Janar 24, 2022 | Monday
“Hyjneshat” – ekspozita e skulptores Arjeta Miftari, është hapur sot në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë. Përmes “Hyjneshave”, të vendosura në rrethin e bardhë nga poliesteri, ku secila prej tyre bart një mesazh në vete të shkruar në letër të bardhë, artistja Miftari paraqet rrugëtimin 14 vjeçar të Kosovës drejtë Bashkimit Evropian. Ndërkohë që e përbashkëta e secilës prej hyjneshave është shalli të cilat ato e bartin, e që është edhe pjesë e pandashme e vet artistes.
Përpos skulpturave, artistja Miftari e veshur me rrobat e punës, ka ekspozuar edhe 30 fotografi të cilat shfaqin momente gjatë punimit të hyjneshave në galerinë e saj. Gjithashtu të ekspozuara janë edhe verzionet e printuara të “Hyjneshave”.
Hapja e një ekspozite të tillë për artisten Miftari ka qenë një dëshirë e kahmotshme. “Përmes punës mund të arrijmë në Bashkimin Evropian, sepse ne jemi ata të cilët dimë më së miri të prezantojmë artin, kulturën e vlerat tona” është shprehur Miftari.
Ekspozita po qëndron e hapur në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë dhe mund të vizitohet çdo ditë pune, nga ora 9:00 – 18:00.