Shtator 30, 2016 | Friday

Kapja e mundësive: si të përfitohet më së miri nga talentet e Evropës

Nga: Tibor Navracsics, Komisioner i BE-së për Arsim, Kulturë, Rini e Sport

Konferencë për nxitje dhe zhvillim të talentit

Bratislavë, 12-13 shtator 2016

Z. Kryetar, Ministër, Shkelqësi, Zonja dhe Zotërinj,

Kam kënaqësinë të jem me ju. Më së pari më lejoni të falënderoj Kryesimin Sllovak për avancimin e punës në temën e rëndësishme të zhvillimit të talenteve – si dhe grumbullimin e profesionistëve të motivuar nga e gjithë Evropa për ta debatuar, sot e nesër.

Më lejoni të filloj me një thënie që thuhet ta ketë bërë Platoni: “Mos e shtyni fëmiun të mësojë me forcën e rreptësisë, por orientojeni ta bëjë me atë që argëton mendjen e tij, ashtu që të jeni gati ta zbuloni me saktësi atë dellin e veçantë të gjenialitetit të secilit.”

Zbulimi i këtij «delli të mençurisë» është saktësisht qëllimi i konferencës së sotme: si të identifikohet dhe të shfrytëzohet talenti i secilit person, i secilit nxënës, ashtu që secili ta gjejë veten në shoqëri, si profesionist i arritur dhe qytetar i angazhuar.

Cili është roli kryesor i sistemeve tona arsimore në përmbushje të kësaj detyre? Më së pari, më lejoni të theksoj që nuk është kjo detyrë vetëm për shkolla. Të gjitha palët që janë të përfshirë në edukimin formal, informal dhe joformal, edhe prindërit, kanë rolet e veta në zbulimin e talentit të secilit fëmijë. Të gjithë kanë për të detyrë të ndihmojnë secilin nxënës që të zbulojë atë në të cilën është i mirë; të ndihmojnë në zhvillimin e talenteve dhe shkathtësive të tyre në nivelin më të lartë të mundshëm. Na duhet të angazhojmë të gjithë komunitetin shkollor, por edhe palë të tjera, ekipet shumëdimensionale, prindërit e familjet. Vendosja e nxënësit në qendër të vëmendjes është përpjekje e përbashkët.

Të gjithë fëmijët kanë potencial të madh. Fatkeqësisht, ky potencial tepër shpesh mbetet i pashfrytëzuar. Kjo është diçka që BE-ja thjesht s’mund ta përballojë: është humbje e resurseve njerëzore, apo mund edhe të thuhet, tragjedi të panumërta, por edhe dështim kolektiv.

Nuk po flas vetëm për talentin akademik këtu – është mu tash koha që të marrim parasysh një gamë të gjerë talentesh e shkathtësish. Besoj të gjithë ju jeni të njoftuar me veprat e mirënjohura të Hovvard Gardner, hulumtuesit amerikan që kishte zbuluar disa inteligjenca: nga ndërpersonalja tek muzikorja, nga hapësinorja tek gjuhësorja, logjikja, natyralistja apo brendapersonalja.

Mendoj mund të pajtohemi që shumë shpesh, talenti vlerësohet me kritere të forta që nuk reflektojnë pasurinë dhe ndërlikueshmërinë e tij. Ne duhet të hapemi ndaj konceptit të talentit dhe të mendojmë përtej arritjeve akademike. Shkollat ende priren të fokusohen në një ide të ngushtë të aftësisë – puna akademike. Ne kemi nevojë për talente në arsim të lartë, por edhe talente në arsimin dhe aftësimin profesional. na duhen talente në arte e sporte, në shërbim të njerëzve dhe në krijim të inovacioneve – na duhet talenti në disiplina që ndoshta ende nuk kanë emër, por që do të gjenerojnë miliona vende pune deri më 2030.

Si i ndihmon Komisioni Evropian Shtetet Anëtare që të përfitojnë më shumë nga talentet e reja? Agjenda e Aftësive të Reja për Evropën, iniciuar në qershor, i përgjigjet këtyre brengave dhe përçon mesazhe të qarta. Është një thirrje për të punuar bashkë në përforcim të kapitalit njerëzor, punësueshmërisë dhe konkurrueshmërisë. Ajo do të luajë rolin e vet në tejkalimin e papunësisë rinore dhe mospërputhjes së aftësive që shohim sot në BE – por edhe në parandalimin e tyre në të ardhmen.

