky efekt negativ që ne shkaktojme mund të përmirësohet përmes hapave të vegjël.
Masat për të parandaluar efektin serë janë aq të rëndomta dhe lypin aq pak mund, sa secili me pak vëmendje mund të ndihmojë që të ndryshohet për mirë fati i botës. Mjafton t’i ndërroni poçat që përdorni në shtëpinë tuaj ose ta keni nën kujdes gazin që liron vetura juaj, dhe gjërat kanë për të ecur më mirë.

Në shtëpi…
1. Zëvendësoni poçat konvencionalë me të tillë që kursejnë energjinë dhe do të kurseni xhepin tuaj dhe jetën e planetit. Sipas studimeve, nëse çdo shtëpi amerikane do të ndërmerrte një hap të tillë, atëherë do të limitohej efekti serë në të njëjtën mase sa sikur të hiqen nga përdorimi 10 milionë vetura.
2. Izolojini gjërat në shtëpinë tuaj! Nëse zgjedhini t’i ndërroni dritaret merrni të tilla që izolojnë shumë mirë dhe po mundët veproni njëjtë edhe me dyert. Kujdesni që të keni një shtëpi të izoluar mirë që në start në mënyrë që më pas të kurseni për ngrohje dhe si rrjedhojë edhe planeti do të jetë më i sigurt.
3. Reduktoni, ripërdorni dhe ricikloni. Rregulli i tri R-ve vlen miliona. Kjo është pak e vështirë që të vlejë për ne sepse përreth ka pak ose aspak mundësi riciklimi. E megjithatë ne mund të ndërmarrim masa paraprake që të mos vijë deri te riciklimi. Në vend të qeseve të plastikës mund të përdorim trasta stofi e në vend të shisheve plastike mund të preferojmë të qelqtat.
4. Përdoreni ujin me mend meqë kursimi i tij është fare i thjeshtë. Deri te krijimi i ujit të pijshëm si produkt duhet shume punë dhe rrjedhimisht edhe shumë energji.

Në rrugë…
1. Sa herë del në treg për të blerë pajisje, mos u mashtro nga çmimet e ulëta që të marrësh ato që të konvenojnë më shumë për momentin. Mbase pajisjet që janë miqësore ndaj ambientit kushtojnë më shtrenjtë në start, por më pas ato qëndrojnë më gjatë, s’kanë nevojë për riparime dhe e arsyetojnë çmimin. Plus kësaj ato e ruajnë ambientin dhe kjo është vërtet me peshë të madhe për ne dhe brezat që do të na pasojnë.
2. Përkujdesni mirë për veturën tuaj. Një veturë e mirëmbajtur e kursen ambientin me shumë ngase ju mund ta mendoni.
3. Përdorni transportin publik.
4. Nëse e keni të mundur përdorni vajra të riciklueshme. Në vendin tonë kjo është pak më e vështirë por nëse eventualisht keni mundësi, jeni tepër të inkurajuar që ta bëni.
Në shkollë…
1. Sille shkencën në jetë! Nëse mësoni në shkollë rreth çështjeve të ambientalizmit mos i mbani ato në letër. Mos u kujdesni vetëm që t’i dini përmendësh nëpër testet vlerësuese, por më shumë se kaq bëni kujdes që t’i aplikoni ato mësime në praktikë. E çka është më e rëndësishmja diskutojini ato me shoqet dhe shokët dhe bartini te sa më shumë njerëz të tjerë.
2. Nëse jeni në shkollë të mesme organizoni tryeza, debate, kampanja ose forma të tjera dhe bëni lobim publik për këtë çështje. Të jeni të bindur impakti i fjalës suaj është i jashtëzakonshëm dhe fuqia e veprimtarisë suaj mund të ndryshojë plot gjëra.

Autori është aktivist i shoqërisë civile dhe ambientalist