Mars 25, 2014 | Tuesday

INVESTIMET NË SHKENCË, PËRCAKTOJNË ZHVILLIMIN DHE TË ARDHMEN E VENDIT TONË – Prof. NAIT Vrenezi – Psikolog Social

Përderisa kërcënimi i ikjes së trurit nga Kosova është alarmues, më kërcënues është efekti i zgjatur që do të ketë ndikimi i kësaj në mbijetesën tonë të mirëfilltë. Shkaku i këtij efekti  është shumë i thjeshtë: nëse Qeveria e Kosovës, së bashku me Kuvendin vazhdojnë t’a konsiderojnë investimin në të bërit shkencë në Kosovë, e sidomos në aplikimin e shkencës si dicka sekondare apo terciare, atëherë rënia e ekonomisë inovative të Kosovës, që do të mund të ishte jashtëzakonisht fitimprurëse për vendin, do të ishte “fatale”.

Marrë parasysh problemet e shumta në Kosovë, duke filluar nga ato ambientale, edukative, shëndetësore e gjer te problemet më të imëta me të cilat përballet vendi ynë dhe investimi jashtëzakonisht i vogël, sidomos në nxitjen e zgjidhjes së këtyre problemeve, duke poseduar burime të mjaftueshme njerëzore, me një fjalë duke poseduar njerëz të cilët kanë potencial të jashtëzakonshëm mendor për të ndihmuar në zgjidhjen e këtyre problematikave, është dëshpëruese.

Ne besojmë se me kohë dhe përpjekje, asnjë problem nuk do të mund të mbetej pa zgjidhje. Theksi këtu bie mbi kohën që mund të mos përfundojë kurrë, marrë parasysh që ajo sillet në një cikël të vazhdueshëm, përderisa ne nuk lëvizim nga vendi dhe përpjekjet që mund të mos i bëjmë asnjëherë. Ne e pranojmë dështimin si një pasojë të natyrshme, por në të njejtën kohë duke e ditur se po të ishim përpjekur më shumë, ky veprim do të mund t’na çonte një hap më afër suksesit.

Ligji për Veprimtarinë Kërkimore – Shkencore, e përcakton qartë që ndër të tjera, të punohet në identifikimin e prioriteteve shkencore, për të krijuar kushte për investime infrastrukturore,  për të forcuar  pjesëmarrjen në projektet ndërkombëtare kërkimore – shkencore dhe për të përpunuar një program sistematik arsimor për hulumtues. Një ndër objektivat kryesore është poashtu edhe përkrahja e projekteve që forcon lidhjet midis shkencës, shoqërisë dhe ekonomisë për të nxitur  zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, që në këtë rast vihet në pah aplikimi i shkencës në të mirë të shoqërisë.

Mosinvestimi në shkencë dhe në njerëzit e duhur, do t’na lë shumë prapa popujve fqinjë që i kemi, e lëre më popujve të vendeve të Evropës. Kjo mund të reflektojë edhe në aspiratat tona si shtet i ri, për t’u integruar dinjitetshëm në Bashkimin Evropian.

Mendjet tona më të ndritura, që në këtë rast janë njerëzit e kualifikuar në këtë drejtim, e shumë emra të tjerë të njohur, si dhe atomistët (fëmijët me inteligjencë të jashtëzakonshme), të cilët mund të gjejnë forma të ndryshme të të bërit shkencë dhe të aplikimit të shkencës në praktikë. Por jo vetëm këta, fëmijët e të rinjë e shumtë, potencialin dhe interesimet e të cilëve nuk i dijmë, janë pikërisht këta që mund të ndërrojnë mënyrën e të jetuarit tonë si popull, por edhe më gjerë, nëse ne dijmë si të investojmë dhe t’i nxisim ata. Nëse ne dijmë t’i bëjmë prioritet ata dhe shkencën. Nëse ne insistojmë dhe këmbëngulim që përmes shkencës dhe inovacionit, mund t’ua ndërrojmë jetën për të mirë jo vetëm fëmijëve tanë, por nipave e stërnipave si dhe gjithë vendit tonë.

[1] Ligji i Veprimtarisë Kërkimore – Shkencore Nr. 2004/42 (Programi Kombëtar i Shkencës i Republikës së Kosovës), 2010