Janar 29, 2024 | Monday
Nga Dukagjin Kelmendii, HandiKOS
I zbatuar nga HandiKOS dhe partnerët e vet gjatë një periudhe pesëvjeçare, projekti i financuar nga BE-ja, Kosova Gjithëpërfshirëse, ka realizuar ndërhyrje në fusha të ndryshme me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Në blogun e mëposhtëm, Dukagjin Kelmendi nga HandiKOS thekson disa nga arritjet kryesore të projektit që forcoi pozitën e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë përmes aktiviteteve avokuese në institucionet lokale dhe qendrore, edukimit dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Për shumë vjet në Kosovë, pak është bërë për avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Mbështetja e kufizuar, shërbimet e pamjaftueshme shëndetësore dhe qasja e dobët në shërbimet ekzistuese, e kanë bërë vërtet sfidues integrimin social për këta persona. Zbatimi i pamjaftueshëm i legjislacionit dhe politikave ekzistuese, si dhe mungesa e një kornize të saktë ligjore që mbron të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, po i bëhen pengesë planifikimit dhe buxhetimit gjithëpërfshirës për ndërhyrjet e duhura dhe ofrimin e shërbimeve.
Projekti i financuar nga BE-ja “Kosova Gjithëpërfshirëse” është bazuar fuqishëm në Qasjen e Bazuar në të Drejtat e Njeriut, duke synuar ngritjen e vetëdijesimit se personat me aftësi të kufizuara nuk duhet të shihen si objekte bamirësie, përfitues të mirëqenies sociale apo si persona të reduktuar në aftësinë e kufizuar të tyre, por si anëtarë aktivë dhe të barabartë të shoqërisë dhe me të drejtat e veta legjitime. Në këtë drejtim, gjatë gjithë zbatimit të projektit caku ishin institucionet themelore publike, si bartës të detyrës, përgjegjësia e të cilave është promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
Me qëllim të promovimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse në të cilën personat me aftësi të kufizuara e realizojnë potencialin e tyre të plotë dhe jetojnë jetë të dinjitetshme si qytetarë të barabartë, më 1 janar 2019, HandiKOS në partneritet me Shoqatën Kosovare të të Shurdhërve (SHKSH), Shoqatën e të Verbërve të Kosovës (SHVK), Disability Partnership Finland (DPF), Threshold Association nga Finlanda, dhe subjekti i lidhur – Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar (FKAK), filluan zbatimin e Projektit Kosova Gjithëpërfshirëse të financuar nga BE-ja.
Teksa roli i HandiKOS-it dhe partnerëve të tjerë të projektit si akterë të fortë në shoqërinë civile të Kosovës, ishte forcimi i kapaciteteve të sektorit për aftësinë e kufizuar, duke avokuar për integrimin e aftësisë së kufizuar dhe promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara (PAK), roli i partnerëve finlandezë ishte ofrimi i këshillave teknike, ekspertizës dhe mbështetjes kolegiale për organizatat kosovare për personat me aftësi të kufizuara në fushat e demokracisë organizative, punës avokuese dhe qasshmërisë.
Projekti kishte për qëllim të ndikonte në çështjet e aftësisë së kufizuar në Kosovë me qëllim kryesor promovimin dhe kultivimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse. Për ta arritur këtë rezultat, ndër të tjera, ishte e rëndësishme që të sigurohej disponueshmëria e të dhënave për çështjet e aftësisë së kufizuar, të cilat do të ishin të dobishme për institucionet publike dhe OPAK-të për t’i përdorur për planifikimin, monitorimin dhe përfshirjen e nismave specifike për aftësinë e kufizuar.
Përgjatë pesë viteve të zbatimit, projekti ka punuar në tri fusha kryesore: hartëzimin e gjendjes së personave me aftësi të kufizuara në Kosovë; aktivitetet e avokimit me palët përkatëse publike të interesit, dhe aktivitetet ndërmjet kolegëve që punojnë drejtpërdrejt me personat me aftësi të kufizuara.
