Dhjetor 27, 2023 | Wednesday
Profil i Elienta Culajt
Elienta Culaj është ambasadore e re evropiane e gjeneratës së tretë dhe studente e Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ajo e nisi punën e saj vullnetare në vitin 2018 dhe prej atëherë ka nisur dhe ka marrë pjesë në nisma me ndikim për komunitetin. Profili i mëposhtëm ofron një vështrim të shkurtër mbi rrugëtimin e saj si vullnetare në vendlindjen e saj në Klinë dhe në Kosovë në përgjithësi.
Elienta Culaj është ambasadore e re evropiane e gjeneratës së tretë dhe studente e Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Përkundër dashurisë së saj për dizajnin grafik, vullnetarizmi dhe aktivizmi kanë qenë gjithmonë dy gjëra që i kanë sjellë gëzim dhe entuziazëm. Rrugëtimi i saj si vullnetare filloi në vitin 2018 në vendlindjen e saj kur u zgjodh udhëheqëse e grupit të të rinjve Klina Youth Chapter që funksionon në kuadër të Qendrës Rinore “Ardhmëria”. Në vitin 2019, Klina Youth Chapter iu bashkua People to People Network (Rrjeti Njerëz me Njerëz) dhe kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për Elientën që ta prezantonte punën e qendrës së saj rinore para anëtarëve të rrjetit në Plovdiv, Bullgari. “Klina Youth Chapter është një grup aktiv që më mbajti të lidhur me njerëzit, vullnetarët e tjerë nga “Korpusi i Paqes” dhe vendasit”, thotë Elienta.
Aktivitetet e organizuara në kuadër të Klina Youth Chapter në vendlindjen e saj shërbyen si katalizator për potencialin e Elientës për aktivizëm dhe vullnetarizëm. Përgjatë viteve, ajo ka kryer mbi 320 orë punë vullnetare dhe komunitare! Përmes Klina Youth Chapter u hapën mundësitë që Elienta të ishte pjesë e dy programeve Erasmus + dhe Korpusit të Solidaritetit Evropian: Programi Shake Your Sound i mbajtur në Catania, Sicili, dhe Ndërtimi i një Shtegu Permakulture i mbajtur në Steyeberg, Gjermani.
Përmes këtyre dy programeve, Elienta i pasuroi njohuritë e saj për kulturat e tjera. Me synimin për t’i bashkuar njerëzit përmes muzikës, Shake your Sound ishte program i shkëmbimit rinor i financuar nga Erasmus+, i cili bashkoi 40 pjesëmarrës në punëtori, vizita kulturore dhe mbrëmje të shkëmbimeve ndërkulturore. “Mësova shumë për kulturat e tjera, njoha njerëz të rinj, zbulova dallimet në secilën kulturë dhe pata mundësinë të zbuloja më shumë për gjuhën dhe komunën e Katanias në Sicili,” thotë Elienta kur e pyesim për ndikimin e këtij programi.
Si pjesë e Ndërtimit të Shtegut të Permakulturës, nga ana tjetër, Elienta së bashku me vullnetarë nga vende të tjera të Erasmus+, filluan të punojnë dhe të mbjellin së bashku në një shteg Permakulture.
Për më tepër, ajo vazhdoi të ndjekë trajnime dhe punëtori me tema të ndryshme të organizuara nga organizata të njohura lokale dhe rajonale të shoqërisë civile si I2Space, LENS space, RYCO, USAID dhe TruAktiv. Ajo u takua me kolegët e saj Ambasadorë të Rinj Evropianë përmes një prej Udhëtimeve të Karvanit të organizuar nga RYCO, ku ajo mori frymëzim për të aplikuar për t’u bërë Ambasadore e Re Evropiane. Të qenurit Ambasadore e Re Evropiane, siç thotë vetë Elienta, e ka ndihmuar t’i zgjerojë lidhjet e saj, duke marrë pjesë në shumë fushata online, punëtori, festivale dhe konferenca të realizuara nga Bashkimi Evropian, duke kontribuar në interesa të ndryshme kyçe si arti dhe kultura, të drejtat e njeriut dhe integrimin në BE. “Përmes Rrjetit të Ambasadorëve të Rinj Evropianë, zbulova kapacitete të reja tek vetja. Jam shumë e nderuar që jam Ambasadore e Re Evropiane dhe qëndroj e lidhur me Ballkanin Perëndimor, promovoj vendin tim dhe vazhdoj të luftoj për të drejtat e njeriut”, thotë Elienta.
“Thjesht ekzistenca nuk është e mjaftueshme. Duhet të krijojmë, të bashkohemi dhe të lëvizim që të mund të themi se po jetojmë” është besimi që e udhëheq në rrugëtimet dhe ndërmarrjet e saj si vullnetare.