Tetor 30, 2021 | Saturday

Kosova dhe ndryshimet klimatike – ku jemi dhe çka duhet të bëjmë? – Fjollë Caka

Ndryshimet klimatike janë ndryshime më afatgjate në sistemin klimatik, kryesisht të shkaktuara nga veprimet njerëzore, fakt ky i aprovuar nga më shumë se 99% e punimeve të krijuara shkencore sipas një studimi të ri nga Cornell. Aktivitetet njerëzore, të tilla si gjenerimi i energjisë me lëndë djegëse fosile, ndryshimet në shfrytëzim të tokës, si dhe në preferenca të konsumit, kanë kontribuar në rritjen e emisioneve të gazrave serrë në nivel të paparë.

Për shkak të rritjes së emetimeve të gazrave serrë, secila prej katër dekadave të fundit ka qenë më e ngrohtë, ndërsa dy të fundit kanë pasur temperaturë globale sipërfaqësore rreth 1oC më të lartë se në vitet 1850-1900. Sipas raportit të fundit të IPCC, të gjitha rajonet e botës po përjetojnë klimë ndryshe krahasuar me atë të fillimit apo mesit të shekullit të 20-të. Shumë qytete dhe vendbanime të tjera njerëzore po përjetojnë gjithnjë e më shumë ndikime negative të ndryshimeve klimatike, të tilla si rritja e temperaturave mesatare, frekuenca e ekstremeve të nxehtësisë dhe rritja e niveleve të detit, së bashku me përmbytjet dhe erozionin bregdetar. Disa vende ishullore madje kërcënohen me përmbytje, humbje të territorit ose integriteti dhe rritje të migrimit të shkaktuar nga klima

Kosova ka përjetuar rritje të temperaturave, ku dy dekadat e fundit janë më të ngrohtat, të përcjella me raste më të shumta të valëve të të nxehtit, thatësirave, zjarreve në pyje, si dhe përmbytjeve. Këto ngjarje ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, infrastrukturën fizike, rendimentet bujqësore, ekosistemet dhe biodiversitetin, si dhe ofrimin e shërbimeve – të gjitha këto rrisin kostot ekonomike dhe pabarazitë sociale (pasi jo të gjithë kanë të njëjtat mundësi për të lëvizur ose përshtatur).

Sipas raportit të fundit të IPCC-së, Ballkani Perëndimor (si rajon malor) konsiderohet si një nga pikat e nxehta të ndryshimeve klimatike në botë, ndërsa për shkak të kapaciteteve dhe burimeve të kufizuara për t’u përshtatur me ndikimet e parashikuara, është mjaft i ndjeshëm. Pasi që Kosova pritet të përjetojë rritje të shpeshtësisë dhe intensitetit të ndikimeve klimatike tashmë të vazhdueshme, është thelbësore që të përshtatet me ndryshimet e parapara dhe të reduktohen rreziqet, cenueshmëritë dhe humbjet ekonomike. 

Pavarësisht nga zotimet klimatike të marra përsipër me Marrëveshjen e Parisit, bota ende nuk është në rrugën e duhur drejt tkurrjes së ngrohjes globale në 1.5oC. Një rekord i ri i koncentrimeve globale të dioksidit të karbonit në atmosferë në 412.5 ppm u arrit në vitin 2020, nivel ky më i lartë se në çfarëdo kohë gjatë 800,000 viteve të fundit! Nëse punohet pa ndonjë ndryshim, ngrohja globale do të vazhdojë me ritëm më të shpejtë, duke sjellë ndikime më të rënda klimatike gjithkund, si dhe shumë të panjohura.

Kosova nuk është anëtare e UNFCCC-së, e as nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Parisit, prandaj nuk dorëzon Kontributet e Përcaktuara Kombëtare, e as raporte për progresin në përmbushjen e caqeve. Megjithatë, Kosova është nënshkruese e Traktatit të Energjisë, ku edhe pse kontributi i saj në emetimet globale është pothuajse i papërfillshëm, Kosova është zotuar të reduktojë emisionet e saj lidhur me energjinë për 25% deri në vitin 2020. Edhe pse vendi ka deklaruar të jetë në rrugën e duhur të përmbushjes së këtyre objektivave (që më vonë u duk të ishte arritur për shkak të djegies së druve të zjarrit (biomasë)  nga ekonomitë familjare, por jo me investime në energjinë e ripërtërishme) dhe ka shprehur vullnetin për të ngritur zotimet e saj, gjithsesi, emisionet nga energjia mbeten më të lartat në vend, duke qenë 86% të emetimeve totale në 2019. 

Ndërsa Kosova harton Strategjinë e saj Kombëtare të Zhvillimit dhe Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, është qenësore të shtrohet rruga drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë, si dhe adaptimit ndaj ndikimeve të parashikuara të ndryshimeve klimatike, bazuar në procese planifikimi të bazuara në fakte, të mirëinformuara dhe gjithëpërfshirëse. Masat e mundshme të dekarbonizimit përfshijnë rritjen e masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesa, përhapjen më të gjerë të burimeve të ripërtërishme dhe depozitimin në bateri, përmirësimin e transportit publik dhe infrastrukturës së ecjes dhe çiklizmit, rigjenerimin e pyjeve, promovimin e menaxhimit të qëndrueshëm të tokës bujqësore dhe praktikave të prodhimit të ushqimit, si dhe menaxhimin e duhur të mbetjeve. Këto masa jo vetëm që kontribuojnë në uljen e ndotjes së lartë të ajrit në vend dhe ndikimit të saj rajonal, por kontribuojnë edhe në uljen e emisioneve të gazrave serrë në vend, krijimin e mundësive të reja të punësimit dhe përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies. Prandaj, Kosova duhet të nxisë e mirëmbajë partneritete me shumë palë dhe të zhvillojë plane realiste drejt përshpejtimit të reduktimit të shputës së karbonit në vend.

Fjollë Caka – Arkitekte, sociologe, urbaniste. Kandidate për doktoraturë në Menaxhim Mjedisor. Ambasadore e Klimës – GYCN.