Nëntor 29, 2021 | Monday

Kori Siparantum fitues në “World Choir Games 2021” – Intervistë me Memli Kelmendi

Kori Siparantum, i themeluar dhe drejtuar nga dirigjenti dhe kompozitori Memli Kelmendi, po merr pjesë në festivale dhe gara të shumta ndërkombëtare. Së fundmi ata kanë shënuar suksesin e tyre më të madh deri tani, duke fituar çmimin “The Open Competition – Musica Contemporanea” në olimpiadën e koreve botërore “World Choir Games 2021” në Belgjikë. Për të kuptuar më shumë rreth historisë dhe aktiviteteve të tyre, kemi intervistuar Memli Kelmendin – Dirigjent dhe drejtues i Korit Siparantum.

  • A mund të na tregoni më shumë për Korin Siparantum?

Kori Siparantum është themeluar në vitin 2017, iniciativë vullnetare me një qëllim të përbashkët: promovimin e kulturës dhe kompozitorëve tonë në vende të ndryshme të botës.

Duke u nisur nga tradita kulturore pejane, qytet ku edhe është themeluar, që në fillim ideja ishte që në këtë kor të përfshihen gjenerata të ndryshme, njerëz të cilët kanë dhënë kontribut edhe gjatë viteve të 80-ta. Për shkak të rrethanave të asaj kohe që siç e dimë çdo aktivitet kulturor ishte ndërprerë, kemi menduar që në kor të kemi përzierje gjeneratash, përfshi njerëz që dikur kanë kënduar në kore të ndryshme, nxënës dhe studentë të cilët duan artin dhe këndimin koral, me idenë që t’ju jepet hapësirë skenike për të qenë më afër skenës muzikore-korale. Ideja për themelim është nisur nga unë dhe nga një grup vullnetarësh përfshi profesorin e njohur të kitarës Luan Sapunxhiun, Fatmir Bajraktarin – njeriun i cili i ka dhënë shumë kulturës pejane; Burim Kasapolli, që po ashtu ka qenë anëtar në pothuajse çdo kor të qytetit të Pejës, e edhe në korin e njohur të dikurshëm “Collegium Cantorum”.

Duke u nisur nga ky fakt, kemi menduar që qyteti i Pejës meriton një frymë ndryshe prandaj këtu lindi ideja e themelimit të korit Siparantum. Kështu, pas një periudhe shumë të shkurtër (më pak se dy muaj), kori Siparantum arriti të ketë rreth 50 anëtarë. Përpos kësaj, brenda një periudhe shumë të shkurtër ne formuam përbrenda korit Orkestrën Kamertale dhe po ashtu korin e fëmijëve “Siparantum Kids” që po tregon një rezultat të shkëlqyer.  

  • Sa ka qenë e vështirë të themeloni një trupë të tillë dhe të grumbulloni artistët dhe anëtarët tjerë të Korit në Pejë?

Qytetit të Pejës i ka munguar një kor me ide të reja skenike. Pikërisht ky edhe ishte qëllimi im që në fillim; formimi i një kori i përmasave të tjera, kor që nuk qëndron në “qëndrim statik” por një kor që vazhdimisht do të thoja paraqitet si i “pa parashikueshëm”, kor që në momente paraqitet me elemente koreografike.

Në fillim isha pak skeptik në këtë ide sepse unë vij nga “një shkollë klasike”, por duke qenë në aktivitete të ndryshme të artit në botë, mendoja se vendit tonë duhet t’ia sjellim një atmosferë krejtësisht të re, dhe mendoj që nuk kam gabuar. Mendoj që pikërisht kjo është edhe arsyeja se si ne ende edhe sot pothuajse pesë vite pas themelimit, funksionojmë në mënyrë fantastike në baza vullnetare, me qëllime të qarta për kulturën e vendit tonë. Sot kori Siparantum nuk është më vetëm i Pejës, është i gjithë Kosovës, sepse në korin tonë përfshihen “vullnetarë” që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës si; Prishtina, Mitrovica, Gjilani, Vushtrria, Gjakova, Skenderaji, Klina, Istogu dhe të tjera. Pra, kori ynë sot ka shtrirje pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës.

  • A mund të na tregoni më shumë për aktivitetet që ka pasur Kori Siparantum gjatë viteve të fundit?

