Maj 3, 2022 | Tuesday

‘Kanceri’ që rrezikon mediat dhe demokracinë – Kreshnik Gashi

Shkruan: Kreshnik Gashi, Redaktor menaxhues, Kallxo.com

Në Ballkanin Përëndimor, Kosova është njëri prej rasteve më ‘sui generis”. Në vendin e vogël gazetarët janë më meritor sesa prokuroria në luftimin e korrupsionit, krimit, abuzimit me pushtetin e më meritorë sesa vet opozita në kërkesën për llogaridhënie të institucioneve dhe garantimit të lirive të të drejtave të njeriut. Edhe raportet e hulumtimeve të opinionit tregojnë që mediat janë burim i besueshëm për ta luftuar e denoncuar korrupsionin sesa mekanizmat shtetërorë edhe statistikat e rezultatetve e konfirmojnë këtë fakt.

Të dhënat tregojnë që shumica e debatit dhe presionit publik për të luftuar korrupsionin erdhi nga mediat dhe hulumtimet e mediave rezultuan me zbulimin e dosjeve të mëdha të korrupsionit. Shembulli më i thjeshtë është akuza ndaj 6 ish-ministrave për aferën e hidrocentraleve. Çdo gjë ndodhi vetëm pas raportimit në media.

Në vendin e vogël, gazetarët idealistë dhanë shumë. Ata ishin aty për të garantuar opozitën dhe ngritur kritikën edhe kur ajo nuk vinte nga opozita apo mekanizmat shtetërorë që janë të thirrur për ta bërë këtë.

Thënë shkurt, në çdo fushë të jetës, gazetarët ishin shpresa dhe besimi për qytetarët e këtij vendi.

Shpresa se mediat do vijnë për të raportuar për abuzimin i mbajti brenda shumë njerëz e i frikësoi shumë të tjerë për të bërë veprime të ndaluara.

Kjo shihet dhe argumentohet lehtë me shembuj e raste të cilat vetëm pas raportimit në media ndryshuan kulturën e qeverisjes, llogaridhënies e përdorimit të fondeve publike.

Në misionin e tyre gazetarët arritën të tejkalojnë edhe kolegët dhe të nisin edhe raportimin kur krymat nisën ta hanin profesionin.

Të kqinjët u ekspozuan dhe u turpëruan për shkrimet e porositura e materialet e paguara.

Në tërë këtë rrugë, gazetarët e nderëshëm ishin fitimtarë. Ata ishin fitimtarë sepse e kishin publikun në anën e tyre një publik që u besonte verbërisht në to që thuheshin.

Sot në vitin 2022 me një qeverisje e insitucione jo efikase të drejtësisë- të paktën siç e thonë raportet ndërkombëtare- vendi sërish e ka shpresën te gazetarët si adresë për avancimin e demokracisë dhe llogaridhënies.

Por ata që shohin pak më larg, lehtë mund të thonë se një kancer ka nisur të prishë atë që është ndërtuar për shumë vite besimin e publikut në mediat e pavarura.

Fajtorët për këtë kancer janë të shumtë nisin nga përfituesit që në emër të gazetarisë synojnë të pasurohen e përfundojnë te politikanët të cilët për të mbuluar skandalet e tyre, kryqëzimin e mediave e shohin si rrugën më të lehtë.

Është e qartë që të fortët e politikës e krimit të organizuar kanë interes që sot në vend të kenë media që i kontrollojnë, media të cilat mbajnë anë dhe të cilat nuk kritikojnë.

Në vendin ku biznesmenët politikanët e kriminelët i frikësohen më shumë gazetarit sesa prokurorit, kjo tendencë gjithmonë do të jetë në rritje.

Por misioni i gazetarëve profesionistë nuk duhet të ndalet. Sot profesionistët duhet të angazhohen për të mbrojtur gazetarinë nga sulmet e pabaza e poashtu për të denoncuar ata që në emër të gazetarisë synojnë përfitimin dhe dëmtojnë profesionin.

Beteja do jetë e gjatë e vështirë por lufta do të fitohet. Beteja do jetë e vështirë për shumë shkaqe përfshirë sigurinë financimin drejtësinë dhe kredibilitetin.

Është fakt i njohur që gazetarët kanë probleme me sigurinë dhe dështimin e shtetit për t’i gjykuar ata që i sulmojnë e kërcënojnë gazetarët.

Është fakt që vendi e ka lënë burim të vetëm të financimit të mediave biznesin privat dhe kjo është e rrezikshme sidomos kur dihet që biznesi privat kontrollohet nga një dy apo tri familje të mëdha në Kosovë.

Sfidat janë të mëdha edhe në sistemin e drejtësisë. Fushatat linçuese ndaj gazetarëve nuk ndalohen nga drejtësia pasi paditë e gazetarëve mbahen në sirtarët e gjykatave. Por këta janë faktorë që përballohen nëse gazetaria në vend arrin të ruajë besimin e publikut.

Energjia duhet të fokusohet për ta ruajtur besimin dhe vlerën e shenjtë- gazetarinë e pavarur. Kështu do të mund ta ruajmë edhe demokracinë ‘të mos metastazojë‘.

*Ky artikull nuk paraqet qëndrimin e Shtëpisë së Evropës apo Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë