Qershor 29, 2017 | Thursday

Kinemaja si agjent i ndryshimeve

Kur në vitin 2016 Ken Loach mbajti fjalimin e tij për Palmën e Artë në festivalin e filmit në Kanë lidhur me filmin e tij “I, Daniel Blake”, ai na kujtoi se si kinemaja ka traditë shoqërore dhe se sa është e rëndësishme si medium i kundër-pushtetit. Një vegël për t’i vendosur çështjet njerëzore në kontekstin e tyre shoqëror, politik dhe historik.

Pjesa e dytë e shekullit 20 ka ngritur çështjen se sa e rëndësishme është dëshmia e dëshmitarit të një ngjarjeje historike për mënyrën tonë të perceptimit të historisë. Ose nëpërmjet fiksionit ose dokumentarit, kinemaja ka luajtur një rol të madh për të dëshmuar, denoncuar dhe kujtuar. Kamera ka shërbyer si një filtër me qëllim për të transmetuar.

Kohëve të fundit, duke kërkuar nëpër kujtimet e mia, në përpjekje për ta kujtuar filmin e parë që kam parë , erdha në përfundimin se ai ishte një dokumentar rreth Luftës së Dytë Botërore i quajtur ‘Nga Nurembergu në Nuremberg’. Isha 10 vjeç. E mbaj mend që e kam shikuar shumë herë. E kam përsëritur gjestin e futjes së VHS në video-player, përsëri e përsëri. I prekur dhe i hipnotizuar nga tmerri që mund ta krijojnë njerëzit. Më vonë në shkollë, ato imazhe fituan kontekst dhe perspektivë nga mësuesi im i historisë.

Njëzet e pesë vjet më vonë, sapo arrita në Prishtinë, dëshiroja të mësojë më shumë për shtëpinë time të re, duke kërkuar dëshmi dhe video dokumente të historisë së vendit, më konkretisht në lidhje me vitet që shpien në ngjarjet e vitit 1999. U stepa nga mungesa e dokumenteve të tilla. Realitetet politike të viteve 90-të nuk ishin kapur nga kinemaja. Hasa në një videokasetë, video shtëpiake, e incizuar në vitin 1991. Ajo paraqiste një grumbull të vajzave të vogla që vallëzonin në dhomën e tyre me një kënge serbokroate. Çka nuk tregonte videoja ishte se ato vajzat e vogla ishin shqiptare, dhe duhet të kishin qenë në shkollë. Kjo është ajo që e nxiti procesin e krijimit të “Daullet e Rezistencës”.

Pas tërheqjes së fijes së parë, zbulova një pasuri të videove shtëpiake që kurrë nuk e kishin arritur rrjedhën kryesore, dhe se ato e dokumentonin luftën e patreguar politike, sociale dhe njerëzore të familjeve, prindërve, fëmijëve, mësuesve gjatë viteve 90-të. Gjithashtu kuptova se askush nuk i shikonte ndonjëherë këto imazhe, duke i përfshirë edhe ata që i kishin incizuar. Thënë thjesht, zbulova se Kosova është dokumentuar dobët, dhe incizimi i ‘Daullet e Rezistencës’ konfirmoi se sa pak në të vërtetë kosovarët e rinj shqiptarë dinë në lidhje me këtë periudhë.

Filmi ynë tenton që ta plotësojë këtë boshllëk duke mbledhur tregime që i japin kontekst njëri-tjetrit. Dhe shpresojmë se ky dialog mes dëshmitarëve mund ta nisë një bisedë të re.

Siç thotë njëri nga personazhet, Abdyli, në film: “Nëse përpiqemi që ta imponojmë një të vërtetë të vetme absolute për atë çka ka ndodhur, atëherë kurrë nuk do të mund ta kapim frymën e kohës, apo ngjarjet. Të gjitha përvojat tona bashkohen në një mozaik që i ngjan më afër realitetit”.