Përgjatë këtyre viteve, që nga themelimi, Kori Siparantum ka realizuar mbi 85 paraqitje, 28 janë ndërkombëtare, përfshi festivale të ndryshme në qendrat më të rëndësishme të kulturës korale në Evropë. Në vitin 2017 kemi qenë pjesë e 3 koncerteve më të rëndësishme të muzikës korale në Kroaci, përfshi; POU – Petrinja, St. Paul, Zagreb; festivalin “Emil Cossetto” ku kemi performuar në sallën qendrore – koncertale, Hrvatski Glazbeni Zavod – Zagreb; Muzeu “Mimara”; në vitin 2018 kemi qenë për herë të parë në festivalin internacional të koreve botërore “Nancy Voix Du Monde” në Francë, kemi shfaqur koncerte në “Nancy Cathedral”, “Grand Salon de Ville”, “La Temple Protestant”, “La salle Erkman Luneville”, “Porta Here”, “Stanislas Square – Nancy”, pastaj dy koncerte të rëndësishme në “Chiesa di San Salvatore” Në Lauro dhe “Basilica di San Antonio” – Romë.

Në vitin 2019, kemi qenë për herë të parë në festivalin internacional të koreve ‘The 15th edition of the biennial International Choir Contest Flanders’ me ç’rast korit Siparantum i është ndarë çmimi “Honoralbe Mention” nga festivali, koncerti i suksesshëm në C-Mine, Genk. Po ashtu këtë vit kori Siparantum ka realizuar suksesshëm koncertin në kishën e njohur “Church of the Abbey of Notre Dame de la Cambre” në Bruksel, koncert ky që është vlerësuar lartë nga kritikë të muzikës, të pranishëm në këtë koncert.

Sigurisht, pandemia sikur tek e gjithë bota, edhe tek artistët ka ndikuar shumë, veçanërisht tek muzika korale për shkak të specifikave që ka puna me korin, megjithatë kori Siparantum asnjëherë nuk është ndalur, kështu duke qenë pjesë e festivalit virtual “TEHO”, pastaj bashkëpunimit me kompozitorin e njohur Gjerman, Carsten Gerlitz në realizimin e projektit “Joshua fit the battle of Jericho”.

Bashkëpunimi tjetër në Video Award në INTERKULTUR me korin “Cobra Chorale” dhe dirigjentin e njour William Bennett në realizimin e projektit “Counting Music”, të kompozitorit Chris Lawry.  Po ashtu, kori ka qenë pjesë në festivalin “Europees Muziekfestival voor de jeugd Neerpelt – European Music Festival for Young People”, ku në këtë festival kori ka marrë pjesë me kompozimin tim “Me nji lule”, vepër kjo e porositur nga festivali EMJ, me ç’rast kori është vlerësuar jashtëzakonisht nga juria festivale. 

Për të mos përjashtuar edhe festivale të tjera, kori Siparantum ka qenë pjesë e festivaleve vendore; DAM, ReMusica, Skena e Muzikës Serioze Shqiptare etj.

Dua të përmend po ashtu edhe gjëra të tjera të rëndësishme të punës sonë; bashkëpunimi me tenorin me fame botërore “Ramë Lahaj”,  bashkëpunimi me Tackroom Theater në realizimin e këngës “World On Our Shoulders” #Resolution2020, këngë e cila u vlerësua dhe u bë njëra prej projekteve më të pëlqyeshme në YouTube, pastaj publikimi i dy veprave korale në CD-në e “International Choir Contest Flanders”, Belgjikë dhe së fundi publikimi në CD-në e “Emil Cossetto”. Kori Siparantum tashmë është po ashtu pjesë e projektit “Our Voice For Our Planet”.

  • Keni arritur të fitoni disa çmime në arenën ndërkombëtare por padyshim më i rëndësishmi ka qenë çmimi i fundit në “World Choir Games”. Mund të na tregoni më shumë?

Po, ndonëse jemi ende në rrethana pandemie, megjithatë vullneti për të bërë gjëra të bukura nuk ka munguar asnjëherë, as tani. Muajin e kaluar ne ishim në Kroaci, gjegjësisht në festivalin internacional të koreve “The Golden Lime Of Tuhelj”, ku në mesin e 16 koreve pjesëmarrëse nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Sllovenia, ishim edhe ne. Kështu kori Siparantum doli të jetë i pari, i vlerësuar me pikët më maksimale ndonjëherë, 98.33 pikë dhe morri “Pllakën e Artë”. Ky sukses erdhi si shpërblim i punës intensive dhe vullnetit të madh që kemi pasur gjatë viteve, veçanërisht muajve të fundit.