Agjenda e Aftësive merr perspektivë afatgjate, si dhe me të drejtë, pasi që arsimi i sotëm është shoqëria e të nesërmes. Pra, ku të fillojmë? Në klasë, nëse jo edhe më herët. Ku ndalemi? Sigurimi i shkathtësive të duhura është tejet relevant në të gjitha nivelet e arsimit, duke përfshirë atë të lartë e edhe më tutje – si dhe përgjatë jetës së tërë. Të mësuarit nuk ndalet kurrë.

Kjo më sjell tek një pyetje tjetër të rëndësishme. Çfarë aftësish duhet të ofrojnë sistemet arsimore dhe për çfarë qëllimi? Disa mund të thonë që duhet të fokusohemi tek punësimi, pra tek aftësitë teknike që janë përkatëse për vendet apo sektorët e caktuara të punës.

Por, ç’të bëhet me aftësitë bazike? Aftësitë si njohuritë e përgjithshme kulturore e qytetare, kreativiteti, aftësia për bashkëpunim e zgjidhje të problemeve, insistimi, kurreshtja, vetëdija sociale e kulturore? Mendoni që është listë e gjatë, eklektike dhe e rëndomtë? Në fakt, po rreshtoj disa prej kompetencave kryesore të shekullit të njëzetë të identifikuara këtë vit nga Forumi Ekonomik Botëror. Pra këto janë mu këto aftësitë që kërkohen nga punëdhënës tejet relevantë!

Dhe kjo listë e aftësive të ndërthurura na jep mesazhin e qartë: ajo që kërkohet punëdhënësit është që të ketë të rinj që janë të vetëdijshëm dhe kanë vetëbesimin për talentin e tyre, si dhe janë të gatshëm ta zhvillojnë në vend të punës dhe tjetërkund.

Mu kjo është arsyeja se pse si pjesë e Agjendës së Aftësive, jam përkushtuar të rishikojmë Kornizën e Kompetencave Kryesore për mësimin gjatë gjithë jetës. Është një vegël e shkëlqyeshme, por rrjedh që nga viti 2006. Duhet ta freskojmë për të reflektuar nevojat aktuale, si dhe duhet t’i japim rëndësinë që meriton.

Zonja dhe zotërinj,

Një faktor tjetër jetik në shfrytëzimin e talenteve të shumta është edukimi për ndërmarrësi. Është thelbësore që të rinjtë të mësojnë se si t’i kapin mundësitë që talentet e tyre të posaçme iu japin.

Edukimi për ndërmarrësi është nyja aq e nevojshme për suksesin e ardhshëm, inovacionin dhe konkurrencën e ardhme në Evropë. Nuk po mendoj thjesht aftësitë apo njohuritë për të krijuar e për të udhëhequr kompaninë. Po mendoj spektrin e gjerë të frymës dhe qëndrimeve ndërmarrëse, që iu mundësojnë individëve të gjallojnë në çdo mjedis pune dhe në çdo fushë jete, të reagojnë pozitivisht ndaj ndryshimit dhe të ndihmojnë në përmirësimin e botës me idetë e tyre.

Ne duhet të përforcojmë edukimin për ndërmarrësi për studentët tanë, por edhe për mësimdhënësit tanë. Tashmë është lart në rendin e prioriteteve të Bashkimit Evropian dhe të shumë Shteteve Anëtare. Megjithatë, dua t’i jap një nxitje të madhe zhvillimit të shkathtësive ndërmarrëse. Ne duhet që të sigurohemi që çdo i ri të ketë përvojë ndërmarrëse para se të kryejë shkollën – së paku një përvojë ku talentet unike të tyre të çmohen dhe të prezantohen në një format ndërmarrës! Kjo do të jetë prioriteti për punën time me Ministrat Evropianë të Arsimit gjatë vitit të ardhshëm në implementim të Agjendës së Aftësive.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe një falënderim i veçantë për organizatorët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Ju dëshiroj dy ditë diskutime të frytshme!