Qershor 30, 2021 | Wednesday

Intervista e muajit: Guxim Klinaku

A mund të na tregoni më shumë për organizatën “Keep it Green”?

“Keep It Green” është organizatë jo-qeveritare që ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit. Organizata kryesisht vepron në qytetin e Obiliqit mirëpo ka shtrirje edhe në Prishtinë dhe qytetet në regjionin e Prishtinës. Organizata është themeluar fillimisht me misionin e vetëm që ta ndryshoj pozitivisht situatën e rënduar mjedisore në Obiliq, mirëpo përgjatë jetës se saj, fushë-veprimtaria e organizatës është shtrirë edhe në probleme të tjera mjedisore. Organizata financohet nga burime të ndryshme financimi për organizatat e shoqërisë civile. Deri më tani jemi financuar nga Fondet e Bashkimit Evropian në Kosovë, nga fondet e Ambasadës Amerikane në Prishtinë,  dhe jemi të lumtur që jemi mbështetur në shumë raste edhe nga sektori privat. Veprimtaria e organizatës gjatë vitit të fundit është mbështetur nga European Endowment for Democracy.

Cilat janë sfidat më të mëdha të mjedisit momentalisht në Kosovë, dhe cila është qasja juaj ndaj tyre?

Një ndër problemet që kërkon zgjidhje të menjëhershme, është problemi i ndotjes së mjedisit nga Korporata Energjetike e Kosovës në Obiliq. Përkundër faktit që tashmë ekziston një ligj që ndalon operatorin ekonomik të emitoj gazra në atmosferë mbi normat e lejuara të BE-së, ky ligj është larg së qenuri realitet. Operatori ekonomik KEK vazhdon të punoj në kundërshtim me Ligjin për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij.
Duke qenë se KEK, është kompani publike, KIG konsideron që presioni duhet të bie mbi qeverinë e cila si aksionare kryesore e kompanisë bartë edhe përgjegjësinë nëse kompania operon në shpërputhje me rregullat. Zgjidhja është sa e thjeshtë, aq edhe e vetëkuptueshme; respektimi I Ligjit për Obiliqin, pavarësisht kostos eventuale!


Cilat kanë qenë aktivitet kryesore të organizatës, dhe çfarë ndikimi kanë pasur?

Organizata jonë ka organizuar me qindra aktivitete, punëtori, kampanja vetëdijësuese, konferenca, dhe debate.  “Environmental Activism Camp” ka qenë një kamp 3 ditor ku kemi mbledhur 30 të rijnë për të diskutuar për problemet mjedisore në Kosovë, si dhe ndikimin që të rinjtë mund ta kenë për t’i zgjidhur apo shtruar drejt zgjidhjes këto probleme.

Një tjetër projekt që vlen të theksohet është edhe “Green Art Fest”, festival i krijimit artistik me qëllim të përçimit të mesazheve inkurajuese për mbrojtje të mjedisit. GAF është organizuar për 3 vite radhazi, dhe fillimi i pandemisë e ka vështirësuar organizimin e këtij festivali  vitin e kaluar. Gjithashtu, përmes projektit “Law on Obiliq – Know your rights” kemi organizuar kampanja informuese për të drejtat e garantuara që qytetarët kanë nga Ligji për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij.

Përveç kësaj, KIG edhe më tutje vazhdon të monitorojë zbatueshmërinë e këtij ligji, dhe të informoj komunitetin për të drejtat që atyre po u shkelen.  

Cilat kanë qenë arritjet më të mëdha të organizatës suaj, dhe cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni?

Një ndër gjërat që ne si organizate na bën të ndjehemi mirë, është ndihma që kemi dhënë për tu shtyrë përpara Ligji për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij. Pos kësaj, jemi të lumtur për faktin që u kemi dhënë mundësinë qindra të rinjve të rrjetëzohen përmes programeve dhe projekteve tona. Problemet që përballemi si shoqëri nuk janë të atij tipi që zgjidhen me arritje të mëdha dhe të izoluara, por me përparime të vogla dhe të shpërndara në disa drejtime. Kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë. Sfidat që ne si organizatë i kemi përballë janë këto: Si ta rrisim sa më shumë ndikimin;  si të përfshijmë sa më shumë të rinj në punën tonë; dhe si t’i rrisim sa më shumë kapacitetet e organizatës në funksion të dy pikave të para! Gjithashtu, për neve si organizatë sfidë ka qenë edhe pandemia. Veç tronditjes dhe dëmeve të mëdha që ka shkaktuar në jetë njerëzish, ajo na ka mësuar edhe për forma të reja të organizimit, duke e mbajtur distancën dhe duke e rritur sigurinë! Këto metoda vazhdojmë t’i mësojmë edhe ne, dhe na rezulton që janë shumë efektive! Pra duhet të mësohemi me këto metoda, sepse kam përshtypjen që do të jetojnë shumë gjatë! Vlen të theksohet se pandemia Covid-19 ka ndërruar shumë projekte dhe agjenda të organizatës, konform rrethanave të krijuara.

Organizata juaj nxit të rinjtë të jenë aktiv dhe të avokojnë për mbrojtjen e mjedisit. Sa është e vështirë ta bëni një gjë të tillë dhe sa janë të rinjtë të vetëdijshëm për mjedisin?

Padyshim se të rinjtë në Kosovë, përkundër potencialit të jashtëzakonshëm që e kanë, përballen me mungesën e vendeve të punës. Në këtë situatë, interesi i të rinjve për përfshirje aktive në mbrojtjen e mjedisit nuk është në nivelet e dëshirueshme. Prandaj organizata jonë synon që kjo fushë, të jetë në tavolinat e diskutimit të të rinjve, sepse e ndikon jetën e tyre drejtpërdrejt. Nga viti në vit ky interes po rritet, mirëpo ritmi i rritjes mund të përmirësohet padyshim! Për shumë probleme në këtë fushë, ekziston përshtypja e gabuar, se rreziku është larg, se dëmi që po bëhet nuk më pengon personalisht, apo se pasojat do t’i bartin gjeneratat e ardhshme. Ilustrimi shembullor i kësaj përshtypje është ngrohja globale; 1.Rreziku është më afër se kurrë; 2. Tejkalimi I temperaturave me 1.5 – 2 gradë Celsius ndikon në mënyrën e jetës tënde; 3. Pasojat do t’i bartë kjo gjeneratë, dhe gjeneratat e ardhshme po ashtu!