Nëntor 22, 2021 | Monday

Kosova bëhet me impiantin e parë të ngrohjes me biomasë

Komuna e Gjakovës bëhet komuna e parë në Kosovë me impiant të ngrohjes me biomasë. Impianti i ndërtuar me financim nga Bashkimi Evropian, përpos që do të përmirësojë sistemin e ngrohjes së qytetit, do të ketë ndikim pozitiv në mjedis, pasi që do të mundësojë cilësi më të mirë të ajrit në qytet, funksionim më efikas të sistemit të ngrohjes qendrore, dhe do të sigurojë ngrohje të qëndrueshme për qytetarët e Gjakovës.

Ngrohtorja e qytetit në Gjakovë, që nga themelimi i saj në vitin 1980 ka operuar me dy kaldaja (nga 38 MË) të cilat kanë gjeneruar energji për ngrohje nga djegia e mazutit, proces ky që është tejet i dëmshëm për mjedisin dhe i kushtueshëm financiarisht. Përpos kësaj, kaldajat e vjetërsuara të mazutit dhe në gjendje shumë të dobët, nuk kanë arritur të furnizojnë qytetarët me ngrohje për më shumë se 6 orë në ditë. Nisur nga kjo, BE ka financuar ndërtimin e impiantit të ngrohjes me biomasë në Gjakovë, me një kosto totale prej 15 milionë eurosh.

Prezent në ceremoninë e inaugurimit ishte Ambasadori i BE-së në Kosovë Tomash Sunjog, i cili në fjalimin e tij tha se ky është njëri nga projektet më të mëdha të BE-së në Kosovë, me ndikim të madh në jetën e njerëzve që jetojnë në këtë zonë.

“Rreth 40% e qytetarëve në Gjakovë do të përfitojnë nga ngrohja me cilësi të lartë dhe nga ngrohja me ndotje më të ulët. Ky është impianti i parë në Kosovë me teknologji tejet efikase, të bazuar në biomasë. Teknologjia e re ka zëvendësuar impiantin e vjetër me kaldaja me mazut, të cilët jo vetëm që ishin shumë të kushtueshme për të operuar, por edhe shumë ndotëse” – deklaroi Ambasadori Sunjog.    

Ndërkohë Albana Skivjani u.d. e kryeshefes së Ngrohtores së Qytetit të Gjakovës tha se tani qytetarët do të kenë furnizim me ngrohje 24 orë dhe humbjet ekonomike do të zvogëlohen dukshëm. “Punimet që janë kryer këtu, janë dëshmi e një investimi kualitativ me një teknologji të avancuar e cila do të punojë me dekada me efiçencë të lartë, ndërkohë është ndërtuar një urë e fortë bashkëpunimi mes nesh. Ky projekt është i vetmi i këtij lloji jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon” – deklaroi Skivjani.

Impianti me teknologjinë më të rë të ngrohjes me biomasë, i ndërtuar me financim të Bashkimit Evropian, pritet të ulë ndotjen deri në komunën e Gjakovës deri në 90% dhe kostot vjetore të ngrohtores deri në 50%.