Raport Hulumtues “Ku qëndron Kosova?”
Duke u nisur nga mungesa e të dhënave të besueshme dhe të përditësuara për legjislacionin aktual që promovon dhe mbron të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, veprimi i parë i projektit ishte zbatimi i një studimi hulumtues për të parë se ku qëndron Kosova në raport me standardet ndërkombëtare për çështjet e aftësisë së kufizuar, Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, si dhe me Acquis Communitaire të Bashkimit Evropian, në fushat përkatëse.
Studimi hulumtues shqyrtoi standardet ndërkombëtare për aftësitë e kufizuara të kodifikuara në konventat dhe aktet ligjore përkatëse përmes kategorive të mëposhtme: 1. E drejta për jetë dhe drejtësi, 2. Pavarësia, privatësia, familja dhe jeta në komunitet, 3. Qasshmëria, 4. Arsimi, 5. Liria, mbrojtja nga tortura, integriteti dhe lëvizshmëria, 6. Barazia, mosdiskriminimi (gratë dhe fëmijë), 7. Shëndeti, 8. Punësimi dhe kujdesi social, 9. Pjesëmarrja publike, 10. Statistikat dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Gjetjet e hulumtimit treguan se më pak se një e treta (30.72%) e obligimeve (standardeve) të vlerësuara ndërkombëtare për aftësitë a kufizuara janë plotësisht të përfshira në legjislacionin e Kosovës. Pjesa e mbetur e obligimeve përbëhet nga kategoria që vlerësohet e adresuar pjesërisht (50.00%) dhe kategoria e standardeve që mungojnë (19.28%). Qasshmëria mbetet kategoria më sfiduese, me vetëm 6.77% të standardeve të përfshira plotësisht në legjislacion. Për pjesëmarrjen publike, statistikat dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, u konstatua se standardet mungonin në nivel 60% deri në 100%. Duhet theksuar se në përgjithësi, shumica e obligimeve (standardeve) vlerësohen si “Pjesërisht të adresuara” (50%). Kjo do të thotë se gjysma e standardeve të vlerësuara, edhe pse janë pjesë e legjislacionit të Kosovës, nuk arrijnë t’i përfshijnë plotësisht standardet përkatëse, duke ua penguar kështu personat me aftësi të kufizuara që t’i gëzojnë dhe t’i ushtrojnë plotësisht të drejtat përkatëse.
Me qëllim të avokimit për ndërhyrje urgjente, Gjetjet e hulumtimit të botuar me titullin “Ku qëndron Kosova?” iu prezantuan Qeverisë së Kosovës dhe palëve të tjera relevante të interesit në Konferencën vjetore të organizuar më 3 dhjetor 2019. Gjetjet e hulumtimit u përdorën gjatë zbatimit të projektit për të avokuar për kushte më të mira për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Këshilli për Persona me Aftësi të Kufizuara
Pas punës avokuese të përfaqësuesve të Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara dhe koordinimit të ngushtë me Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në Qeverinë e Kosovës, më 22 qershor 2021, Kryeministri nënshkroi vendimin për themelimin e Këshillit për Persona me Aftësi të Kufizuara, organi më i rëndësishëm për sektorin e aftësive të kufizuara, i cili do të monitorojë zbatimin e Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, si dhe do të bashkëpunojë me strukturat qeveritare për promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Prej themelimit të tij – i kryesuar nga Zëvendëskryeministri dhe i përbërë nga zëvendësministra të ministrive të linjës dhe përfaqësues të organizatave të personave me aftësi të kufizuara në nivel shtetëror – këshilli mblidhet dy herë në vit.
