Mars 18, 2021 | Thursday

Intervista e muajit – Sanela Mackic

Intervistë me Sanela Mackic – Koordinatore e Qendrës Mësimore Plemetina

A mund të na tregoni më shumë rreth Qendrës Mësimore Plemetina?

Kjo qendër ekziston që nga viti 2008 në Plemetin, projektet dhe programet më të mëdha gjatë gjithë këtyre viteve janë përqendruar në arsimimin e fëmijëve parashkollorë dhe të moshës shkollore nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Me kalimin e viteve, mosha dhe numri i fëmijëve që ishin pjesëmarrës në qendër ndryshoi në varësi të nevojave të fëmijëve, si dhe donacioneve që mbështetën qendrën dhe programin e qendrës. Sot, programi ndiqet nga rreth 60 fëmijë, nga klasa e parë deri në klasën e pestë të shkollës fillore. Ky program zbatohet nga një facilitator (edukator) dhe tre tutorë (vullnetarë) në punën e drejtpërdrejtë me fëmijët.

Objektivat tona kryesore janë të sigurojmë një kurrikulë gjithëpërfshirëse dhe inovative që siguron një themel të fortë akademik dhe shoqëror për suksesin në të ardhmen. Ofrimi i shërbimeve për fëmijët përmes një ekipi të përkushtuar, të motivuar, të pajisur me kompetencat e nevojshme dhe të trajnuar mirë, i cili ka qëllime të përbashkëta dhe ruan një kod profesional të sjelljes.

Misioni i LCN (Rrjeti i Qendrës Mësimore) është të mbështesë suksesin e fëmijëve në shkolla, familjet e tyre dhe komunitetin e tyre përmes një programi të integruar arsimor dhe zhvillimor, në një mjedis të sigurt dhe inkurajues të të mësuarit.

Cili është programi arsimor që ofron qendra dhe për cilat mosha?

Qendrat veprojnë sipas programit PACE (Aktivitete të Planifikuara për Edukim Koheziv – Planned Activities for Cohesive Education), i cili është krijuar për t’u siguruar fëmijëve përvoja praktike të të mësuarit, përmes aktiviteteve që plotësojnë kurrikulën shkollore, jashtë mësimit tradicional. Përveç gjuhës dhe matematikës, kurrikula gjithashtu përfshin shkencat natyrore dhe shoqërore, jetën dhe punën, aktivitetet shëndetësore si dhe artin, dhe në një masë të madhe zhvillimin socio-emocional të fëmijëve. Fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën të shkollës fillore frekuentojnë qendrën tonë (6 deri në 11 vjeç)

Qendra është themeluar në vitin 2008. Që atëherë çfarë ndikimi kishte në zhvillimin e fëmijëve të vegjël?

Më saktësisht, qendra ekziston që nga viti 2008 dhe me të vërtetë ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin e përgjithshëm të fëmijëve parashkollorë dhe të moshës shkollore nga komuniteti Rom në Plemetin. Shumë sukses është arritur në këto vite, por unë do i ceki vetëm disa: Rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e arsimit që pasqyrohet në vijimin e rregullt të shkollës, uljen e shkallës së braktisjes së shkollës në minimum, numrin më të lartë të vajzave që ndjekin shkollën krahasuar me djemtë (më parë vajzat kishin përfunduar vetëm 4 klasa dhe maksimumin e 8 klasave të arsimit fillor), si dhe rritjen e përgjithshme të suksesit në shkollë të fëmijëve që ndjekin rregullisht programet e qendrës.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet qendra sot?

Ka shumë sfida me të cilat përballemi çdo ditë, por aktualisht është kjo situata me pandeminë Covid-19, sepse zbatimi i aktiviteteve tona është i vështirë dhe i kufizuar, dhe për këtë arsye donacionet dhe mbështetja për qendrën është gjithnjë e më pak e përqendruar në programin tonë.

Pandemia Covid-19 më së shumti goditi të gjitha grupet cenueshme në botë, veçanërisht në arsim. Sa e vështirë ka qenë për qendrën dhe cila ishte strategjia që aplikuat për të improvizuar dhe për t’u përshtatur ndryshimeve?

Si të gjithë, edhe ne duhet të përshtateshim me këtë situatë. Kishte shumë sfida dhe vështirësi, por aktivitetet tona i kemi transferuar online. Ishte e vështirë për ta zbatuar sepse shumë familje ishin pa internet dhe pajisje për këtë lloj mësimdhënie, përmes projekteve dhe donacioneve ne e zgjidhëm këtë dhe u mundësuam fëmijëve të jenë në gjendje të ndjekin mësimin si në shkolla ashtu edhe aktivitetet tona nga qendra. Stafi i qendrës ishte në terren në të gjitha situatat dhe ne bëmë gjithçka që mundëm për të siguruar që familjet dhe fëmijët që frekuentojnë qendrën tonë të jenë të sigurt dhe që qendra të përmbush nevojat themelore gjatë kësaj situate. Kur shkolla filloi të punojë dhe ne formuam grupe më të vogla me fëmijë, i shkurtuam orët e punës për aktivitetet tona duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse.

Mesazhi juaj për të rinjtë e interesuar për të mbështetur qendrën ose për punë në komunitet?

Jemi gjithmonë të hapur për bashkëpunim, për shkëmbim përvojash dhe njohurish, për ide të reja dhe gjithçka me synim për një të ardhme më të mirë për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë.