Tetor 31, 2017 | Tuesday

Integriteti akademik në Universitetin e Prishtinës

Është trend global mashtrimi akademik. Në vendet e zhvilluara ky problem ka theks të veçantë në kapjen e studentëve  dhe mashtrimeve që ata kryejnë gjatë procesit të studimeve, sidomos përmes plagjiatit, mirëpo një lloj tjetër i mashtrimit ka marrë hov të madh poashtu. Është fjala për blerjen e punimeve në tërësi.

Në Kosovë ndonëse flitet për këtë çështje ende nuk është se ka pasur ndonjë raportim a hulumtim që ka shpërfaqur këtë dukuri.

Megjithatë në Kosovë janë bërë hapa të rëndësishëm në një çështje tjetër që lidhet me integritetin akademik. Që prej viti 2014 kur për shkak të tentimit të mashtrimit gjatë procesit të avancimit akademik është shkarkuar një rektor, vëmendja e publikut ka qëndruar drejt profesoriatit të universitetit më të madh në vend.

Gjatë vitit 2015/16 kulmoi me bllokadën që ish rektori Ramadan Zejnullahu i kishte bërë Senatit me qëllim pengimin e avancimeve të pamerituara. Kjo rezultoi në protesta e situata kritike të cilat patën efekt në rritjen e vëmendjes së publikut në një problematikë globale. Kosova sot mund të jetë vendi që më së shumti e ka trajtuar çështjen e revistave mashtruese (predatory journals).

Pas disa raportimeve në medie për këtë dukuri që nga viti 2014, dhe pas shkarkimit të një rektori dhe shumë protestave në Kosovë ka filuar një debat i shoqërisë civile dhe institucioneve lidhur me këtë çështje.

ORCA (Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim) në shkurt të vitit 2017 ka publikuar raportin “Integriteti Akademik i Drejtuesve të Universitetit të Prishtinës” në të cilin thuhet se 25 nga 61 profesorët me tituj akademikë (rreth 40%) të cilët kanë pozita udhëheqëse kanë të paktën nga një punim në revista të dyshimta.

Më tutje në raport trajtohet çështja e justifikimit të titujve akademikë. Për të fituar titull akademik një nga kushtet kryesore është numri i punimeve shkencore. Kur ORCA ka parë se a do t’i justifikonin titujt aktualë akademik drejtuesit e UP-së në rast se punimet në revista të dyshimta do të hiqeshin nga numërimi, doli se 30 nga 61 profesorë me tituj akademikë (rreth 50%) që kanë pozita udhëheqëse nuk do të mund t’i mbanin titujt aktualë akademikë.

Ajo që rezultoi më shqetësuese nga hulumtimi isht llogaritja për atë se a do t’i justifikonin titujt akademikë drejtuesit e UP-së nëse do t’u numëroheshin si punime të mirëfillta edhe punimet në revista të dyshimta. 26 nga 61 profesorë me tituj akademikë (rreth 40%) që kanë pozita udhëheqëse nuk i justifikojnë tituj edhe po t’u numërohen si punime të mirëfillta punimet në revista të dyshimta.

Kjo tregoi se ka pasur një shkelje sistematike të Statutit dhe ligjeve në fuqi. Një numër i madh profesorësh janë avancuar në tituj akademikë pa pasur numër të mjaftueshëm të punimeve shkencore.

Për këtë arsye ORCA u orientua në monitorimin e procesit të avancimeve që ndodhi gjatë vitit 2017. Pas një presioni të madh mediatik të udhëhequr nga ORCA dhe i ndihmuar nga organizata të ndryshme mediatike e joqeveritare u arrit një sukses i prekshëm në këtë çështje.

Në procesin e vitit 2017 të avancimeve akademike u rekomanduan për avancim 131 kandidatë. ORCA vlerësoi se 74 nga të rekomanduarit për avancim nuk i plotësojnë kushtet duke mos pasur punime shkencore të mjaftueshme apo për faktin që punimet ishin të publikuara në revista të dyshimta. Për secilin kandidat ORCA ka dërguar një raport të detajuar te të gjithë Senatorët e UP-së të cilët do të merrnin pjesë në votim. 70 nga 74 kandidatët e vlerësuar negativisht nga ORCA nuk u avancuan.

Për herë të parë Universiteti i Prishtinës realizoi një proces të avancimeve që u karakterizua me shkelje të vogla në krahasim me të kaluarën ku ky proces bëhej me dyer të mbyllura dhe ku shkeljet ishin masive.

Në ndërkohë qeveria e re e Kosovës në programin e saj qeverisës, kapitullin për arsimin e lartë e fillon me fjalinë “Arsimi i Lartë, evidenca e zhvillimeve në Arsimin e Lartë nënkupton problemin thelbësor që është avancimi i stafit akademik”.

Tani çështja e integritetit akademik që lidhet ngushtë me avancimin akademik të personelit të institucioneve të arsimit të lartë, është bërë agjendë shtetërore dhe ky është një sukses tjetër i presionit publik të ushtruar ndër vite nga aktivistët, studentët, mediet dhe organizatat e shoqërisë civile.