Prill 29, 2014 | Tuesday

E DREJTA E PRONËS INTELEKTUALE U SHËNUA NDËRKOMBËTARISHT

Sipas Organizatës Botërore të Pronës Intelektuale (WIPO), një organizatë ndërkombëtare me qendër në Gjenevë, e drejta intelektuale “i referohet krijimeve të mendjes, si shpikjeve; punimeve të letërsisë dhe atyre artistike; dizajneve dhe simboleve, emrave dhe imazheve që përdoren në tregti”. Pikturat, fotografitë, dizajnet, letërsia, kinemaja dhe muzika, si dhe uebfaqet, dizajnet e mobileve, Doracakët e kurseve, koreografitë dhe programet kompjuterike janë të gjitha punime që mund të mbrohen me të drejtë autoriale.

Tri llojet e pronësisë intelektuale (PI) të njohura kudo janë: patentat, e drejta autoriale, markat tregtare. Markat tregtare dhe të drejtat autoriale janë dy llojet e PI-së që dominojnë në industrinë e muzikës. Disa prej kontesteve më të shpeshta ligjore në industrinë e argëtimit janë për të drejtat autoriale dhe markat tregtare, si dhe për plagjiaturë. Megjithatë, në disa raste tjera, kontesti mund të paraqitet edhe mbi pronësinë dhe kontrollin e të drejtës autoriale.

Mbrojtja autoriale nënkupton se kudo që përdoret një vepër e caktuar arti, kjo duhet të ketë autorizimin nga autori i tij  (ose nga bartësi i të drejtës) me qëllim që t’i mundësohet  autorit jetesa nga shfrytëzimi i punimit të tij nga të tjerët, në rast se ai ose ajo dëshiron ta bëjë këtë, duke kërkuar nga të tjerët që të dorëzojnë kërkesën para përdorimit.

Kjo fushë është e rregulluar saktësisht nga Ligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e ndërlidhura, i aprovuar më 30 qershor 1994 (që referohet si “Ligji për të Drejtat e Autorit”). Kjo rregullore është mjaft e rëndësishme, veçanërisht tani në epokën digjitale me qasje të pakufizuar në internet dhe të materialeve të tjera të së drejtës autoriale, mirëpo kjo edhe na afekton të gjithë ne në jetën e përditshme, kur dëgjojmë radio, kur shikojmë televizion, kur kërkojmë “online”, kur lexojmë gazetë, kur shkojmë në kinema, kur fotokopjojmë një artikull gazete ose kur kopjojmë CD-në tonë të preferuar.

Për të shënuar këtë zhvillim të rëndësishëm, agjenci të ndryshme qeveritare, organizata jo-qeveritare, grupe komunitetesh dhe individë organizojnë një numër ngjarjesh dhe aktivitetesh për Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, për çdo vit më 26 prill, në mbarë botën. Qëllimi i shënimit të Ditës së Pronësisë Intelektuale ndërkombëtarisht është rritja e vetëdijësimit dhe mirëkuptimit të pronësisë intelektuale ose PI-së  Botërore, siç edhe referohet nganjëherë.