Rezoluta e Kuvendit të Kosovës
Për herë të parë në historinë e tij, më 3 dhjetor 2020, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Kuvendi i Kosovës u mblodh në seancë për të diskutuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe njëzëri miratoi rezolutën ku thuhet: (1) [Kuvendi i Kosovës deklaron] përkushtimin e tij për të përmirësuar kornizën kushtetuese dhe legjislative që do të garantojë dhe mbrojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë; (2) Institucionet e autorizuara inkurajohen të propozojnë amendament kushtetues për përfshirjen e Konventës për të Drejtat e Njeriut të Personave me Aftësi të Kufizuara në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës; (3) Viti 2022 shpallet Viti i Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë.
2022 – Viti i Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Kalendari i Aktiviteteve
Pas rezolutës së Kuvendit të Kosovës dhe nënshkrimit të vendimit të Qeverisë për shpalljen e vitit 2022 si Viti i Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë, Kalendari i Aktiviteteve për vitin 2022 u hartua me kontribute nga afër të organizatave të personave me aftësi të kufizuara (HandiKOS, Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, Down Sindrome Kosova dhe shoqata “Autizmi” dhe Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar) dhe përfaqësuesve të ministrive relevante. Përmes projektit të financuar nga BE-ja, Kosova Gjithëpërfshirëse, u organizuan shtatë punëtori njëditore që siguruan një kalendar gjithëpërfshirës të aktiviteteve duke përfshirë përfaqësues të OPAK-ve dhe zyrtarë qeveritarë. U dizajnuan dhe zbatuan aktivitetet në katër fusha: arsim; punësim; shëndet, dhe rini, kulturë dhe sport. Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, të premten më 2 dhjetor 2022, të gjitha shkollat publike në Kosovë ia kushtuan orën e parë të ditës të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Për më tepër, gjatë vitit 2022, në shkollat publike të Kosovës janë punësuar 86 asistentë për të ndihmuar mësimdhënësit që punojnë me fëmijë me aftësi të kufizuara; tre asistentë të gjuhës së shenjave dhe një përkthyes i gjuhës së shenjave janë punësuar në shkollën Nëna Terezë në Prizren, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së arsimit për fëmijët që nuk dëgjojnë. Këtë vit u lansua edhe sinteza vokale – Programi i TI-së i krijuar për t’u ndihmuar personave të verbër të komunikojnë me pajisjet e TI-së. Mësimdhënësit dhe stafi i 25 shkollave publike të arsimit të mesëm janë trajnuar për ofrimin e qasjes më të mirë në arsim për fëmijët me aftësi të kufizuara. Për sa i përket punësimit, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që kërkon nga të gjitha institucionet publike që të zbatojnë ligjin për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, ministritë kanë raportuar se e kanë përmbushur kuotën. Edhe pse numri i të punësuarve me aftësi të kufizuara është rritur, nuk ka të dhëna të sakta për numrin e saktë të të punësuarve. Në fushën e shëndetësisë, në 20 qendra shëndetësore u vendosën monitorë televizivë që ofrojnë informacion dhe udhëzime shëndetësore në gjuhën e shenjave për personat që nuk dëgjojnë. Së fundmi, në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka financuar më shumë se njëzet projekte që kanë mbështetur aktivitetet sportive dhe kulturore të personave me aftësi të kufizuar.
Hartimi i Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar
Strategjia Kombëtare 2024-2029 dhe Plani i Veprimit 2024-2029 janë dokumentet më të rëndësishëm të politikave për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë. Përmes projektit Kosova Gjithëpërfshirëse me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Bashkimit Evropian, janë angazhuar ekspertë të njohur nga SOCIEUX+ për të mbështetur hartimin e këtyre dokumenteve. Procesi u zbatua në tri faza, me të parën që konsistoi në punëtori të udhëhequra nga ekspertë ndërkombëtarë, me synim vlerësimin e Strategjisë së mëparshme Kombëtare dhe Planit të Veprimit 2021-2023, organizuar nga ZQM me përfaqësues të OPAK-ve dhe ministrive relevante. Procesi vazhdoi me fazën e dytë që konsistoi në punëtori me të njëjtat palë të interesit për të punuar në draftin e parë të Strategjisë dhe Planit të Veprimit. Faza e tretë konsistoi në krijimin e mekanizmave për monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit.
Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (UNCRPD)
Si rezultat i takimeve të shumta avokuese dhe punëtorive të organizuara nga HandiKOS në bashkëpunim me partnerët e projektit dhe ZQM-në, më 13 dhjetor 2022, Qeveria e Kosovës nënshkroi vendimin për inkorporimin e UNCRPD-së (Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara) në Kushtetutën e Kosovës, për t’iu përshtatur kërkesave nga Konventa, një moment historik për të siguruar që të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë të kultivohen dhe respektohen.
Ngritja e kapaciteteve:
Gjatë periudhës pesëvjeçare, Projekti Kosova Gjithëpërfshirëse i financuar nga BE-ja u mundësoi përfaqësuesve të 12 Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara (OPAK) nga niveli lokal dhe kombëtar që t’i forcojnë më tej kapacitetet e tyre duke ofruar trajnime për: mbledhjen e fondeve; shkathtësi për hulumtim; kornizë logjike; shkathtësi për avokim; menaxhimin e burimeve njerëzore, menaxhimin financiar dhe të aseteve; planifikim strategjik; shkrim të projekt propozimeve; monitorim dhe vlerësim; menaxhimin e ueb faqeve dhe rrjeteve sociale; shfrytëzimin e mediave në punën e avokimit.
Edhe pse në kuadër të projektit u organizuan shumë trajnime dhe punëtori për ngritjen e kapaciteteve, trajnimi për auditimin e qasshmërisë në mjedisin e ndërtuar mbetet më i rëndësishmi dhe më i suksesshmi, marrë parasysh sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në Kosovë në lidhje me qasshmërinë. Në dy fazat e këtij trajnimi morën pjesë 50 përfaqësues të OPAK-ve në nivel kombëtar, ndërsa në dy fazat e fundit u trajnuan shtatëdhjetë zyrtarë të qeverisjes lokale dhe publike. Pjesëmarrësit u trajnuan për përdorimin e formularëve dhe mjeteve për auditimin e qasshmërisë në mjedisin e ndërtuar, i cili është shumë i rëndësishëm për monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ 33/2007 për Kushtet Teknike të Ndërtesave për Qasjen e Personave me Aftësi të Kufizuara (akti ligjor ekziston por nuk zbatohet).
Ngritja e vetëdijesimit të shoqërisë në përgjithësi për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara ishte një pjesë e rëndësishme gjatë gjithë procesit të zbatimit të projektit të financuar nga BE-ja “Kosova Gjithëpërfshirëse”, duke filluar nga prezenca publike përmes rrjeteve sociale, por edhe me prodhimin dhe publikimin e videove me tema specifike, si Gratë me Aftësi të Kufizuar dhe Punësimi dhe Qasja e Lirë për të Gjithë.
Edhe pse projekti i financuar nga BE-ja “Kosova Gjithëpërfshirëse” ka arritur rezultate të rëndësishme, situata e personave me aftësi të kufizuara mbetet e vështirë veçanërisht sa i përket qasjes, shëndetit, arsimit dhe punësimit. Nën sloganin “Asgjë për ne pa ne”, organizatat e personave me aftësi të kufizuar, tashmë me kapacitete dukshëm më të mira të ofruara nga aktivitetet e projektit, duhet të vazhdojnë të avokojnë dhe ofrojnë ekspertizën e tyre për përfshirjen e aftësisë së kufizuar në legjislacion dhe politikat e qeverisë me qëllim arritjen e synimit afatgjatë për një shoqëri gjithëpërfshirëse, në të cilën personat me aftësi të kufizuara realizojnë potencialin e tyre të plotë dhe jetojnë jetë të dinjitetshme si qytetarë të barabartë.
Për më shumë, shihni HANDIKOS