Vitin e kaluar ne u pranuam në Olimpiadën më të madhe të koreve botërore “WORLD CHOIR GAMES (WCG)”, por për shkak të pandemisë, sikur  çdo aktivitet tjetër edhe kjo është shtyrë për këtë vit.  Për të qenë pjesë e WCG-së, të them të drejtën ne si shtet nuk kemi plotësuar asnjë kusht të vetëm, sepse për të qenë pjesë e WCG-së neve na është dashur të kemi medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta; të jemi pjesë e Open Competition apo Championship, të jemi pjesë e Raking List etj. Sidoqoftë, ishte pika e fundit që Anëtari I këshillit të koreve botërore “World Choir Council”, pra përfaqësuesi i shtetit në WCC mund të rekomandojë një kor për të qenë pjesë e garës. Sigurisht, unë si anëtar rekomandova korin Siparantum. Gjithsesi për të qenë pjesë e World Choir Games ne është dashur t’u përshtatemi kushteve dhe rregullave të WCG dhe kësaj radhe ne aplikuam në Open Competition, në kategorinë “Musca Contemporanea”.  Përpos garës në WCG ne kishim edhe dy koncerte të tjera, njërin në Handelsbeurs, Antwerp dhe tjetrin në St-Maartenskerk,Kortrik (koncerte këto jashtë konkurrencës). Në këto koncerte ishin prezent kore të ndryshme nga vende të ndryshme të botës, njerëz më me ndikim të muzikës korale në botë dhe sigurisht shumë personalitete të shquara të artit përgjithësisht. Komentet që ne kemi marrë nga këto koncerte kanë treguar punën fantastike që ne bëjmë si shoqëri. Të them të drejtën ne paralelisht kishim mundësi të shohim edhe kore të tjera që ishin pjesë e garës në World Choir Games, ndonëse ishin më shumë se 300 kore mbi 85 shtete të botës.

Kthehemi tek gara. Siç e përmenda më lartë, ne kemi garuar në Open Championship, gjegjësisht në kategorinë “Musica Contemporanea” që u mbajt në sallën më të njohur, Queen Elizabeth Hall, Antwerp.

Mbrëmja e fundit, ishte moment më emocional, për gjitha koret pjesëmarrëse ashtu edhe për ne. Kori Siparantum, kështu u bë kori fitues i kësaj kategorie “Musica Contomporanea” dhe po ashtu u bë fitues i dy medaljeve të “Arta”. Sigurisht që ky është njëri prej sukseseve më të mëdha të arritura deri më tani. Të jesh fitues në këtë kategori, të barazohesh me shtete të cilat kanë traditë të madhe në muzikën dhe zhvillimin e këndimit koral, për ne është një sukses i jashtëzakonshëm. Kjo tregon që puna është dëshmi e suksesit!

  • Cili do të ishte mesazhi juaj për dirigjentët dhe artistët që kanë ambicie për të iniciuar projekte të tilla kulturore në qytete tjera të Kosovës?

Punë, punë dhe vetëm punë. Pavarësisht sfidave me të cilat përballemi ne si shoqëri, motivi nuk duhet të ndalet asnjëherë.

  • Planet për të ardhmen?

Në dhjetor ne udhëtojmë për një tjetër festival të rëndësishëm me ç’rast kori Siparantum tashmë ka siguruar pjesëmarrjen. Në Berlin ne do të paraqitemi në 3 koncerte të tjera, tepër të rëndësishme për rrugëtimin tonë. Gjithsesi, këto ditë do të bëhen zyrtare këto koncerte në Berlin.  Përpos Berlinit, në adresën tonë kanë arritur pesë ftesa ndërkombëtare por varësisht nga fondet që do t’i kemi vitin ardhshëm do të shohim se ku do të udhëtojmë.

Ndonëse sot, kori Siparantum ka 45 anëtarë të korit, për të qenë pjesë e këtyre sukseseve përkrahja që kemi nga institucionet kulturore është tepër minimale në raport që punën ne bëjmë si shoqëri. Sigurisht, ne kemi përkrahjen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Pejës, sektori privat dhe nga shumë artdashës, megjithatë ana buxhetore shpeshherë neve na “kufizon” në realizimin e qëllimeve tona, ajo që do të thosha është gjëja më irrituese për ne, përballja me procesin e “vizave”.

Momentalisht jemi duke punuar në realizmin e pare të CD-së së korit të fëmijëve “Siparantum Kids” që pritet të publikohet në vitin e ardhshëm, 2022.