Maj 26, 2021 | Wednesday

“HOW DO I SEE YOU?” – bashkon të rinjtë nga Kosova dhe Serbia

Pajtimi ndërmjet njerëzve nuk ka qenë kurrë proces i lehtë. Përgjatë gjithë historisë së njerëzimit, janë dashur vite, dekada dhe shekuj të tërë që popujt dhe shoqëritë ta harrojnë të kaluarën dhe të ecin përpara. Gjeneratat e reja kanë qenë gjithmonë pionierët e ndryshimeve pozitive në shoqëri, duke thyer barrierat dhe duke hapur dyert për veten dhe të tjerët përreth tyre për t’u njohur me njerëz nga kombësi, fe, kultura, besime politike dhe cilësi të tjetra të ndryshme, pa paragjykime.

Nisur nga kjo, organizatorët e festivalit më të njohur të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Kosovë dhe rajon, “DokuFest”, në bashkëpunim me Foundation Fund B92 (Beograd) dhe Festivalin e Filmit Zonë e Lirë (Beograd), mbështetur nga Bashkimi Evropian në Kosovë, erdhën me idenë e grumbullimit të të rinjve nga Kosova dhe Serbia në një program shkëmbimi kulturor të quajtur “HOW DO I SEE YOU?” – me qëllim të angazhimit të tyre në një shkëmbim kuptimplotë ndërpersonal dhe bashkëpunim kulturor përmes videove të prodhuara, vizitave të përbashkëta në lokacionet e trashëgimisë kulturore, punëtorive dhe aktiviteteve të tjera.

Eroll Bilibani, udhëheqës i “DokuLab” në Dokufest shpjegon: “Qëllimi parësor i projektit është shkëmbimi kulturor dhe ndërpersonal mes të rinjve nga Kosova dhe Serbia, në mënyrë që të munden ta njohin më mirë njëri-tjetrin, duke kuptuar më shumë për interesat e tyre të përbashkëta dhe problemet e rritjes, dhe si rezultat të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për njëri-tjetrin. Për ta arritur këtë ata do të mbajnë takime virtuale si dhe fizike, pas të cilave ata do të jenë në gjendje të prodhojnë video-portrete të shkurtra artistike të njëri-tjetrit, që burojnë nga njohuritë personale, dhe jo nga gjuha e urrejtjes dhe lajmet e rreme të ndërtuara dhe nxitura nga grupe të ndryshme interesi përmes narrativave mediatike”.

Si në çdo sferë tjetër, pandemia COVID-19 ka pasur ndikim edhe në këtë projekt, pasi u desh të ndryshohej forma e grumbullimit të tyre të parë fizik, duke kaluar në grumbullim online. Sidoqoftë, ky ndryshim nuk i ndaloi pjesëmarrësit të njiheshin më mirë dhe të ndanin portretet e tyre vizuale me njëri-tjetrin.  Gjatë takimit të parë virtual, dy pjesëmarrëse, Hatixhe Misini dhe Nikolina Preocanin, e përshkruan njëra-tjetrën përmes video-projekteve artistike të prodhuara prej tyre. 

Portreti audio-vizual i Hatixhe Misinit punuar nga Nikolina Preocanin

Portreti audio-vizual i Nikolina Preocaninit punuar nga Hatixhe Misini

Projekti parasheh edhe aktivitete të tjera. Mbledhja e dytë (kampi) do të jetë aktivitet fizik dhe do të mbahet në qershor. Pjesëmarrësit e moshës 18-25 vjeç nga Kosova dhe Serbia do të kenë mundësinë të mblidhen së bashku për një javë në kampin në Serbi dhe të krijojnë portrete audio-vizuale të njëri-tjetrit. Puna e tyre do të ekspozohet në edicionin jubilar të festivalit të filmit DokuFest, në gusht të vitit 2021, në Prizren; si dhe në Beograd, gjatë edicionit të 17-të të Festivalit Zonë e Lirë, që do të mbahet në nëntor të këtij viti.